Një thënie e vjetër popullore thotë se miku i mirë njihet në ditë të vështirë, dhe që nga viti 1999 KFOR-i në vazhdimësi e ka dëshmuar vërtetësinë e këtij proverbi. Madje, duket sikur shpërthimi i pandemisë së COVID-19 vetëm sa e ka shtuar numrin e donacioneve të realizuara nga KFOR-i, gjegjësisht njësitë e bashkëpunimit civiloushtarak (CIMIC). Të gjitha këto donacione e dëshmojnë përkushtimin e KFOR-it që të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt si dhe që t’iu dalë në ndihmë të gjithë banorëve të Kosovës pa kurrfarë dallimi. Në ditët e fundit të muajit mars të këtij viti, ne ishim dëshmitar edhe të një aksioni tjetër, i cili kësaj radhe ishte dedikuar për personat me aftësi të kufizuara, gjegjësisht personat që kanë nevojë për karroca me rrota në komunat Shtime, Drenas dhe Podujevë. Në kuadër të donacionit në fjalë në këto tri komuna u shpërndanë gjithsejtë 48 karroca me rrota (18 në Shtime, 10 në Drenas dhe 20 në Podujevë).
Iniciator për realizimin e këtij donacioni ishte Dr. Karl Bauer nga Austria. Ai në bashkëpunim me z. Valton Halimi, Kryetar i Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare të landit të Shtajermarkut (Steiermark), me ndihmën edhe të organizatës Caritas në Austri i mblodhën këto karroca. Më pas ishte kontingjenti austriak i KFORit që e siguroi transportimin e tyre deri në Kosovë. Kurse, CIMIC-u në bashkëpunim me LMT-të (Liaison and Monitoring Teams – Ekipet për Ndërlidhje dhe Monitorim) dhe HANDIKOSin i përcaktuan tri lokacionet ku edhe u dorëzuan këto karroca.
Me rastin e pranimit të këtyre donacioneve drejtorët e zyrave lokale të HANDIKOS-it në të tri komunat e sipërpërmendura u shprehën tejet të kënaqur për këto karroca pasi që sipas tyre, ato janë jetike për lirinë e lëvizjes dhe gjithë përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në jetën shoqërore. Shefi i LMT-së Rajoni Jug, kapiteni Josh Noble, i cili ishte i pranishëm me rastin e dorëzimit të donacionit të parë në Shtime, në mes të tjerash theksoi: “Përmes këtij projekti KFOR-i e dhuroi këtë donacion për të ndihmuar njerëzit me nevoja të veçanta dhe besoj që ky donacion do t’i ndihmojë ata që të lëvizin lirshëm dhe të jenë më të lumtur. KFOR-i do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve të Kosovës për të ndihmuar dhe për të zhvilluar edhe më shumë personat me nevoja të veçanta.”
Me rastin e dorëzimit të karrocave në Drenas ishte i pranishëm edhe koloneli Jager Jurgen, nga ushtria austriake, i cili deklaroi: “Ky është një donacion modest, por për njerëzit që ju duhen këto karroca, është një ndihmë e madhe, pasi që u ndihmojnë atyre të lëvizin lirshëm. Përgjatë këtyre 20 viteve kontingjenti austriak i KFOR-it e ka ndihmuar popullatën e Kosovës dhe ne jemi shumë krenarë për këtë.”
Shtatëdhjetë vjeçarja, Drita Kluna, e cila është përdoruese e karrocës për nëntë vite me radhë, tha se me marrjen e karriges së re, jeta e saj do të jetë shumë më e lehtë: “Ndihmën e KFOR-it e vlerësoj jashtëzakonisht shumë, sepse kjo karrocë do të më ndihmojë të kem lëvizje më të lehta, gjegjësisht që të mund të dal edhe vetë, pa ndihmën e dikujt. Shpresoj që gjithmonë do të kemi njerëz të mirë sikurse pjesëtarët KFOR-it,” shtoi ajo.
Zëvendës Drejtuesi i LMT-së Hungareze në komunën e Podujevës, togeri Marko Dusa theksoi se në përputhje me misionin e tyre LMTtë angazhohen vazhdimisht që të identifikojnë nevojat dhe kërkesat e komuniteteve të ndryshme. “Nga të dhënat që i kemi nga Shoqata HANDIKOS, njerëzit në nevojë janë të lumtur që t’i pranojnë këto karroca. Mirëpo, do të jenë personat përgjegjës të HANDIKOS, në përputhje me diagnozat e personave me aftësi të kufizuara, ata që do ta bëjnë shpërndarjen e karrocave tek individët,” theksoi togeri Dusa. Ai, më tej theksoi se ai dhe të gjithë pjesëtarët e KFOR-it do të vazhdojnë të kontribuojnë në të gjitha mënyrat për të qenë së më afër banorëve të Kosovës dhe për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë.