
E premtja e 17 tetorit 2025, në kampin e KFOR-it Bondsteel në rrugën Ferizaj-Gjilan nisi me zhurmën e lehtë të frenave të autobusit para portës së këtij kampi. Pasi zbritën, fëmijët e English Language Corner nga Kamenica i përshëndetën nikoqirët e tyre, ushtarët e KFOR-it, me zëra të gëzuar, kureshtje, dhe buzëqeshje, që tregonin se ata ishin gati për të parë e për të prekur botën e sigurisë nga afër.
Stacioni i zjarrfikësve: fuqia e ujit në duart e vogla
Menjëherë pas prezantimit fillestar ndalesa e parë për këta vizitorë të vegjël stacioni i zjarrfikësve. Krahas shpjegimit të ritmit të punës së ekipeve të zjarrfikësve në emergjenca, fëmijëve iu dha mundësia që t’i provonin helmetat dhe të mbanin në duar zorrët e ujit. Teksa uji dilte me një “pshhht” të fuqishëm dhe vrushkulli i tij i drejtohej “zjarrit imagjinar,” ky stacion u mbush me zhurmën e ujit, spërkatjes dhe të qeshurat e këtyre vizitorëve të veçantë.
Me këtë rast togeri Norris Flanigan, komandant i njësisë K18 të LMT, në lidhje me qëllimin e këtyre aktiviteteve tha: “Mendojmë se është shumë e rëndësishme t’iu afrohemi fëmijëve, t’i bashkojmë dhe t’iu tregojmë që kujdesemi për ta. Besoj fuqishëm që fëmijët janë e ardhmja dhe fillimi i ri i Kosovës. Dhe kjo është një mënyrë e mirë për t’ua bërë e qartë se KFOR-i është këtu për të qëndruar pranë tyre. Pavarësisht nga vendi ku jetoni apo kush jeni, ne qëndrojmë pranë jush për ta mbajtur Kosovën të sigurt dhe të qëndrueshme. Le të qëndrojmë të qetë, të respektojmë njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme paqësore.”

Policia Ushtarake: nga gjurmët e gishtave te sirenat
Rruga vazhdoi drejt stacionit të Policisë Ushtarake. Këtu, fëmijët mësuan si merren gjurmët e gishtave, i provuan jelekët mbrojtës dhe radiot e komunikimit, u ulën në automjetet e PU-së, i ndezën sirenat dhe folën në altoparlantë, duke iu dhënë udhëzime imagjinare të “dyshuarve” të tyre. Kjo ishte nga ai lloj përvoje që kthehet në tregime për prindërit në darkë.
Togerja Arianna Torres, Shefe e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC) në Komandën Rajonale Lindje, nga ana e saj e ritheksoi se KFOR-i është këtu për paqe, për të gjithë, pa marrë parasysh se ku jetoni apo kush jeni. “Ne qëndrojmë pranë jush për ta mbajtur Kosovën të sigurt dhe të qëndrueshme. Le të qëndrojmë të qetë, të respektojmë njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme paqësore,” shtoi ajo.
K9: disiplinë që admirohet nga afër
Tek njësiti K9, rregullat ishin të qarta: pa kontakt të drejtpërdrejtë. Mirëpo, demonstrimi i përgatitur mjaftoi që sytë të shkëlqenin. Çdo komandë, çdo lëvizje e qenve, tregonte disiplinë dhe trajnim të lartë. Fëmijët qëndruan të heshtur disa çaste në një heshtje admiruese që thoshte shumë.

Spitali ushtarak: nga lesat e fushës te manekinët e ndihmës së parë
Më pas, ishte radha për të vizituar spitalin ushtarak. Disa prej fëmijëve u lidhën me rripa sigurie në lesat e fushës, të përshtatshme edhe për ngritje me helikopter, dhe u tërhoqën nga stafi mjekësor “drejt sigurisë”. Të tjerët i provuan manekinët e ndihmës së parë, duke mësuar si veprohet në një ndërhyrje bazike dhe si jepet ndihma e parë.
“Zana Kastrati dhe Liron Klaiqi dy nga nxënësit vizitorë u shprehën për ekipin tonë se kjo ishte një ditë e jashtëzakonshme për ta. Sepse ata e patën rastin që t’i shinin nga afër ushtarët e KFOR-it dhe pajisjet e tyre. Njëherit, ata e shprehën mirënjohjen e tyre ndaj KFOR-it që kujdeset për sigurinë tonë. Teksa Lironi shkoi edhe një hap më tej duke thënë se kur të rritet dëshiron të bëhet të bëhet ushtar, për t’i ndihmuar njerëzit dhe për të sjellë paqe.
Donjetë Latifaj, njëra nga përcjellëset dhe mësimdhënëset e English Language Corner tha: “ Gjithçka filloi pas një vizite të ekipit K18 të LMT në qendrën tonë. Besoj që të dy palët i kanë lënë mbresa të mira njëri-tjetrit, pasi që kërkesa jonë për vizitë në kampin Bondsteel, u miratua dhe ne jemi shumë mirënjohës për këtë mundësi. Kjo është një eksperiencë e jashtëzakonshme, pasi nxënësit jo vetëm që e panë çfarë bëjnë ushtarët, por mësuan edhe për departamentet e ndryshme, si zjarrfikësit, mjekët dhe policia ushtarake. Përgjithësisht kjo vizitë u ofroi nxënësve një përvojë të paharrueshme dhe njohuri që nuk fitohen lehtë.”
Për fund hamburgerë, hot-dogë, pije freskuese dhe kthimi në shtëpi
Dita u mbyll me hamburgerë, hot-dogë, pije dhe lojëra, një pushim i merituar pas gjithë emocioneve të ditës. Pastaj, rreshtimi i qetë drejt autobusit dhe kthimi për në shtëpi, me duart që ende “e ndjenin” peshën e pajisjeve dhe me veshët që ende “i dëgjonin” sirenat. Kjo vizitë nuk ishte thjesht shëtitje. Ishte përvojë: të shohësh, të mësosh dhe të provosh. Një mënyrë konkrete me të cilën KFOR-i, përtej detyrës së përditshme për një mjedis të sigurt, e ndërton besim dhe lidhje me komunitetin, duke i afruar fëmijët me realitetin e punës së përbashkët për paqen dhe sigurinë. Ngjarje si kjo e tregojnë përkushtimin e KFOR-it ndaj sigurisë, si brenda ashtu edhe jashtë bazës, përmes një aktiviteti ku loja dhe mësimi u takuan natyrshëm.