04 BAND

Kush është Ideali, cilat janë fillimet e para në skenën muzikore?

Jam Ideal Çoçaj, vokalist në 04 Band. Fillimet e para në skenën muzikore kanë qenë përmes pjesëmarrjes në shfaqjet e ndryshme për talentë, të cilat janë organizuar në televizionet tona. Kështu, për shembull, në moshën 14 vjeçare kam marr pjesë në shfaqjen Talent X.

 

Çfarë zhanri të muzikës më me dëshirë këndoni?

Më pëlqen shumë që t’i kombinojë tri zhanre: Pop, Rock dhe RNB.

 

Cili është projekti juaj i fundit?

Momentalisht e kemi lansuar një projekt për qytetin e mrekullueshëm të Prizrenit. Iniciator i këtij projekti ishte 04 Band, mirëpo për realizimin e këngës janë bashkuar të gjithë artistët aktiv të qytetit.

 

Kush ka ndikuar më shumë në formimin tënd si artist?

Pa dyshim, ndikimet janë të shumta por, gjithsesi do të thoja se ndikimin më të madh e ka pasur familja ime, e cila më ka përkrahur pa asnjë hezitim.

 

Çfarë mendon për skenën muzikore kosovare dhe çka do të ndryshoje?

E vlerësoj shumë skenën tonë muzikore pasi që besoj se është në nivel shumë të lartë dhe është duke u zhvilluar gjithnjë e më shumë në përputhje me trendët muzikor botëror. Mbase, e vetmja gjë që do të doja ta ndryshoja është që këngët të mos bëhen sezonale.

 

A mendon se artistëve të rinj iu jepet hapësirë e mjaftueshme në media?

Po, besoj që të gjithë artistët e rinj kanë goxha shumë privilegje në këtë aspekt, sidomos nga revista ‘For You’. Mirëpo, gjithmonë ka hapësirë për përmirësime.

 

Nëse do të darkoje më tre persona të famshëm (qofshin ata personalitete të gjalla apo të vdekura), cilët janë ata?

Bon Jovi, John Lennon, Xherdan Shaqiri.

 

Cilat gjëra në jetë ju bëjnë të qeshni?

Pjesë të serialit vendor “Kafeneja jonë”.

 

Çfarë bëni gjatë vikendeve?

Fundjavat për ne janë ditë pune pasi që, zakonisht me grupin 04 Band këndojmë në kafeteri të ndryshme. Mirëpo, krahas punës ne edhe kalojmë çaste të mrekullueshme.

 

Nëse një ditë do të qeverisje botën, çka do të ndryshoje?

Do të mundohesha që të siguroja për të gjithë njerëzit të paktën një jetë mesatare.

 

Cilin film e keni shikuar më shumë se njëherë?

Janë disa filma të tillë, por do ta veçoja filmin “Hacksaw Ridge”.

 

Cilat janë dëshirat tua për llambën e Aladinit?

Shëndet dhe mirëqenie për familjen dhe shoqërinë time.

 

Cili ka qenë emisioni argëtues që e ke shikuar me dëshirë kur ishe i vogël?

Si shumë fëmijë të tjerë programi më i pëlqyer televiziv në fëmijërinë time ka qenë seriali Sandokan. Kurse, tani në TV shikoj vetëm futboll.

 

Na trego për një sfidë që e ke tejkaluar dhe si e ke tejkaluar?

Nuk mund të them se e kam përjetuar ndonjë sfidë të jashtëzakonshme por, në një rast kemi kënduar në një koncert shesh, në mot shumë të keq. Mirëpo, energjia pozitive nga shikuesi e pranishëm më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë.

 

Nëse do ta dëgjoje vetëm një këngë gjatë gjithë jetës, cila do të ishte ajo?

“It’s My Life” nga Bon Jovi.

 

Nëse do ta haje vetëm një ushqim gjatë gjithë jetës, cili do të ishte ai?

Fasulet me mish.

 

Na trego një kujtim nga fëmijëria dhe ndjenjat që të sjell ai kujtim sa herë të bie në mend?

Makinat e modeleve të vjetra kanë qenë më të thjeshta, dhe mbaj mend që njëherë kur isha i vogël i kam mbyllur të gjitha dyert e makinës tonë, ndërsa çelësi i makinës ishte ende brenda.

 

Çfarë do të bëje nëse do të fitoje 1 milion euro?

Do t’i investoja të gjitha në karrierën time muzikore por edhe në ndonjë biznes tjetër.

 

Cili është destinacioni turistik i ëndrrave?

Ishujt Maldive.

 

Në cilin qytet do të dëshiroje të jetosh?

Në Venedik.

 

Çka vëren së pari kur je në bisedë me dikë?

Sjelljen.

 

A është dashuria vetëm fjalë?

Jo, për këtë jam i sigurt.

 

Nuk mund të jetosh pa…?

Prindërit e mi.

 

Po të detyroheshe të bëje diçka nga këto, cilën do ta zgjidhje:

  1. Të luaje rol negativ në një telenovelë
  2. Të lash një grumbull të madh të enëve apo
  3. Të hidheshe me litar mbrojtës nga një lartësi e madhe.

 

Çfarë preferoni më së shumti nga garderoba juaj?

Këmishat si dhe atletet.

 

Cilit lloj të ëmbëlsirës kurrë nuk i thoni jo?

Trileqes.

 

Çfarë mendoni për të rinjtë e Kosovës dhe cila është porosia e juaj për ta?

Besoj se jemi popull shumë kreativ andaj i porosis të gjithë të rinjtë që të punojnë fort për t’i realizuar të gjitha ëndrrat e tyre.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE