SI TË KEMI AJËR MË TË PASTËR?

Komunikacioni dhe materiet e dëmshme të cilat lirohen nga djegia e lëndëve djegëse jo ekologjike janë ndotësit kryesor së ajrit.

 

Komunikacioni dhe materiet e dëmshme të cilat lirohen gjatë djegieve nëpër kaldaja janë dy armiqtë më të mëdhenj të ajrit në qytete, dhe rrjedhimisht edhe mushkërive tona. Kjo vërehet më së miri gjatë dimrit, kur frymëmarrja vështirësohet. Të gjithë e dimë se smogu me të cilin jemi mësuar në fakt është shumë i rrezikshëm për shëndetin tonë.

 

Gjatë verës cilësia e ajrit në qytete është shumë më e mirë se sa dimrit, pikësëpari sepse jemi në periudhën më të ngrohtë të vitit dhe niveli i djegies nëpër shtëpitë tona është më i ulët dhe së dyti dita është më e gjatë dhe rrezet e diellit i shkatërrojnë shumë prej materieve të dëmshme. Ndotja më e madhe është nga dhjetori deri në shkurt kur nuk ka mënyrë për t’i larguar materiet e dëmshme të cilat qëndrojnë në shtresat më të ulëta të ajrit, dhe rrjedhimisht përqendrimi i tyre rritet.

 

Mirëpo, përderisa pakësimi i numrit të veturave në rrugë dhe qarkullimi me biçikleta, në këmbë apo me transport publik, për të ulur emetimin e gazrave, sot është vetëm utopi, heqja e lëndëve djegëse jo ekologjike nga sistemet ngrohëse individuale në qytet duhet të bëhet një qëllim shumë i qartë.

 

Arsyet pse i shohim kaldajat si armiqtë tonë janë të shumta. Gjatë punës së tyre ato lirojnë “kokteje të materieve të dëmshme” të cilat përbëhen nga azoti, dyoksidi i sulfurit dhe dyoksidi i karbonit. Me këtë rast krijohen të ashtuquajturat grimcat e pezulluara, që janë më të vogla se 10 mikrometra, të cilat ngjasojnë me pluhurin dhe që janë të dëmshme për shëndetin kur thithen gjatë frymëmarrjes. Krahas metaleve të rënda që lirohen nga kaldajat e qytetit, këto të fundit janë fajtore edhe për emetimin e benzo-a-pyrenit një përbërje organike kancerogjene.

 

Qëllimi kryesor në të gjitha qytetet për përmirësimin e cilësisë së ajrit duhet të jetë zvogëlimi i emetimit të gazrave me efektin serë, shtimi i hapësirave që ngrohen me sisteme të ngrohjes qendrore të qytetit, zvogëlimin e numrit të kaldajave individuale përmes shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme, si dhe rritjen e shfrytëzimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme. Po ashtu, për hir të pastërtisë së ajrit duhet të mendojmë edhe për përparimin e sistemeve për menaxhimin e mbeturinave si dhe ujërave nga centralet elektrike.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE