ALBIN ELSHANI – TOPI KA QENË PASIONI IM QË NË FËMIJËRI

“Quhem Albin Elshani, kam lindur më 30 Mars të vitit 2002 në Prizren dhe sapo e kam përfunduar shkollën e mesme në gjimnazin Gjon Buzuku në qytetin tim të lindjes,” kështu i përgjigjet kërkesës sonë për ta prezantuar veten ky djalosh 18 vjeçar. Ndonëse prezantimin e tij e bën thjeshtë dhe me modesti, Albini është ndër ata fatlumët i cili që në fëmijëri e ka gjetur pasionin e tij. Ky pasion është topi, gjegjësisht loja e bukur e futbollit. Adhuruesit e futbollit mbase e njohin më mirë falë videove të tij në Youtube ku ai driblon dhe luan me topin në atë që njihet si “Freestyle”. Mirëpo, nëse keni dëshirë që të mësoni më shumë për këtë djalë të talentuar ne ju ftojmë që ta lexoni intervistën në vijim.

 

Si ke filluar të merresh me futboll?

Fillimisht futboll kam luajtur me shokët. Pastaj duke e parë që të luajturit futboll më bënte të ndihesha mirë si dhe falë rekomandimeve që të filloja me stërvitje më serioze, vendosa që të regjistrohesha në një shkollë futbolli. Që atëherë nuk jam ndalur asnjëherë dhe kam zhvilluar stërvitje disa herë gjatë javës.

 

Na e trego pak rrugëtimin tënd në futboll – në cilin klub ke filluar të stërvitesh dhe ku stërvitesh tani?

Mbaj mend që për herë të parë kam filluar të stërvitem në klubin “FC WINNER” në Prizren, duke vazhduar pastaj edhe në klube të tjera. Aktualisht stërvitem në klubin Liria në Prizren.

 

Në cilën pozitë të pëlqen ë luash dhe pse?

Të qenët lojtar i mirë futbolli do të thotë të jesh i mirë në të tri pozitat (sulm, mesfushë dhe mbrojtje). Mua më pëlqen pozita e mesfushorit, pasi që njëkohësisht mund të inkuadrohem si në mbrojtje edhe në aksionet drejt portës kundërshtare. Mirëpo, edhe në pozitën e sulmuesit ndjehem mirë dhe i sigurt. Kohëve të fundit më është caktuar kjo pozitë dhe po e mbaj me dëshirë dhe përkushtim të madh.

 

Sa e vështirë është që të merresh me sport dhe të vazhdosh shkollimin e rregullt?

Është e vështirë, mirëpo me vullnetin e madh për të luajtur futboll, kam arritur që të mos e ndjej lodhjen dhe të jem i rregullt dhe të kem sukses edhe në shkollë.

 

A ke pasur ndonjë provë me ndonjë klub jashtë Kosovës?

Vitin e kaluar kam qenë në Hannover, Gjermani. Pas provave jam pranuar që t’i vazhdoj trajnimet në një akademi profesionale futbolli atje. Në ndërkohë unë jam regjistruar në fakultet në Zvicër. Prandaj, vitin e ardhshëm shkollor, nëse gjithçka shkon mirë, karrierën time do ta vazhdoj në Zvicër.

 

Sa orë në ditë dhe sa ditë në javë ia kushton stërvitjeve?

Gjatë ditëve që kam pushim nga trajnimet në klub unë ushtroj në shtëpi. Kjo do të thotë se unë ushtroj pothuajse çdo ditë të javës. Orarin nuk e kam të caktuar, mirëpo kohën më të madhe të ditës e kaloj duke ushtruar futboll.

 

Cili është kujtimi yt më i mirë nga karriera e jote e deritanishme në futboll?

Çdo lojë që e kam realizuar mbetet si kujtim i veçantë për mua. Padyshim, rastet kur e kam ndihmuar ekipin tim të fitoj, janë ato që më bëjnë më tepër krenar. Edhe eksperienca ime në klubin gjerman në Hannover, mbetet një kujtim shumë i mirë për mua.

 

Si ke filluar t’i praktikosh shkathtësitë në “Freestyle” dhe sa janë ato të dobishme në fushë gjatë një loje të futbollit?

Duke parë video të ndryshme në Youtube, dhe pastaj duke provuar ti bëj vetë, e kam kuptuar që edhe unë jam i zoti t’i praktikoj ato. Në fakt, në futboll është e rekomandueshme që të mos driblosh shumë me topin, vetëm në raste të veçanta. Tek e fundit futbolli është sport ekipor dhe gjatë lojës duhet t’i inkuadrosh edhe shokët e tu të skuadrës.

 

Si ka ndikuar COVID-19 në rutinën dhe planet për të ardhmen e afërt si sportist?

Në fillim të pandemisë, me ndalimin e mbajtjes së stërvitjeve me trajnerin, rutina ime ishte paksa e çrregulluar. Mirëpo, edhe atëherë nuk ndaloja së stërvituri i vetëm në shtëpi. Gjatë pandemisë më shumë kam praktikuar lëvizje në Freestyle të cilat pastaj i kam xhiruar dhe i kam ngarkuar online. Ato janë pritur shumë mirë nga audienca.

 

Cili është lojtari dhe klubi yt i preferuar?

Lojtari im i preferuar është Lionel Messi, kurse klubi është Barcelona. Më pëlqen shumë lidhja e lojës nga lojtarët e këtij klubi. Janë fenomenal me topin.

 

Cila është porosia jote për të rinjtë e Kosovës?

Një gjë që e bën me dëshirë, nuk do të ndjesh kurrë lodhje. Ndiqni ëndrrat e juaja dhe mos u dorëzoni kurrë. Padyshim, mundi i juaj do të shpërblehet, dhe të gjithë ata që punojnë për atë që duan, në fund do të dalin fitimtarë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE