POLICIA E KOSOVËS – NË SHËRBIM TË TË GJITHË NJERËZVE NË KOSOVË !

 

Në numrat e mëparshëm, ju prezantuam me pjesëtarë të ndryshëm të Policisë së Kosovës, të cilët na treguan për përvojat e tyre në shërbim të të gjithë njerëzve në Kosovë. Ata na thanë se vlerat themelore, si profesionalizmi, paanshmëria, integriteti, ishin çelësi për përmirësimin e punës policore. Këtë herë, ne biseduam me policët Fitore Kupina dhe Vlladica Stajiq për rëndësinë e vlerave themelore në punën e përditshme të policisë. Të dy janë policë të rinj, me dy vjet përvojë. Në fillim të bisedës, ata theksuan se policët janë gjithmonë të përkushtuar ndaj vlerave të tyre themelore, përkatësisht ndershmërisë, integritetit profesional dhe guximit.

 

Besimi dhe integriteti

Policja Fitore Kupina e filloi shërbimin e saj në vitin 2019. Ajo na tregon se ëndrra e saj ka qenë që të bëhej police dhe se ajo e do shumë punën e saj, dhe se është e përkushtuar shumë ndaj saj. “Profesioni im më pëlqen në shumë aspekte. Policia e Kosovës, në çdo kohë dhe në çdo vend, siguron që të gjithë njerëzit nga të gjitha komunitetet në Kosovë, të kenë mbështetjen e policisë sa herë që kanë nevojë. Policia e Kosovës, përmes vlerave të saj punon çdo ditë për të përmirësuar Kosovën dhe për ta bërë atë më të sigurt,” tha Fitorja. Kjo police e re ka shumë plane për të ardhmen. Ne e mësuam që ajo do të vazhdojë karrierën e saj në Policinë e Kosovës, sepse i ofron asaj mundësi për rritje personale, ngritje në detyrë dhe mbështetje për vazhdimin e arsimimit. Prandaj, ajo i porositë të rinjtë në Kosovë që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të punojnë me zell. Ajo shtoi që Policia e Kosovës i garanton të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë se do të jetë gjithmonë pranë tyre, në mënyrë që ata të ndihen të sigurt.

 

Parandalimi i akteve kriminale dhe guximi

Vlladica Stajiq, pajtohet me kolegen e tij. Aktualisht ai punon si oficer patrullimi, por, ashtu si Fitorja, ai është i sigurt se së shpejti do të përparojë në shërbim dhe do të arrijë gradë më të lartë. Nga ai mësuam që dashurinë për profesionin e policisë e ka trashëguar nga babai i tij. “Si fëmijë, ëndërroja të isha polic, kjo ishte dëshira ime djaloshare. Babai im është gjithashtu polic, prandaj vendosa që edhe unë të bëhem polic. Pjesa më e rëndësishme e këtij profesioni është që unë dhe kolegët e mi iu shërbejmë njerëzve, i ndihmojmë njerëzit, që është edhe qëllimi i policisë”, tha Vlladica. Sipas tij, policia e ka për qëllim të parandalojë krimin me çdo kusht. Kjo është arsyeja pse ndershmëria, integriteti profesional dhe guximi janë cilësitë e nevojshme që çdo polic duhet t’i posedojë. Sipas tij, ky profesion nuk është i lehtë, por në këmbim ofron kënaqësi dhe mbi të gjitha dashuri për profesionin.

 

“Kjo punë ndonjëherë mund të jetë e vështirë, por për shkak të dashurisë dhe pasionit për të, ne mund t’i tejkalojmë me lehtësi vështirësitë. Vetë prania jonë ngjallë besimin te njerëzit dhe ne jemi këtu për t’i ndihmuar të gjithë në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike”, theksoi Vlladica.

 

Fitorja dhe Vlladica thanë që edhe të rinjtë duhet t’i drejtohen vlerave të tilla si ndershmëria dhe përkushtimi. Ata, po ashtu, mendojnë që njerëzit në Kosovë duhet të caktojnë qëllime për të ndërtuar një të ardhme më të mirë së bashku. Ata edhe një herë na kujtuan se shoqëria kosovare është shumë e larmishme dhe se kjo është një nga karakteristikat e saj më të forta. Si policë, ata të dy janë të vendosur të jenë shembull dhe dëshmi se puna e përbashkët e bën çdo shoqëri më të fortë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE