Shkolla ka rinisur dhe është me rëndësi që ju të gjithë të jeni të gatshëm për këtë vit të ri shkollor. Pa dyshim, librat, fletoret, lapsat kimik dhe ata grafik, si dhe pajisjet e tjera shkollore janë gjërat kryesore që ju nevojiten. Mirëpo, pastaj vijnë edhe disa gjëra të tjera që mund t’i merrni parasysh, në mënyrë që të keni fillim sa më të mbarë në shkollë. Në vijim e kemi prezantuar një listë të vogël të gjërave që ne besojmë se janë të dobishme dhe që ju do t’i çmoni.
UNAZË NDRIÇUESE ME KAPËSE
Që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19, mësimi online ka qenë mënyra primare për zhvillimin e orëve mësimore. Këtë vit shpresojmë që të gjithë nxënësit do të kenë mundësi që ta zhvillojnë mësimin në shkollë. Gjithsesi, prapë mund të ketë ditë kur duhet të punoni, të zhvilloni ndonjë projekt në grup, si dhe të takoni mësuesit e juaj në distancë. Për këto raste, por edhe për të bërë fotografi ‘selfie’, ose video incizime për TikTok ose YouTube, ju mund të përdorni një unazë ndriçuese e cila mund të kapet në telefon, tabletë ose laptop dhe e cila nuk kushton shtrenjtë (më pak se 10 euro).
NJË ORË ME ALARM
Telefonat janë shpërqendrues, posaçërisht kur doni të flini gjumë ose pas mesnatës, prandaj në vend të tyre përdoreni një orë me alarm për t’u zgjuar nga gjumi. Natyrisht, ka zgjidhje të shumta që nuk kushtojnë shtrenjtë, dhe ato vijnë edhe me shumë opsione shtesë si portat USB për të mbushur pajisjet tuaja, ose mundësinë që të zgjoheni me tingujt e radios suaj të preferuar – Radio K4.
NJË MBUSHËS MOBIL
Të gjithë e kemi provuar atë situatën kur bateria e telefonit harxhohet dhe ne duhet t’i telefonojmë ose dërgojmë ndonjë porosi dikujt patjetër. Mbushësit mobil janë një zgjidhje e thjeshtë për shmangien e këtyre situatave. Mund të mendoni se ata kushtojnë shtrenjtë, por në fakt me vetëm 15 euro ju mund të blini një mbushës mobil Anker. Ky është një mbushës i hollë, i përshtatshëm për udhëtim dhe është më i pëlqyeri i blerësve në Amazon, i cili i ka mbi 25.000 vlerësime me një notë mesatare 4,7 nga 5.
DËGJUESE PA TEL (WIRELESS)
Një tjetër artikull i mrekullueshëm për ta pasur që nga fillimi i vitit të ri shkollor janë dëgjueset pa tel. Tek e fundit, shumica prej jush dëgjoni muzikë në telefonin tuaj të mençur qoftë teksa ecni ose teksa jeni në autobusë për në shkollë. Prandaj, këto dëgjuese janë fantastike sepse kur jeni duke ecur në rrugë mund ta përdorni vetëm njërën, kurse kur jeni në një ambient më të sigurt, si në autobus ose në shtëpi duke pushuar ose duke i bërë detyrat, mund t’i përdorni të dyja. Teknologjia moderne na ofron modele të lira, por edhe të shtrenjta. Prandaj, varësisht nga buxheti i juaj gjeni ato që ju përshtaten më së miri.
APLIKACIONI NOTEBOOK
Të gjithë kanë nevojë për pak ndihmë për t’u organizuar dhe aplikacioni Notebook është vegla e përsosur për t’ju ndihmuar që t’i organizoni obligimet tuaja. Ai është në dispozicion për të dyja platformat e telefonave të mençur iOS ose Android dhe ju mund ta shkarkoni atë falas. Me këtë aplikacion për mbajtjen e shënimeve ju mund të krijoni lista të detyrave, të skanoni dokumente të rëndësishme, e madje edhe të skiconi ide kur jeni të frymëzuar. Krijoni fletore të ndryshme, në mënyrë që t’i gjeni projektet tuaja fare lehtë kur ju duhen ato.