10 GJËRA QË NUK I KENI DITUR PËR NASA-në

 

Të gjithë keni dëgjuar për NASA-në, si udhëheqëse për studimet më të avancuara të gjithësisë. Emri i saj është një shkurtesë (akronim) që vjen nga fjalët The National Aeronautics and Space Administration që në përkthim në gjuhën shqipe do të thotë Administrata Kombëtare për Aeronautikë dhe Gjithësi (AKAGj). Përndryshe NASA është një agjenci e pavarur e qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila është përgjegjëse për programin civil për gjithësinë, si dhe për studimet e aeronautikës dhe gjithësisë. Në vijim, ju ftojmë që t’i lexoni 10 gjëra që nuk i keni ditur për këtë agjenci.

 

  1. NASA u themelua nga Presidenti Amerikan Dwight Eisenhower (Duajt Ajzenhouer) në vitin 1958, në përgjigje të lansimit të satelitit të parë artificial nga Bashkimi Sovjetik një vit më parë.

 

  1. Presidenti John F. Kennedy (Xhon F. Kenedi) ia caktoi NASA-së qëllimin për të dërguar njeriun e parë në hënë deri në fund të viteve 1960. Më 20 korrik 1969, njerëzit e parë zbritën në hënë në kuadër të misionit Apollo 11.

 

  1. Të gjithë e dinë që Neil Armstrong (Nil Armstrong) ishte njeriu i parë që shkeli në Hënë. Mirëpo, ajo që shumica nuk e dinë është që gjithsejtë 12 njerëz kanë shkelur në Hënë, dhe të gjithë ata e kanë bërë këtë në kuadër të misioneve Apollo.

 

  1. Në vitin 1970, zbarkimi lunar Apollo 13 u anulua për shkak të shpërthimit të një rezervuari të oksigjenit.

 

  1. Anija e parë kozmike e njohur si space shuttle (anije vajtje ardhje) ishte Enterprise. Kjo ishte anija e parë që u ndërtua për flotën e anijeve kozmike për shumë fluturime. Gjithsesi anija Enterprise u ndërtua për testime dhe ajo në fakt nuk fluturoi asnjëherë në gjithësi.

 

  1. Fillimisht, u planifikua që anija Enterprise të quhej Constitution (Kushtetuta), mirëpo, adhuruesit e serialit televiziv Star Trek e zhvilluan një fushatë të suksesshme të mbledhjes së nënshkrimeve për t’ia ndryshuar emrin në Enterprise.

 

  1. Programi hapësinor space shuttle i ka pasur mbi 120 fluturime të suksesshme, por edhe dy tragjedi në të cilat u humbën anijet kozmike dhe ekuipazhet e tyre (Challenger në vitin 1986 dhe Columbia në vitin 2003).

 

  1. Në vitin 2011, NASA së bashku me partnerët e saj nga mbarë bota e përfundoi ndërtimin e stacionit ndërkombëtar hapësinor. Më pas ajo i nxori në pension tri anijet e mbetura kozmike space shuttle – Atlantis, Discovery dhe Endeavour.

 

  1. Anija kozmike Endeavour u ndërtua duke i përdorur pjesët rezervë për anijet Discovery dhe Atlantis.

 

  1. Gjenerata e re e anijeve kozmike të NASA pritet që të përfundohet gjatë vitit 2021. Bëhet fjalë për një raketë gjigande të quajtur Space Launch System (SLS), gjegjësisht Sistemi për Lansim në Gjithësi. Përndryshe, që nga pensionimi i programit të space shuttle, NASA i ka dërguar astronautët e saj në gjithësi, gjegjësisht në stacionin ndërkombëtar hapësinor përmes anijeve kozmike ruse Soyuz.
PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE