Kompania Google ka ndihmuar në krijimin e hartës më të detajuar deri tani të lidhjeve në trurin e njeriut. Kjo hartë zbulon një sasi të mahnitshme të detajeve, duke i përfshirë edhe modelet e lidhjeve në mes të neuroneve, si dhe ato që mund të jenë lloje të reja të neuroneve.
Harta e trurit, e cila mund të qaset falas në rrjet, i përfshinë 50.000 qeliza dhe të gjitha ato janë paraqitur në pamje tri dimensionale. Ato janë të lidhura me qindra miliona kapilar në formë të rrjetave të merimangave, duke i krijuar kështu 130 milionë lidhje të quajtura sinapse. Sasia e të dhënave i ka gjithsejtë 1,4 petabajt, që përafërshit, është kapacitet 700 herë më i madh i memories nga ajo e një kompjuteri modern mesatar.
Ky projekt gjigand filloi kur një ekip i shkencëtarëve të Universitetit të Harvardit, i udhëhequr nga Jeff Lichtman, e mori një copë të vogël të trurit nga një grua 45 vjeçare e cila vuante nga një formë e epilepsisë që i bën rezistencë ilaçeve. Ajo iu nënshtrua operacionit për të hequr hippocampusin e majtë nga truri i saj, i cili ishte burimi i sulmeve epileptike. Për të bërë këtë, kirurgët u detyruan që të hiqnin edhe një pjesë të shëndoshë të trurit të saj, e cila ishte sipër hippocampusit.
Lichtman dhe ekipi i tij e zhytën këtë mostër menjëherë në materiale konzervuese, e lyen me metale të rënda si osmiumi, kështu që membranat e çdo qelize u bënë të dukshme nën një mikroskop elektronesh. Më pas ata e prenë në rriska në trashësi rreth 30 nanometra, që është një e njëmijta pjesë e flokut të njeriut, dhe me ndihmën së mikroskopit të elektroneve e fotografuan secilën rriskë.
Shkencëtarët theksojnë se kjo ishte vetëm një pjesë e vogël e trurit, gjegjësisht të dhënat e fituara janë mbledhur nga vetëm një milimetër kubi, gjegjësisht, një piksele në skanimet e rezonancës magnetike (MRI). Me këtë rast ekipi, po ashtu, ka gjetur çifte të neuroneve në thellësi të korteksit të cilat më parë nuk ishin vërejtur.