ANËT E SHUMTA TË BILARDOS

 

Kur bëhet fjalë për bilardon, ka shumë pak sporte të tjera me një emër kaq ngatërrues. Kjo vjen kryesisht për shkak të faktit se ka disa fjalë ose emra për të përshkruar atë që duket të jetë i njëjti sport. Bilardo, “pool”, “snooker”, janë vetëm disa nga ata shumë emra ose më mirë të themi anët e tij. Sidoqoftë, nëse e shikojmë nga afër, menjëherë e vërejmë se edhe pse të ngjashëm, këta emra përdoren për të shprehur variante të ndryshme të lojës në tavolinë, në të cilën përdoren shkopinj për të goditur topat kundër njëri-tjetrit ose për t’i futur në xhepat e skajit të tavolinës. Pavarësisht nëse është bilardo, “pool” apo “snooker”, fakti qëndron në atë se është një lojë mjaft e njohur në Kosovë po aq sa edhe në vendet e tjera të botës. Më poshtë ju ftojmë të lexoni se si erdhën disa nga versionet e lojës.

 

Bilardo

Sipas Kongresit të Bilardos të Amerikës, bilardo u zhvillua nga një lojë në bar, e ngjashme me atë që njihet si kriket në shekullin e 15-të. Kur loja u bart në ambiente të mbyllura, tavolinat e gjelbra përdoreshin për të simuluar barin. Fillimisht, topat në bilardo drejtoheshin nga një topuz me majë të gjerë, dhe jo me shkop, përmes diçkaje të ngjashme si portat e kriketit. Loja u zhvillua tutje dhe me kalimin e kohës u zgjerua për të përfshirë tavolina me xhepa dhe goditje për pikë, duke fituar popullaritet të gjerë në Amerikë, në vitet 1920-ta. Termi bilardo vjen nga fjalët franceze billart (“shkop druri”) dhe bille (“top”).

 

“Pool”

Gjersa popullariteti i bilardos rritej, tavolina e bilardos u bënë pamje e zakonshme në sallonet e lojërave të fatit, ku bastoret e garave me kuaj ose edhe bastet e tjera po zinin vend. Për shkak se përmbledhja e basteve njihet si “pool”, bilardoja me xhepa filloi të lidhej me këtë term. Disa lojtarë profesionistë të lojës “pool” ende e përdorin termin bilardo për të përshkruar atë që zakonisht njihet si “pool”. Në mënyrë tipike, bilardo mund t’i referohet çdo lloj loje bilardoje në tavolinë që luhet me shkop dhe topa, gjersa “pool” do të thotë bilardo në tavolinë me xhepa.

 

Bilardoja angleze

Megjithatë, në Mbretërinë e Bashkuar, bilardoja mund t’i referohet bilardos angleze, një variacion në të cilin përdoren vetëm tre topa, me lojtarin që e godet topin e tij dhe një top sulmues me ngjyrë të kuqe që lëvizë topin goditës të kundërshtarit të tij. Ky lloj i bilardos nuk ka tavolinë me xhepa. Është një nga sportet më të vjetra në botë, me Kampionatin Botëror që daton që nga viti 1870 dhe Kampionatin Anglez më 1888.

 

“Snooker”

Nga të gjitha variacionet e tjera, sot “snooker” është padyshim loja më e popullarizuar. Kampionatet e saj mbulohen drejtpërdrejt nga kanalet kryesore televizive si “Eurosport”, dhe gjatë pandemisë COVID-19, ky ishte një nga sportet e para që filloi organizimin e ngjarjeve pas periudhës së parë të mbylljes. Ky sport është gjithashtu mjaft unik për shkak të mënyrës se si është krijuar. Kjo gjegjësisht ndodhi në vitin 1875, në mensën e oficerëve të Regjimentit të 11-të Devonshire të Ushtrisë Britanike të vendosur në qytetin indian të Jabalpur (Jubbulpore siç njihej në atë kohë), kur togeri Neville Francis Fitzgerald Chamberlain e krijoi lojën “snooker”. Ndërsa eksperimentonte me lojën ekzistuese të “black pool” (një variant i bilardos), që luhej me 15 topa të kuq dhe një top të zi, Chamberlain futi topa shtesë me ngjyra dhe kështu u krijua një lojë e re. Chamberlain kishte dëgjuar se kadetët e rinj në Akademinë Ushtarake Mbretërore në Woolwich quheshin në zhargon “snookers”, andaj ai e ceku se të gjithë ata që luanin në këtë version të ri të “black pool” ishin “snookers në këtë lojë” dhe kështu emri ngeci menjëherë.

Një tjetër karateristikë e veçantë e lojës “snooker” është madhësia e tavolinës. Tavolina ka përmasa 365.8 cm × 182.9 cm. Lartësia e tavolinës nga dyshemeja deri mbi spunta është 86.4 cm. Tavolina i ka gjashtë xhepa. Një pengesë e tavolinës me madhësi të plotë është hapësira e nevojshme për ta akomoduar atë. Gjersa tavolinat e “pool” janë të zakonshme për shumë bare, “snooker” ka tendenca të luhet ose në mjedise private ose në sallat publike të dedikuara ekskluzivisht për “snooker”.

Tani që e dini historinë, mbase është koha të dilni dhe të provoni të luani nja dy lojë dhe të zbuloni pse bilardo (pa marrë parasysh versionin) është kaq popullor.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE