Çka është Alexa? Nga vjen ajo? Si funksionon?
Shumë njerëz e kanë një ide se çka është Alexa, por ende nuk e kuptojnë saktësisht se si funksionon asistenti virtual. Alexa është zëri i qasshëm përmes pajisjeve Echo. Sidoqoftë, asistenti virtual i Amazon nuk është vetëm një incizim. Në këtë udhëzues do t’ju shpjegojmë se nga vjen Alexa, saktësisht se si funksionon Alexa, si e mori emrin, dhe më shumë.
Kush/çka është Alexa?
Për shumicën e njerëzve, gjithçka që duhet të dini me të vërtetë për Alexa është se është emri i zërit që del nga altoparlantët e mundësuar nga Alexa. Në thelb, Alexa është për Amazon atë që Siri është për Apple. Alexa është një zë të cilit mund t’i bëni pyetje dhe e cila ju përgjigjet, p.sh. “Si është moti sot në Çikago?” Alexa është integruar në shumë prej shërbimeve të Amazon dhe mund të përdoret me produktet si Amazon Echo origjinale, Echo Dot, Echo Spot, Echo Show ose Amazon Fire TV. Kur i bëni një pyetje Alexa-së, ajo që po bëni është po komunikoni me një shërbim të bazuar në cloud. Amazon ka dizajnuar Shërbimin me Zë Alexa (AVS) për të imituar biseda të vërteta, por në të vërtetë jeni duke përdorur komanda intuitive zanorë për ta bërë këtë shërbim të kryejë detyra specifike. “Alexa” është thjesht “fjala e zgjimit” që paralajmëron shërbimin që të fillojë ta dëgjojë zërin tuaj. Për shumicën e pajisjeve, thjesht duhet të thuash fjalën e zgjimit për ta marrë një përgjigje.
Pse Alexa?
Apple e ka Siri. Google Home e ka Asistentin e Google, i cili gjallërohet kur thua “OK, Google”. Amazon e ka Alexa. Por pse? Emri “Alexa” u zgjodh për disa arsye. Së pari, emri “Alexa” i ka fillet në Bibliotekën e Aleksandrisë, e cila u përpoq ta mblidhte tërë njohurinë e botës. Amazon po përpiqet ta bëjë të njëjtën gjë. Alexa gjithmonë mëson, por në teori, duhet të jetë një burim i pandërprerë i informatës. Më praktikisht, shërbimi u emërua Alexa sepse përmban tingullin e pazakontë “X”. Meqenëse ky shërbim aktivizohet me zë, Amazon donte ta zgjidhte një emër që nuk do të ngatërrohej me fjalët tjera që mund të zgjonin aksidentalisht pajisjen.
Ku mund ta përdor Alexa-në?
Për të përdorur Alexa, ju duhet një pajisje që integron teknologjinë e zërit. Kjo zakonisht do të thotë një pajisje Amazon, si Echo, Echo Dot ose Echo Show, por ky asistent personal i zërit me bazë në ‘cloud’ është integruar gjithashtu në Echo Auto dhe me disa sisteme të palëve të treta. Alexa është bërë edhe qendra e shumë sistemeve të shtëpive inteligjente.
Çka mund të bëjë Alexa?
Lista e komandave që Alexa mund t’i kuptojë duket se rritet çdo ditë. Amazon i quan këto “shkathtësi”. Pas shqyrtimit nga Amazon, ju mund t’i publikoni shkathtësitë tuaja në Dyqanin e Shkathtësive të Amazon ashtu që njerëzit tjerë t’i përdorin në pajisjet e tyre Alexa.
Numri i detyrave që Alexa mund t’i kryejë është i madh. Ju mund të bëni pyetje dhe Alexa ka aftësinë për të vendosur “rutina”, ku një komandë e vetme që e vendosni, p.sh. “Alexa, natën e mirë” i fikë dritat, e kyçë derën e përparme, e aktivizon alarmin për kohën që e caktoni, dhe e cakton kohën e ndezjes së ibrikut të kafesë. Rutinat vazhdojnë të përmirësohen gjithashtu, dhe tani Alexa mund t’i ndezë dritat, të presë 10 minuta dhe më pas ta ndezë ibrikun e kafesë. Nëse nuk doni ta zgjoni partnerin tuaj, Alexa ka mënyrën e pëshpëritjes, ku ajo do t’ju pëshpëritë dhe i kupton pëshpëritjet tua. Mund të mësoni si t’i vendosni rutinat në postimet tona “qysh me?”.
Amazon po ia shton Alexa-së aftësi të reja pothuajse çdo ditë, me më shumë shkathtësi dhe kompatibilitet të pajisjeve. Nëse doni të mësoni më shumë rreth Alexa, gjithçka që duhet të bëni është të pyesni: “Alexa, çka ka të re me ty?” dhe ajo me gjithë qejf përgjigjet.
Burimi: Trendet digjitale