A DO TË SHKOJË MBAPPE NË MADRID APO JO?

 

Që nga depërtimi i tij në skenën botërore të futbollit si një adoleshent me klubin e Monakos, Kilian Mbape (Kylian Mbappe) është përcjellë vazhdimisht nga thashethemet se do të kalonte në Real Madrid. Rrjedhimisht, këto thashetheme çuan në krijimin e një prej sagave më të gjata, pasi që në çdo afat kalimtar të gjitha mediat botërore shkruajnë se Mbape pritet të kalojë në Madrid. Mbape tani është njëzetepesëvjeçar dhe pyetja në mendjen e të gjithëve është nëse në fund të këtij sezoni ai më në fund do të transferohet te Reali Madridi, klubi i tij i ëndrrave.

A do të jetë e treta e vërteta?

Nuk duhet harruar se në të kaluarën ishin dy momente kur Mbape e pati mundësinë që të kalonte në Spanjë, por nuk ishte e thënë. Momenti i parë ishte para shtatë vjetëve kur si tetëmbëdhjetëvjeçar ai kaloi nga Monako te PSG. Çmimi prej rreth 170 milionë euro që i duhej paguar Monakos për të siguruar shërbimet e tij dhe kërkesat për rrogën e tij mujore ishin arsyeja pse Real Madridi vendosi që të mos këmbëngulte për blerjen e tij, pasi që asokohe ky ishte një çmim tejet i lartë për një lojtar aq të ri dhe të padëshmuar, përkundër talentit të padiskutueshëm.

 

Momenti i dytë, ishte paksa më i bujshëm pasi që dy vjet më parë (në vitin 2022) Mbape ishte në fund të kontratës me PSG-në dhe mund të kalonte në Real Madrid si transferim i lirë. Ky transferim dukej si një punë e kryer aq shumë sa që, gjatë përballjes së famshme në ndeshjen e kthimit mes Real Madridit dhe PSG në Ligën e Kampionëve, përkundër se ishte ai që shënoi kundër Realit, tifozët madrilen vazhduan që ta brohorisnin emrin e tij. Pas eliminimit të PSG nga Reali, ndodhi ajo që nuk e priti askush – Mbape dhe PSG e dhanë lajmin e bujshëm se të dy palët kishin arritur një marrëveshje të re e cila e siguronte qëndrimin e Mbape në Paris edhe për dy vjet të tjera me një klauzolë e cila e krijonte mundësinë që Mbape të qëndronte aty edhe për një vit të tretë.

 

Përfitime ekonomike, por jo edhe prestigj

Sigurisht, kjo kontratë e re solli përfitime ekonomike të jashtëzakonshme për këtë talent të padiskutuar, të cilin shumë kush e vlerëson si pasardhësin më të denjë të dyshes Messi dhe CR7. Mirëpo, ajo që nuk i solli kjo kontratë Mbapes është trofeun e Ligës së Kampionëve as famën që kalimi në një ligë më prestigjioze se Ligue 1 e Francës do t’i sillte. Krahas kësaj, ndërrimi i mendjes në momentin e fundit solli deri diku edhe një dëmtim të imazhit të tij, pasi që në shumë qarqe ai filloi të konsiderohej si një lojtar të cilit i interesojnë vetëm paratë. Situatën e tij nuk e ka ndihmuar as fakti se Mbape vazhdimisht ka folur për dëshirën e tij që nga fëmijëria që të veshë fanellën e bardhë të Realit. Gjithsesi, paraqitjet e tij për PSG dhe kombëtaren e Francës, kush mund ta harrojë finalen e Kupës së Botës në Katar, bënë që ky veprim i tij të harrohej, por jo edhe dilema nëse Mbape do të kalonte te Reali.

Mbape i refuzon 70 milionë në vit

Tani që ai e ka arritur moshën njëzetepesëvjeçare është e qartë se kjo është mundësia e fundit që ai të sigurojë transferimin e ëndrrave. Për këtë arsye, në mënyrë shumë korrekte, që në fillim të këtij sezoni ai e njoftoi PSG-në se nuk do të aktivizonte klauzolën në kontratën e tij për të qëndruar edhe një vit tjetër. Ky njoftim i çoi në qiell spekulimet e mediave për të ardhmen e tij. Pa dyshim, PSG tentoi në çdo mënyrë që ta mbante Mbapen duke i ofruar atij një kontratë me rrogë vjetore shtatëdhjetë milionë euro neto. Mirëpo, kësaj radhe duket se Mbape e ka ndarë mendjen pasi që sipas raporteve të mediave sportive botërore edhe PSG e ka konfirmuar lajmin se Mbape nuk do ta rinovojë kontratën e tij me këtë klub.

 

Asgjë nuk është e sigurt

Tani mbetet të presim se ku do të përfundojë Mbape. Ndonëse gjasat më të mëdha janë që destinacioni i tij i radhës do të jetë klubi i tij i ëndrrave Real Madridi. Tek e fundit, sipas raporteve të panumërta nëpër media ky është klubi i vetëm për të cilin Mbape do të largohej nga qyteti i tij i lindjes dhe PSG. Mirëpo, raportimet nga gazetarët prestigjioz si Fabrizio Romano se oferta financiare aktuale e Real Madridit është më e ulët se në vitin 2022, e hedhin një fije dyshimi në përmbylljen me sukses të këtij transferimi. Sipas kësaj oferte, Mbape nuk do të ketë rrogë më të lartë se Bellingham dhe Vini Jr.

 

Arsyeja për një ofertë të tillë është që Real Madridi janë këmbëngulës se Mbape duhet të vendosë që të shkojë në Spanjë jo për paratë, por për hir të projektit sportiv që klubi madrilen janë duke e zhvilluar e që për momentin duket se nuk ka rival. Po ashtu, Mbape pritet që të përfitojë një bonus të majmë me rastin e nënshkrimit të kontratës, i cili përflitet se do të jetë rreth 130 milionë euro.

 

Një tjetër pikë problematike është dëshira e Mbape që të luajë me Francën në Lojërat Olimpike Paris 2024. Mirëpo, këtë dëshirë ai mund ta realizojë vetëm nëse punëdhënësi i tij i radhës e miraton këtë, një kërkesë kjo që PSG e ka miratuar në ofertën që Mbape tashmë e ka refuzuar. Ky është një problem pasi që Mbape do të jetë i angazhuar me kombëtaren franceze edhe në Kampionatin Evropian në Gjermani, që do të thotë se ai nuk do të jetë në dispozicion të klubit të ardhshëm për gati 3 muaj.

 

Kur kësaj ia shtojmë faktin se nëna e Mbape, e cila është edhe agjentja e tij, njihet si një negociatore e pa kompromis kur bëhet fjalë për të ardhmen e djalit të saj, është më se e qartë që e ardhmja e Mbape nuk është aspak e qartë deri në momentin që ai të bëjë të ditur se e ka nënshkruar kontratën me punëdhënësin e tij të ardhshëm. Deri atëherë, kjo sagë do të vazhdojë teksa pyetja – “A do të shkojë Mbape në Madrid apo jo?” – mbetet pa përgjigje.