NGA SUEDIA NË SPANJË – ‘MISIONI’ I KOSOVARE ASLLANIT NË REAL MADRID

Kosovare Asllani është një prej emrave të mëdhenj të futbollit evropian dhe botëror të femrave. Gjatë karrierës së saj të ndritur, ajo ka luajtur për ekipe si Paris Saint Germain, Manchester City dhe Chicago Red Star. Aktualisht, ajo është duke luajtur në klubin që ajo e do Real Madrid Femenino. Në vijim ju ftojmë që të lexoni artikullin që forbes.com e ka shkruar rishtas për të.

 

‘Galactica’ e parë e Real Madridit

“Kur isha e vogël, futbollisti që e adhuroja, ishte pa dyshim braziliani Ronaldo,” thotë Kosovare Asllani. “Ai luante për Real Madridin dhe për këtë arsye unë fillova që të ndiqja këtë ekip në fillim.” I votuar nga FIFA si klubi i shekullit, një minus në mesin e mbështetësve të trembëdhjetë herë kampionëve të Evropës, ishte fakti se Real Madridi vazhdonte të ishte një prej klubeve kryesore të kontinentit që vazhdonte të mos kishte një skuadër të femrave në futboll.

 

Në Ditën Ndërkombëtare të Grave në vitin 2019, një prej këtyre tifozëve, Asllani, e postoi një thirrje në mediat sociale duke pyetur pse ekipi që ajo e mbështeste nuk e kishte një skuadër të femrave. Katër muaj më vonë, ajo nënshkroi kontratë me CD Tacon, vetëm tri javë pasi që bordi i drejtorëve të Real Madridit e dorëzoi një propozim për të përvetësuar këtë ekip, që deri atëherë ishte i pavarur, dhe për ta kthyer atë në skuadrën zyrtare për femrat, një lëvizje e cila u miratua më 15 shtator 2019.

 

Asllani hyri në histori si lojtarja e parë që u ble pas përvetësimit në fjalë të klubit dhe e cila në përputhje me prirjen e Presidentit Florentino Perez për transferimet e emrave të mëdhenj (Galacticos), u bë e njohur si ‘Galactica’ e parë. “Nënshkrimi i kontratës me Real Madridin, pa dyshim ishte shumë i veçantë për mua” thekson Asllani, “sepse, unë e kam adhuruar këtë klub për aq shumë kohë, por në të njëjtën kohë ndjehesha sikur po e nënshkruaj edhe një letër të përgjegjësisë, sepse isha blerja e parë zyrtare e klubit.”

 

Transicioni nga CD Tacon në Real Madrid Femenino

Ndeshja e parë e CD Tacon në Ligën e Parë të Spanjës ishte kundër rivalëve të përhershëm Barcelonës. Ndeshja përfundoi me një fitore të thellë 9-1 të Barcelonës, dhe Asllani këtë e arsyeton me mungesën e përvojës. Kur sezoni 2019-2020 u ndërpre para kohe për shkak të pandemisë së COVID-19, CD Tacon kishte ngelur në mesin e tabelës me vetëm gjashtë fitore nga njëzetenjë ndeshje, kurse vet Asllani kishte shënuar vetëm pesë herë. Gjatë verës, klubi edhe zyrtarisht kaloi nën ombrellën e Real Madrid dhe më 1 korrik u riemërua Real Madrid Femenino. Në sezonin e ri, pas edhe një humbjeje tjetër nga FC Barcelona në ndeshjen e parë, kësaj here 4-0, Asllani hyri sërish në histori si shënuesja e golit të parë zyrtar në historinë e skuadrës për femra të Real Madridit (golat e mëparshëm janë shënuar nën emrin CD Tacon) në barazimin 1-1 me Valencian që u zhvillua në javën e dytë. Më pas erdhën edhe tetë gola të tjerë për Asllanin, teksa Real Madrid u ngjit në vendin e dytë në tabelë, pas Barcelonës, por përpara rivalëve të qytetit Atletico Madrid.

 

Krenare për prejardhjen e saj nga Ballkani

Asllani është krenuar gjithmonë për prejardhjen e saj nga Ballkani dhe ajo beson se kjo e bën atë një figurë më të afërt për femrat që kanë vështirësi që ta gjejnë vendin e tyre në shoqëri. “Prindërit kanë lindur dhe janë rritur në Kosovë. Unë kam lindur në Suedi, por gjithmonë e kam ndjerë se shumë prej vajzave të reja me prejardhje të ndryshme mund të marrin shembull nga unë, prandaj e kam ndjerë përgjegjësinë që të luftoj edhe për ato vajza dhe që ta vërtetojë se nuk ka rëndësi se prej nga vjen, dhe se ëndrrat e tyre mund të bëhen realitet.” Tani, Asllani dëshiron që t’i frymëzojë të tjerët “Në do të hapim rrugën për vajzat e reja që ëndërrojnë të luajnë për Real Madridin.”

 

Një luftëtare për barazinë gjinore

“Unë luftoj për të drejta të barabarta dhe barazi, prandaj me të vërtetë dëshirojë që ekipet më të mëdha të botës t’i kenë skuadrat e femrave dhe Reali i Madridit është klubi më i madh në botë. Ishte me rëndësi për mua, që edhe ata të bashkoheshin me të gjitha ekipet e tjera dhe të dëshmonin që ne e duam skuadrën e femrave, dhe që ne duam që ta kemi një skuadër të femrave të suksesshme.”

 

“Suedia ka qenë një shembull për tërë botën kur bëhet fjalë për të drejtat e barabarta dhe femrat që luajnë futboll. Ne jemi treguar të suksesshëm për kaq shumë kohë. Unë shoh potencial të pafund. Unë dua që të ndihmoj në rritjen e këtij sporti në një vend të dhënë pas futbollit si Spanja.”

Burimi: www.forbes.com

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE