ADOLESHENTËT E KANË GJETUR MËNYRËN SI TË NGATËRROJNË ALGORITMET E INSTAGRAMIT PËR GJURMIM

 

Algoritmet e gjurmimit, të cilat gjenden pothuajse në secilën faqe të interneti ose aplikacion që përdorim sot, kanë avancuar aq shumë sa që është bërë shumë e frikshme sa të sakta mund të jenë.

 

Të gjithë kemi patur situata kur aplikacione si Instagrami ose Facebook-u fillojnë të shfaqin postime rreth njerëzve ose produkteve dhe na japin përshtypjen se dikush ka lexuar mendjen tonë apo edhe është duke dëgjuar bisedat tona. Megjithatë, e vërteta është se masa të tilla drastike nuk janë të nevojshme thjesht për shkak të ndërlidhjes së platformave dhe algoritmeve gjurmuese.

 

Si gjithmonë, ka njerëz që janë të aftë dhe me kreativitet të madh dhe të gjejnë truke dhe zgjidhje të reja për çdo problem. Një zgjidhje e tillë është përdorimi i llogarive në grup nga adoleshentët për të mbushur Instagramin me të dhëna të rastësishme të përdoruesve që nuk mund të lidhen me një person të vetëm.

 

Në konferencën e hakerëve të vitit 2020 ‘Shmoocon’, adoleshentja Samantha Mosley së bashku me babain e saj, Russell Mosley, mbajtën një prezantim se si i mbanin adoleshentët llogaritë e tyre private nga Instagrami. Sa herë që ajo shtypte dhe rifreskonte skedën “Eksploro”, aty shfaqej një temë tërësisht tjetër, për të cilën ajo nuk ishte e interesuar. Kjo për shkak se Mosley nuk ishte personi i vetëm që përdorte këtë llogari — ajo i përkiste një grupi miqsh të saj, të paktën pesë prej të cilët mund të jenë të kyçur në çdo kohë të caktuar. Ndoshta ata nuk mund të fshehin gjurmët e tyre të të dhënave, por ata të paktën mund të lënë qindra pas për të ngatërruar gjurmuesit. Këta adoleshentë po mbështeten në një rrjet të sofistikuar të përdoruesve të besuar të Instagramit për të postuar përmbajtje nga shumë kompjuterë të ndryshëm, nga shumë lokacione të ndryshme.

 

Nëse keni dashur të ngatërroni Instagramin, ja si mund ta bëni atë.

Së pari, krijoni llogari të shumta. Ndoshta veçse keni një llogari Instagrami të dedikuar për ju dhe miqtë, ose një tjetër vetëm për hobi. Mundësoni dikujt në të cilin keni besim qasje në një nga këto llogari me rrezik të ulët. Më pas kërkoni rivendosje të fjalëkalimit dhe dërgoni linkun te miku i besuar, i cili do të kyçet (identifikohet) nga një kompjuter tjetër. Rivendosja e fjalëkalimit nuk i përfundon (pengon) sesionet në Instagram, që do të thotë se edhe ju e edhe personi i dytë do të keni mundësi të përdorni të njëjtën llogari në të njëjtën kohë.

 

Më në fund, duke bërë që dikush tjetër të postojë foto, Instagrami rrëmben meta të dhënat nga një kompjuter tjetër nga i cili nuk ka pasur kyçje. Përsëriteni këtë proces me një rrjet prej, të themi, njëzet përdoruesve në njëzet lokacione të ndryshme me njëzet kompjuterë të ndryshëm? Me këtë, ju veç po i ofroni Instagramit një koktej mjaft ngatërrues të të dhënave. “Mund t’ju thonë si: “Hej, keni postuar nga ky vend për hamburgera në Gjermani, ndoshta ju pëlqen Gjermania, ose hamburgerët, ose udhëtimi; thjesht, do të shfaqim krejt çka mundemi përpara jush”, tha Mosley. “Ne fillojmë të mendojmë se kush po i dërgon këto dhe në cilën llogari. Ndoshta një javë i dërgoj këto në shtatëmbëdhjetë llogari, e javën tjetër vetëm në katër.” Facebook-u tha se kjo metodë nuk ishte kundër politikave të tij, por nuk ua rekomandoi njerëzve për shkak të çështjeve që ndërlidhen me sigurinë.

 

Çka është ShmooCon?

ShmooCon është një konventë amerikane e hakerëve e organizuar nga The Shmoo Group. Zakonisht mbulohet me dyzet bashkëbisedime dhe prezantime të ndryshme për një sërë temash që lidhen me sigurinë kompjuterike dhe kulturën kibernetike. Shmoocon mbështet shkëmbimin e lirë dhe të hapur të informacionit dhe ata duan të nxisin shkëmbimin e ideve midis pjesëmarrësve dhe të mendojnë se komuniteti përfiton nga gjithëpërfshirja. ShmooCon 2021 nuk u mbajt për shkak të pandemisë Covid-19.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE