A E DINI SI PRODHOHEN ÇAMÇAKËZËT?

 

Që nga shpikja e tyre në fund të shekullit të 19-të, çamçakëzët bëjnë pjesë ndër artikujt më të kërkuar nga fëmijët, por edhe të rriturit. Madje në vitet e fundit marka të caktuara i prodhojnë dhe i shesin çamçakëzët e tyre si artikuj ideal për mirëmbajtjen e higjienës orale, qoftë për aromën e frymës, qoftë për pastrimin e dhëmbëve pas ushqimit. Duke e pasur parasysh popullaritetin e tyre shtrohet pyetja: A e dini si prodhohen çamçakëzët?

 

Në fillim pak histori

Besoni apo jo, në fillim të shekullit të 20-të çamçakëzi e bëri William Wrigley Jr. një ndër njerëzit më të pasur në Amerikë. Wrigley e filloi karrierën e tij si shitës i sapunit. Për t’ i nxitur shitësit që t’i shisnin produktet e tij ai u jepte atyre një kuti me sodë për pjekje për çdo porosi. Mirëpo, kur soda për pjekje u bë më e kërkuar se sapunët ai filloi të shiste sodë për pjekje, kurse çamçakëzët falas i shtoi si nxitje për promovimin e produktit të tij.

 

Wrigley filloi të prodhonte çamçakëz që në vitin 1893 kur edhe i lansoi dy markat tashmë të njohura Juicy Fruit dhe Wrigley’s Spearmint. Mirëpo, në vitin 1928 ishte Walter Diemer, i cili punonte për Frank Fleer (një konkurrent i Wrigley), ai që e shpiku formulën për prodhimin e çamçakëzit të parë komercial, i cili u quajt Dubble Bubble. Që aty, çamçakëzi u përhap si artikull konsumi që u pëlqye nga miliona njerëz në mbarë botën dhe i cili vazhdon që të pëlqehet edhe sot e kësaj dite.

 

Si prodhohen çamçakëzët?

Prodhimi bazohet në materiale sintetike, në mesin e të cilëve përfshihen një përzierje e plastifikuesve, rrëshirë, elastomerë dhe aditiv të tjerë, shumë prej të cilëve fitohen nga derivatet e naftës. Shprehur në terma të thjeshtuar çamçakëzi është gomë dhe plastikë.

 

Sigurisht, nuk mjafton që këto materiale vetëm të përzihen. Fillimisht e tërë përzierja duhet të pastrohet mirë, pastaj shtohen ëmbëltuesit në formën e sheqerit ose dekstrozës, shijet e ndryshme, aditivët për shije dhe natyrisht edhe ngjyra ushqimore. Më pas kjo masë ngrohet dhe përzihet mirë derisa nuk bëhet homogjene dhe elastike.

 

Sikur kjo të mos mjaftonte, masës i shtohet edhe dyllë

Duhet theksuar që çamçakëzët përmbajnë edhe “lanolin”, i cili është një materie e dyllit që fitohet nga leshi i dhenve. Kjo substancë nuk është e rrezikshme për shëndetin, por gjithsesi nuk është as e shijshme. Përndryshe lanolini është dyllë i cili përfitohet nga larja e leshit të dhenve. Ai është burim i aditivit, dhe pikërisht ai është arsyeja pse çamçakëzët janë të butë. Krahas kësaj lanolini përdoret rregullisht edhe si përbërës i prodhimeve kozmetike.

 

Mit apo e vërtetë?

Një tjetër pohim interesant për këtë artikull është që në vitin 1911 çamçakëzi i thjeshtë është përdorur për të shpëtuar një avion nga rrëzimi gjatë fluturimit. Sipas legjendës me ndihmën e çamçakëzit inxhinierët britanik kanë arritur që ta mbyllin një vrimë në motorin e avionit për të shmangur tragjedinë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE