Adhuruesit e filmit e njohin mjaft mirë emrin e Amos Muji Zaharias, pasi që tash sa vite ai ka marrë pjesë në realizimin e disa sukseseve kinematografike si “Der Albaner”, “The Last Wish” dhe së fundmi “The Legend of the Cane”. Mirëpo, pas pjesëmarrjes së tij në edicionin e dytë të Big Brother Albania VIP 2, emri i tij u bë i njohur në çdo shtëpi shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Loja e tij në shtëpinë më të madhe në Shqipëri mbase ka përfunduar, por paraqitja e tij e ka nxitur një reagim tejet pozitiv te publiku, dhe përshtypja e përgjithshme është se rrugëtimi i tij nga kjo shtëpi sapo ka filluar.
Në vijim ne ju ftojmë që përmes intervistës ekskluzive që e kemi zhvilluar me Amosin të mësoni pak më shumë për të. Sepse, përkundër përcjelljes nga kamerat 24/7 ai ka arritur që të ruajë një dozë të shëndetshme të misterit që e ngacmon edhe më tepër kureshtjen e publikut.
Si do ta përshkruaje Amos Muji Zaharian?
Si një njeri në kërkim të perëndisë.
Keni thënë se ju pëlqejnë aktorët metodik. Cili është procesi i juaj i përgatitjes për rolet?
Zakonisht kur e marr përsipër një rol, në mënyrë automatike filloj e mendoj non-stop për të. Gjëja e parë që e bëj është të mësoj tekstin përmendësh, pa asnjë nuancë interpretimi, thjeshtë përmendësh. Pasi ka kaluar kjo etapë, fillon metamorfoza, që në fakt është procesi më i bukur. Ai hulumtimi në botën e një personazhi që fillon dhe merr jetë brenda teje, ato pasionet, dëshirat dhe pasiguritë e njeriut X. Sfidat dhe pengesat me të cilat përballet, ëndrrat, iluzionet, etj… Dhe kur roli është gati, aty më pas e harroj çdo gjë, e lë veten në duart e nënvetëdijes.
Cilat janë tri projektet më të rëndësishme në karrierën tuaj?
Unë të gjitha projektet me të cilat angazhohem i shoh shumë të rëndësishme sepse u kushtoj kohë nga jeta ime, dhe koha është flori! Por, për nga rëndësia dhe arritja profesionale do të cilësoja: “Der Albaner”, “The Last Wish” dhe së fundmi “The Legend of the Cane”.
Cili është më i dashur për ju – filmi apo teatri?
Filmi ka qenë kontakti im i parë me aktrimin, dhe natyrisht është dashuria ime e parë, megjithatë, teatri është tempulli i aktrimit.
Si vendosët të merrni pjesë në BB VIP 2?
Ishte një eksperiencë unike, ishte një sfidë që unë e pata me veten time, pashë gjithashtu ndikimin që e krijoi edicioni i kaluar dhe vendosa ta shfrytëzoj.
Pasi u bëre pjesë e BB VIP, e vure në dyshim këtë vendim dhe sa ndikoi kjo në paraqitjen tuaj?
Nuk besoj që ka ndikuar për keq, edhe pse për fat të keq, portalet që jetojnë për klikime bëjnë tituj qesharak për të marrë vëmendje. Besoj se kam qenë disi i keqkuptuar, dhe i keq menaxhuar nga ata të portaleve. Sido që të jetë, ata që e kanë ndjekur BB sistematikisht dhe jo nga TikToku, më kanë respektuar dhe vlerësuar, dhe për këtë u jam shumë mirënjohës.
Tri momentet kyçe në jetën tuaj?
Momenti i parë kyç ka qenë pjesëmarrja në filmin “Shenjtorja”, sepse ai film u bë faktor që t’i futesha rrugës së aktrimit përjetë. Një tjetër moment kyç ka qenë kur vendosa të jetoja vetëm. Më pëlqente pavarësia, dhe dëshira për t’ia dalë vetë në jetë, kjo më ka rritur shumë. Ndërsa, një moment tjetër ka qenë mbase ardhja në jetë e Geraldinës se vogël, mbesës sime. Ishte, është, dhe do të vazhdojë të jetë një dhuratë shumë e bukur.
Në filmin Shqiptari (Der Albaner) keni luajtur bashkë me nënën tuaj. Si ishte kjo përvojë profesionale?
Është e vërtetë që kemi qenë në një shesh xhirimi, por fatkeqësisht nuk e kishim asnjë skenë bashkë, gjithsesi, thjeshtë prania e saj në shesh xhirim ma dyfishonte ndjenjën e përgjegjësisë.
Roli që ju pëlqen më shumë?
Roli që më duket më i realizuari për momentin është roli i Jakut tek Legjenda e Bastunit. E them këtë sepse është një rol shumë kompleks dhe ka transformime gjatë rrugës.
Cili është roli i ëndrrave?
Një Hamlet mbase, në version filmik.
Cila është humbja më e madhe në jetë?
Gjëja e parë që më vjen në mendje është largimi nga kjo botë e familjarëve të mi, që zoti u dhëntë jetë dhe begati, jo vetëm familjes sime, por të gjithë njerëzve pavarësisht racës, ngjyrës, apo flamurit. Jemi njerëz në fund të ditës, dhe me dashuri dhe mirëkuptim mund të bëhemi edhe më të mirë.
Cila është fitorja më e madhe në jetë?
Besoj që të fitosh veten është arritje e madhe. Kur them të fitosh veten, e kam fjalën pikë së pari për të njohur veten e më pas për ta zotëruar atë. Kur e fiton veten, bota bëhet një fushë lojë shumë e këndshme.
Cila është këshilla më e mirë që ua kanë dhënë ndonjëherë?
E rëndësishme në jetë është që të ecësh përpara, shpejt apo avash, pak rëndësi ka, e rëndësishme është që të ecësh.
Nëse do të mund të riktheheshe nga fillimi çka do të ndryshoje?
Unë e kam pasur një jetë me ulje e ngritje. Kam përballuar sfida në jetë, e gjithashtu kam pasur momente të bukura dhe të qeta. Jam i lumtur me vendimet që i kam marrë, por nëse do të kisha mundësi ta ktheja kohën prapa, mbase do të kishte qenë që të shfrytëzoja disa raste që më janë dhënë në një mënyrë më të pjekur.
Nga kush keni mësuar më së shumti?
Nga librat, filmat autor, nga familja dhe mbi të gjithë, nga vetë jeta.
Kush është partneri profesional më i mirë me të cilin keni punuar?
Kam pasur fatin që të punoj me disa nga ikonat e teatrit dhe filmit në Shqipëri si: Agim Qirjaqi, Birçe Hasko, Roland Trebicka, Fatos Sela etj… E konsideroj veten me shumë fat që e kam pasur nderin që të punoj me ta, dhe puna që e kam pasur me gjithsecilin prej tyre ka qenë një shkollë më vete.
Paraqitja e juaj publike/skenike më e mirë dhe më e keqe?
Më e mira ka qenë në Butrint, ku në shfaqjen Elektra e luajta rolin e Orestit, ishte një natë magjike! Ndërsa, më e “keqja” ka qenë hera e parë që kam dalë në skenë! Emocioni ishte i papërmbajtshëm, dhe dridhesha i tëri nga tensioni.
Sa e rëndësishme është astrologjia për ju?
Astrologjia është një raport udhërrëfyes që njeriu e ka me objektet qiellore, a thua se fati ynë është i shkruar tek yjet dhe planetët, që në fakt është shumë poetike, por vetë jam më shumë i interesuar tek astronomia, ua thotë këtë një luan me nën shenjë akrepin.
Sa e rëndësishme është lidhja e juaj me jogën dhe meditimin?
Shumë, në të njëzetat e mia kam qenë natyrë shumë e shqetësuar (në ankth), dhe meditimi dhe joga më kanë shërbyer shumë për të kontrolluar ankthin.
Vazhdon të praktikosh të ushqyerit një herë në ditë?
OMAD për mua ka funksionuar shumë mirë përpara se të futesha në BB, por me hyrjen ne BB mu bë e pamundur. E kisha të nevojshme të ushqehesha më shpesh, ndoshta edhe për shkak të faktit që racionet nuk ishin aq të bollshme. Sipas David Sinclair, i cili është një nga shkencëtarët më të besueshëm për momentin për sa i përket jetëgjatësisë dhe shëndetit fizik: ha shëndetshëm dhe rrallë.
Facebook, Instagram, Snapchat, WhatsApp, TikTok apo…?
Pak rëndësi ka, rëndësia është që ta bëjnë rolin e altoparlantit sa herë të ketë aktivitete teatri apo filmi.
Telefonatat, posta elektronike (email), apo porositë (SMS)?
Për mua telefonatat dhe email janë OK.
A përdorni simbole (emoji) në komunikimin tuaj dhe cilat i përdorni më shpesh?
Patjetër që po:
Veprimi më i çuditshëm, më qesharak dhe më i pavend që e keni bërë?
Kur jetoja në Rumani, bashkë me një shoqen time na kishin mbaruar cigaret. Ishim të dy me të brendshme dhe vajtëm blemë cigare, ashtu siç ishim, ndërkohë që temperatura ishte -10 °C.
Cilat janë pikat e tua më të dobëta që synon t’i përmirësosh?
Ndonjëherë e gjej të vështirë t’i përball njerëzit me të vërtetën, sepse ajo e vërtetë është lënduese për ta. Por, e kam kuptuar që është më mirë t’i ballafaqosh njerëzit me cilëndo të vërtetë se sa t’i lësh të krijojnë iluzione.
Për çfarë ke dëshirë të mbahesh në mend më së shumti?
Unë e kam zgjedhur një profesion që është gjithnjë përpara projektorëve, dhe me këtë profesion të përçoj sado pak dritë. Si një Promete modest i kohërave pseudo moderne.
Radhiti sipas rëndësisë: Puna, Talenti dhe Pasioni?
Pasioni – puna – talenti.
Lidhja e juaj me publikun dhe artin e Kosovës?
Unë sidomos për kinematografinë Kosovare e kam një respekt të jashtëzakonshëm. Mendoj që krahasuar me Shqipërinë, kinemaja Kosovare është më e avancuar. Gjithashtu edhe në teatër dhe muzikë jeni më të mirë. Me pak fjalë, Kosova për arte është përpara Shqipërisë. Megjithatë, edhe në Shqipëri bëhen filma mjaft të bukur, por thjeshtë nuk e kanë të njëjtën mbështetje, si nga qeveria, si nga media, e qoftë nga partnerët ndërkombëtarë.
Cila është porosia e juaj për lexuesit tanë?
Dashuri, miqësi e mirë, udhëtime, leximi, filmat, teatri, dhe prapë dashuri.