“A DON ME FITU AFTËSI TË REJA?”

 

A don me fitu aftësi të reja? – Kjo është pyetja të cilën e shtron Projekti EYE (Enhancing Youth Employment) në një video të postuar ditë më parë në llogarinë e tyre zyrtare në Facebook. Ky postim përcillet me një video të shkurtër, në të cilën promovohen 63 pako të reja të trajnimeve të cilat janë zhvilluar me mbështetjen e Projektit EYE.

 

Në lidhje me këto trajnime të reja z. Alim Halimi, Senior Intervention Manager (Menaxher i Lartë për Ndërhyrje) në Helvetas, theksoi për Revistën FOR YOU se këto trajnime ofrohen për të gjitha grup moshat dhe për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Njëherit, ai i inkurajoi të gjithë pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë që të aplikojnë për këto trajnime, të cilat mund t’ua lehtësojnë atyre hyrjen në tregun e punës.

 

“Këto trajnime janë të gjitha me pagesë, dhe synojnë që t’u japin pjesëmarrësve aftësi të cilat për momentin po kërkohen në tregun e punës në Kosovë,” tha z. Halimi i cili vazhdoi më tej duke theksuar: “Në këtë link https://bit.ly/2JYn0QH mund të gjeni një listë të gjerë të ofruesve të trajnimeve në Kosovë. Aplikimi bëhet përmes sistemeve të aplikimeve të këtyre ofruesve individual apo duke i kontaktuar ata përmes telefonit dhe emailit. Nëse klikoni në logon e ofruesit të trajnimeve në atë listë ju do të kaloni direkt tek ueb faja/rrjetet sociale të tyre, ku mund të gjeni më shumë informata si dhe kontaktet e këtyre ofruesve. Roli i EYE është fasilitativ (lehtësues), pra në këtë rast, jemi duke u përpjekur që të rrisim vetëdijen mbi ofrimin e këtyre trajnimeve dhe mbi atë se çfarë ofrojnë këto trajnime.”

 

Po ashtu, z. Halimi i porositi të gjithë të interesuarit për vijimin e këtyre trajnimeve dhe sidomos të rinjtë se trajnimet afatshkurtra në Kosovë janë tejet të suksesshme në përgatitjen e të rinjve për t’u kyçur më shpejt në tregun e punës. Sipas tij, këto trajnime u ndihmojnë pjesëmarrësve që të ngrihen profesionalisht dhe të gjejnë punë: “Këto trajnime kanë përparësi të madhe sepse janë afatshkurtra dhe ato përfshijnë fusha të ndryshme, si p.sh: programim, IT, mekatronikë, dizajn grafik, pastiqeri, furrtari, saldim, përpunim të drurit, dhe shumë të tjera. Prandaj, i ftojmë të gjithë të rinjtë, dhe sidomos ata që janë duke kërkuar ngritje të aftësive në mënyrë që të gjejnë punë, që t’i shfrytëzojnë këto mundësi.”

 

Videon promovuese të këtyre trajnimeve mund ta shikoni më poshtë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE