A E DINI PSE THEMI “SHËNDET”?

 

Teshtitja është reagim i trupit tonë ndaj materieve ngacmuese në mukozën e hundës, mirëpo në kulturat e ndryshme nëpër botë ekzistojnë besëtytni të ndryshme për këtë.

 

Grekët, egjiptasit dhe romakët e vjetër besonin që teshtitja ishte shenjë e perëndive të cilat e zbulonin të ardhmen, gjegjësisht nëse ajo do të ishte e mirë apo e keqe.

 

Në mesjetë evropianët e shinin teshtitjen si një ogur të keq. Kjo vinte nga besimi se jeta ishte e lidhur me frymëmarrjen. Prandaj, për shkak se gjatë teshtimës lirohej një sasie e madhe e frymës njerëzit besonin që në ditët në vijim do të ndodhte diçka fatale.

 

Tek ne, kur dikush teshtinë i themi “shëndet”. Mirëpo, në zonat anglisht folëse thuhet “bless you” (qofsh i bekuar) dhe ekzistojnë disa tregime se përse urohet kështu. Sipas një versioni, Papa Gregori i Madh filloi të thoshte kështu gjatë murtajës, me shpresën që njerëzit nuk do të vdisnin pas teshtitjes.

 

Sipas një mendimi tjetër, dikur njerëzit besonin se gjatë teshtitjes njerëzit e nxirrnin shpirtin e tyre jashtë trupit, dhe urimi qofsh i bekuar e mbronte shpirtin e tyre nga prekja e djallit.

 

Një tjetër besëtytni në lidhje me teshtitjen është se gjatë bisedave dikush teshtinë, ajo që është thënë konsiderohet si e vërtetë absolute.

 

Në vendet e Azisë lindore besohet që kur teshtijmë do të thotë se dikush është duke folur për ne. Madje, numri i teshtimave e përcakton edhe çka flitet. Kështu, një teshtimë do të thotë se po flasin diçka mirë, dy teshtima do të thotë se dikush po flet keq për ju. Tri teshtima do të thotë se po flet për ju dikush që ju dashuron kurse katër teshtima do të thotë se diçka e keqe do t’ju ndodh ju dhe familjes suaj.

 

Në kulturën polake besojnë se kur teshtini vjehrra është duke folur keq për ju. Kurse, nëse nuk jeni i martuar, do të thotë se nuk do të shkoni mirë me vjehrrën e ardhshme.

 

Në kulturën italiane, një mace që teshtinë sjell fat. Për të besohet se e largon fatin e keq dhe sjell begati. Kurse, nëse një nuse e dëgjon një mace të teshtijë në ditën e saj të martesës kjo është shenjë që ajo do të ketë një martesë të lumtur.

 

Në Indi, teshtitja përpara se të shkohet në punë ose gjatë daljes nga shtëpia konsiderohet si diçka e papërshtatshme. Sipas traditës në këtë rast duhet të ndaloni dhe të pini pak ujë për të shmangur fatin e keq.

 

Në shumë kultura, besohet që teshtitja në periudhën në mes të mesditës dhe mesnatës është ogur i mirë, përderisa në disa kulture të tjera ky është një ogur i keq.

 

Në disa raste të tjera, njerëzit besojnë që nëse teshtini teksa jeni duke u veshur, atë ditë do të ndodh diçka e keqe. Ogur i mirë është edhe nëse gjatë teshtitjes e ktheni kokën në të djathtë. Kjo do të thotë që atë ditë do të keni fat. Kurse, nëse e ktheni majtas – do t’ju ndodh diçka negative.

 

Po ashtu, besohet se perënditë janë të lumtura nëse dy persona teshtijnë njëkohësisht.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE