ARTI ËSHTË MBI TË GJITHA!

 

Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë është një ndër shkollat e para të këtij lloji jo vetëm në kryeqytet, por edhe në mbarë Kosovën. Ajo për herë të parë i hapi dyert në vitin 1949 dhe që atëherë aty janë shkolluar dhe rritur muzikantë (instrumentist dhe këngëtarë) të cilët kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë në skenën muzikore të Kosovës.

 

Pika më e fortë e shkollës profesionalizmi i mësimdhënësve

Ditë më parë, ekipi ynë u takua me ushtruesen aktuale të detyrës së drejtoreshës së kësaj shkolle znj. Jeta Dida Bujari, e cila është e lidhur me këtë shkollë që nga mosha e saj 5 vjeçare, kur filloi t’i ndiqte orët e para të muzikës për instrumentin e pianos. Në bazë të kësaj përvoje znj. Dida Bujari, theksoi se pika më e fortë e kësaj shkolle është niveli i lartë profesional i të gjithë mësimdhënësve pasi që 95 përqind e mësimdhënësve kanë master për pozitën e tyre. Mirëpo, sipas saj, krahas kualifikimit profesional shkollor një profesor i mirë është edhe kërkues si dhe di si ta transmetojë dijen tek nxënësi. Këto tipare janë të rëndësishme sepse janë pikërisht mësimdhënësit që i nxisin nxënësit që të marrin pjesë në gara, koncerte etj.

 

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që duhet pasur parasysh për këtë shkollë është se ajo i ngërthen në vete nivelin fillor dhe atë të mesëm. Të gjithë nxënësit në nivelin fillor i vijojnë mësimet aty krahas mësimit në shkolla të rregullta fillore. Prandaj, orari i tyre në shkollën e muzikës caktohet në përputhje me orarin në shkollën e rregullt. Në anën tjetër, niveli i mesëm i shkollës së muzikës klasifikohet si shkollë e mesme profesionale dhe kjo do të thotë që nxënësit i vijojnë mësimet me orar të plotë çdo ditë nga ora 8:00 deri në 13:30.

 

Furnizimi me instrumente dhe ndërtimi i një objekti të ri prioritet

Ashtu si edhe të gjitha shkollat e tjera, edhe shkolla e muzikës është prekur rëndë nga përhapja e pandemisë së COVID-19. Madje një ndër mangësitë më të mëdha që u vërejt gjatë kësaj kohe është mungesa e instrumenteve të mjaftueshme. Kjo ka qenë edhe shtysa kryesore për znj. Dida Bujari që së bashku me këshillin e prindërve dhe kolektivin e shkollës të përgatisin një projekt për të kërkuar mbështetje nga institucionet e Kosovës por edhe zyrat e ndryshme ndërkombëtare dhe sidomos ambasadat për furnizim me instrumente muzikore. Një tjetër projekt i rëndësishëm që është në zhvillim e sipër është që në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës të gjendet një lokacion i përshtatshëm ku do të ndërtohet një objekt i dedikuar për këtë shkollë.

 

“Fati i shkollës së muzikës është se gjithmonë është bartur nga një vend në një tjetër për shkak se nuk e kemi pasur asnjëherë një objekt tonin. Kjo na ka paraqitur vazhdimisht shumë probleme. Mirëpo, besoj se jemi shumë afër gjetjes së një zgjidhjeje dhe kjo është më se e nevojshme,” theksoi znj Dida Bujari. Ajo më tej i porositi të gjithë të rinjtë e Kosovës që të mos harrojnë se: Arti është mbi të gjitha! Prandaj, është e rëndësishme që, edhe nëse të rinjtë nuk synojnë që ta kenë artin si profesion, të angazhohen në ndonjë fushë të artit dhe posaçërisht me muzikën dhe ndonjë instrument muzikor. Sepse, krahas fisnikërimit të shpirtit, muzika dhe instrumentet ndihmojnë edhe në ngritjen e inteligjencës.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE