5 MËNYRA PËR TA NGRITUR VETËBESIMIN

 

Vetëbesimi është jetik për çdonjërin prej nesh dhe njëkohësisht edhe një gjë e bukur dhe delikate. Kur kemi vetëbesim të madh, jemi më pak të cenueshëm, kemi më pak ankth, ndjehemi më të fortë në shumë situata sfiduese. Ekzistojnë mënyra për ta ngritur vetëbesimin tuaj. Ato janë të thjeshta por, duhet t’i praktikoni çdo ditë. Cilat janë këto mënyra? Business Insider e ka përgatitur një listë me pesë mënyra të cilat ju ftojmë që t’i lexoni në vijim.

 

Shfrytëzoni pohimet pozitive në mënyrën e duhur

Pohimet pozitive janë mënyrë e stërvitjes “ti je ajo çka mendon”. Ideja është që mendjen tuaj ta mbushni me mendime pozitive deri sa të filloni të besoni në ato. Kjo është një mënyrë e popullarizuar që të ndërtoni vetëbesimin, sepse është e thjeshtë por, ekziston një problem themelor – pohimet pozitive mund t’i bëjnë njerëzit me vetëbesim të ulët që të ndjehen edhe më keq. Sepse, çdo gjë që mund të pohohet mund të jetë në kundërshtim me besimet tona ekzistuese. Për këtë arsye propozohet që ato të përshtaten nga “Do të jem i suksesshëm” në diçka të tillë si “Nuk do të dorëzohem deri sa t’ia dal”.

 

Zbulojeni në çka jeni të zotët

Vetëbesimi rritet kur i shfaqim aftësitë dhe arritjet e vërteta në fushat e jetës sonë të cilat janë të rëndësishme për ne. Ndoshta jeni të zotët në vrap – regjistrohuni në gara lokale dhe ushtroni për ato. Qëllimi është që të zbuloni shkathtësitë dhe talentet e juaja kyçe dhe t’i gjeni mundësitë për t’i shfrytëzuar – ndoshta edhe si karrierë.

 

Mësoni si ti pranoni komplimentet

Kur ndjehemi keq me vetveten, është e vështirë që dikush tjetër të na ngre humorin. Në ato momente e kemi tendencën që t’iu rezistojmë komplimenteve, edhe pse në këtë kohë kemi nevojë më së shumti për ato. Në vend që komplimentet t’i kuptoni si gënjeshtra, duhet t’ia vendosni vetes si qëllim që të jeni më tolerant ndaj komplimenteve që ua bëjnë. Mënyra më e mirë për këtë është që t’i mendoni disa përgjigje ndaj tyre dhe ta detyroni veten t’i përdorni ato deri sa nuk bëhen automatike.

 

Mos e kritikoni veten

Mos e godit veten kur je duke u rrëzuar! Për fat të keq kjo është pikërisht ajo që e bëjmë. Kur vetëbesimi është i vogël zakonisht e dëmtojmë edhe më shumë duke e kritikuar veten. Kështu që herën tjetër që filloni ta kritikoni veten mendojeni nëse do t’ia bënit një kritikë të tillë në ato momente një shoqeje ose shoku të ngushtë. Si rregull, jemi të prirë që të kemi më shumë mirëkuptim ndaj miqve.

 

Rikujtojani vetes vlerat e juaja

Nëse vetëbesimi i juaj lëkundet, reagimi më i mirë është ringjallja e tij. Në rast të ndonjë refuzimi bëjeni një listë të tipareve që ju bëjnë ju një person të shkëlqyer. Po ashtu, shkruajeni edhe një tekst të shkurtër pse ato cilësi janë të rëndësishme dhe pse të tjerët duhet t’i vlerësojnë ato.

 

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE