5 PRIJËSIT MË TË FAMSHËM TË VIKINGËVE

 

Ndër tiparet dalluese të vikingëve është fakti se ata ishin luftëtarë dhe pushtues. Mirëpo, për shkak se shumica e të dhënave rreth tyre bazohen në këngët dhe baladat e vjetra vikingë dhe jo në dokumente të shkruara historike, e vërteta për vikingët qëndron diku në mes të fakteve historike, miteve dhe legjendave, të vërtetave dhe imagjinatës. Gjithsesi në këtë artikull ju ftojmë që të lexoni për disa prej prijësve më të famshëm viking.

 

Rollo: Sunduesi i parë i Normandisë (Francë)

Ky prijës viking, me origjinë daneze ose norvegjeze, filloi të udhëhiqte sulme në Francë në shekullin e 9-të. Në vitin 1911, sipas Traktatit të Traktati i Shën Claire-sur-Epte, Karli i Thjeshtë (Charles the Simple), Mbreti i Francës Perëndimore, i dha Rollos një pjesë të zonës që tashmë quhet Normandi (nga Northman’s Land – toka e Njerëzve Verior) në përpjekje që ta nxis atë për t’i mbrojtur ata nga pushtuesit e tjerë viking. Më vonë Rollo e zgjeroi kontrollin e tij mbi këtë rajon. Në vitin 1066, një prej pasardhësve të Rollos, Uilliami (William), Duka i Normandisë e udhëhoqi një pushtim të suksesshëm të Anglisë. Ai u bë i njohur si Uilliam Pushtuesi (William the Conqueror), dhe ai sundoi si Mbreti i Anglisë deri në vitin 1087.

 

 

Eriku i Kuq: Themeluesi i vendbanimit të parë nordik në Grenlandë

I lindur në Norvegji me emrin Erik Thorvaldsson, Eriku i Kuq e mori nofkën e tij për shkak të flokëve të tij të kuqe dhe mbase edhe karakterit gjaknxehtë. Pasi që babai i tij u dëbua nga Norvegjia për shkak se kreu vrasje, ai shkoi me familjen e tij në Islandë. Atje, edhe Eriku u akuzua për vrasje, andaj rreth vitit 982 ai lundroi më tutje në perëndim në një ishull të madh të panjohur të cilin më pas e pagëzoi me emrin Grenlandë, në përpjekje për të nxitur njerëz të tjerë që të lundronin atje. Disa vite më vonë, Eriku u kthye në Islandë dhe e organizoi një flotë prej 25 anijeve me kolonizues (vetëm 14 anije i mbijetuan udhëtimit), të cilët i krijuan dy vendbanime në vitin 986. Kjo koloni vazhdoi të ekzistonte deri në shekullin e 15-të kur erdhi deri të zhdukja e saj, e cila supozohet të ketë ndodhur për shkak të ftohjes së klimës dhe pakësimit të tregtisë.

 

Leif Eriksson: Arriti në Botën e Re 500 vjet përpara Kolombos

Në përgjithësi, ai konsiderohet të jetë evropiani i parë që ka shkuar në kontinentin e Amerikës Veriore. Madje, Leif e bëri këtë 500 vjet përpara Kristofer Kolombos. Besohet si ai ka lindur në vitin 970, dhe më pas kaloi në Grenlandë ku babai i tij, Eriku i Kuq e themeloi vendbanimin e parë nordik. Rreth vitit 1000, Leif lundroi në kërkim të një territori të cilin e kishte parë më parë Bjarni Herjolfsson nga Islanda, kur ai kishte lundruar jashtë kursit në rrugëtimin e tij drejt Grenlandës. Gjatë ekspeditës së tij, Leif arriti një zonë të quajtur Helluland (toka e gurëve të rrafshët), për të cilën historianët mendojnë se mund të ketë qenë Ishulli Baffin. Ai lundroi më tej në jug deri në një vend që e quajtën Markland (toka e pyjeve), që mendohet të ketë qenë Labradori i sotëm. Më pas vikingët e ngrenë një kamp në një lokacion që duhet të ketë qenë Newfoundland, dhe e eksploruan zonën, të cilën Leif e quajti Vinland (toka e verës) për shkak të rrushit dhe manaferrave që supozohet t’i kenë zbuluar atje. Leif u kthye në Grenlandë me ngarkesa të çmuara të drurit dhe për këtë arsye vikingë të tjerë vendosën që të shkonin sërish në këto toka, mirëpo Leif nuk u kthye më kurrë atje. Sidoqoftë, prania e vikingëve në Amerikën Veriore nuk zgjati shumë, sipas të gjitha gjasave për shkak të betejave me popullin autokton që ishin armiqësor ndaj tyre.

 

 

Knuti Madhështor: Mbreti Viking i Anglisë

I biri i Mbretit Danez Svein Mjekërpirunit (Svein Forkbeard), Knuti (Cnut ose Canute) e ndihmoi të atin e tij që të pushtonte Anglinë në vitin 1013. Sidoqoftë, kur Svein vdiq një vit më vonë, mbreti anglo-sakson në ekzil, Ethelred i Papërgatituri (Aethelred the Unready), u rikthye në pushtet. Ethelred vdiq në vitin 1016 dhe u pasua nga i biri i tij, Edmund Krahekuri (Edmund Ironside). Më vonë atë vit, Knut e mundi Edmundin në betejën e Ashingdon, dhe ky i fundit u detyrua që të nënshkruante një traktat që i jepte Knutit pushtetin mbi një pjesë të Anglisë. Sidoqoftë, vetëm pak javë më vonë, Edmondi vdiq dhe e tërë Anglia ra nën sundimin e Knutit. Sundimi i këtij të fundit solli stabilitet pas viteve të tëra të sulmeve dhe betejave. Me kalimin e kohës, edhe Danimarka, Norvegjia dhe disa pjesë të Suedisë ranë nën sundimin e Knutit, duke e formuar kështu një perandori jashtëzakonisht të madhe.

 

Harald Hardrada: Prijësi i fundit i madh i vikingëve

I lindur si Harald Sigurdsson në Norvegji në vitin 1015, që në moshën e adoleshencës ai luftoi në Betejën e Stiklestad, të cilën e zhvilloi gjysmë vëllai i tij Olaf Haraldsson, mbreti norvegjez në ekzil, në përpjekje për t’u kthyer në pushtet. Mirëpo, forcat e tij pësuan humbje, dhe vet Olaf u vra, kurse Haraldi shkoi në ekzil, duke përfunduar si mercenarë i Jarosllavit . të Mençur (Jaroslav the Wise), Princit të Madh të Kievit. Më pas Haraldi shkoi në Konstatinopojë ku iu bashkua Rojës së famshme Varangiane të Perandorit Bizantin. Pasi u pasurua dhe u kompletua si ushtarak, ai u kthye në Skandinavi aty nga mesi i viteve 1040. Pas disa viteve ai e mori kontrollin e plotë mbi Norvegjinë, vendosi paqe dhe hoqi dorë nga pretendimet ndaj Danimarkës dhe e përqendroi vëmendjen drejt Anglisë. Mirëpo, në Betejën e Stamford Bridge anglezët, nën udhëheqjen e mbretit Harold Godwinson, i mundën vikingët dhe vet Harald Hardrada u vra në betejë. Sidoqoftë, pas më pak se një muaj, pushtuesit nga Normandia nën udhëheqjen e Uilliam Pushtuesit i mundën anglezët në Betejën e Hastings në të cilën mbreti anglez Harold Godwinson mbeti i vrarë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE