ÇKA ËSHTË AFANTAZIA?

 

Ekzistojnë njerëz të cilët thjesht nuk i imagjinojnë dot imazhet, për shembull teksa e lexojnë ndonjë vepër letrare. Për ata, përshkrimet e peizazheve dhe personazheve kryesore, nuk e luajnë asnjë rol. Në fakt, ata nuk e kuptojnë qëllimin e krijimit të imazheve të tilla mendore. Atyre nuk iu mungon imagjinata, apo idetë, por ata thjeshtë nuk mendojnë me imazhe.

 

Ky fenomen i të menduarit për ndjenjat dhe njerëzit pa fotografi u përkufizua në vitin 2015 si afantazia, mirëpo ai është vërejtur shumë më parë. I pari që e ka përshkruar atë është natyralisti (biologu) britanik Francis Galton, në një studim statistikor për imazhet mendore të botuar në vitin 1880.

 

Pse paraqitet afantazia?

Që nga punimi i Galton, ky fenomen mbeti kryesisht i pastudiuar deri në vitin 2005 kur profesorit Adam Zeman në Universitetin e Ekseterit (University of Exeter) iu drejtua një njeri i cili e kishte humbur aftësinë e vizualizimit pas një operacioni të vogël. Në vitin 2010, profesori Zeman e publikoi një punim shkencor në bazë të këtij rasti.

 

Shumë shpejt pas publikimit të punimit në fjalë, profesori Zeman u kontaktua nga një sërë personash të tjerë të cilët ankoheshin për paaftësinë e tyre gjatë tërë jetës që të vizualizojnë. Pesë vjet më vonë, në vitin 2015, Zeman dhe ekipi i tij e publikuan një punim tjetër shkencor në kuadër të të cilit edhe e krijuan termin “afantazia e lindur” duke e ringjallur kështu interesimin për këtë fenomen.

 

Në punimin e vitit 2015, u argumentua se afantazia është një gjendje e lindur. Kjo do të thotë se te personat e prekur nga kjo gjendje, funksionet konjitive zhvillohen ndryshe nga shumica e personave të cilët mbështeten në imazhe.

 

Profesori Zeman, po ashtu vërejti që personat që vuajnë nga ky fenomen nuk arrijnë të krijojnë imazhe vetëm me vetë dëshirë apo në mënyrë të vullnetshme. Mirëpo, afantazia nuk e prek aftësinë e tyre për të krijuar imazhe në mënyrë të pa vullnetshme, sikurse në rastin e ëndrrave. Me fjalë të tjera, edhe personat që vuajnë nga afantazia i shohin ëndrrat e tyre me imazhe sikurse çdo person tjetër.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE