BAYERN MUNCHEN KAMPION TË MERITUAR TË EVROPËS

Me disa muaj vonesë për shkak të pandemisë së COVID-19, mbrëmë në stadium “Estadio da Luz” në Lisbonë të Portugalisë, kampioni gjerman Bayern Munchen e mundi kampionin francez Paris Saint Germain (PSG) për t’u shpallur për herë të gjashtë Kampion i Evropës. Ashtu siç e tregon edhe rezultati, përkundër parashikimeve dhe pritjeve që kjo do të ishte një klasike me shumë gola për shkak të lojtarëve në fushë në të dyja skuadrat (Neymar, Mbappe, Lewandovski, etj.), kjo finale rezultoi të jetë një ndeshje e vështirë, në të cilën të dy kundërshtarët ia dolën që të neutralizonin njëri-tjetrin dhe rezultati përfundimtar u përcaktua nga një aksion i rrufeshëm i gjermanëve.

 

Triumfi i gjermanëve ishte një befasi për të gjithë pasi që në nëntor dukej se Bayerni ishte një skuadër në krizë të thellë dhe si rezultat i saj ata edhe e shkarkuan trajnerin e tyre Niko Kovac. Mirëpo, zëvendësuesi i tij Hansi Flick jo vetëm që ia doli që ta qetësonte gjigantin gjerman por, e ktheu atë në një skuadrat me futbollin atraktiv në Evropë. Rezultati përfundimtar i këtij rikthimi madhështor ishte fitimi i tre titujve: Kampion të Bundesligës, Fitues i Kupës së Gjermanisë dhe në fund Kampion Evropian. Kjo është vetëm hera e dytë që Bayerni arrin t’i fitoj të tre këta tituj. Për më tepër, drejt rrugës për t’u shpallur Kampion të Evropës, Bayerni arriti të kthehej në një skuadrat me më së shumti gola të shënuar gjatë një stinori dhe në mesin e rezultateve të arritura do të kujtohet gjatë fitorja e thellë 8-2 kundër Barcelonës së Mesit.

 

Në anën tjetër, PSG, siç edhe pritej, iu drejtua dy superyjeve në radhët e tyre për të shtënë në dorë trofeun më të çmuar, për të cilin kjo skuadër i ka shpenzuar me qindra miliona euro. Mirëpo, projekti i tyre vazhdon të mbetet një aspiratë dhe francezëve iu mbetet që të presin dhe shpresojnë se mbase sezoni i ardhshëm më në fund do të jetë viti kur ata do t’i kurorëzojnë me sukses investimet e tyre. Për hir të vërtetës, duhet thënë se të dy këta lojtar i patën disa raste për të shënuar mirëpo, portieri Manuel Neuer, i cili u shpall edhe lojtari i ndeshjes, ishte një pengesë që ata nuk e kaluan dot.

 

Në vijim po i radhisim edhe disa fakte interesante për finalen e mbrëmshme:

 

  • Bayerni janë skuadra e parë në histori e cila i ka fituar të gjitha ndeshjet në një sezon të Ligës së Kampionëve.
  • Kjo ishte hera e gjashtë që Bayerni e fitoi Ligën e Kampionëve (Kupën Evropiane), po aq sa edhe Liverpuli. Vetëm Real Madridi (13) dhe AC Milan (7) kanë më shumë tituj si Kampion të Evropës.
  • PSG nuk ia doli të shënonte në garat e mëdha Evopiane për herë të parë pas 35 ndeshjeve. Hera e fundit që PSG nuk kishte arritur të shënonte ishte në humbjen 1:0 nga Manchester City në prill të vitit 2016.
  • Të shtatë skuadrat e fundit që luajtën për herë të parë në finalen e Ligës së Kampionëve (Kupës së Evropës) kanë humbur. Hera e fundit që një skuadër e fitoi titullin e kampionit në paraqitjen e parë në finale ishte Borussia Dortmund në vitin 1997 kundër Juventusit.
  • Vetëm katër herë, trajnerët që e kanë fituar Ligën e Kampionëve, kanë qenë më të moshuar se trajneri i Bayernit Hansi Flick (55 vjet e 181 ditë) dhe ata ishin Raymond Goethals me Marsejën në vitin 1993 – 71 vjeçar, Jupp Heynckes me Bayern Munich në vitin 2013 – 68 vjeçar, dhe Alex Ferguson me Man Utd në vitin 1999 dhe 2008 – në moshën 57 dhe 66 vjeçare.
  • Bayerni u bë vetëm e skuadra e tretë në historinë e Ligës së Kampionëve që i shënon 500 gola në këtë garë, pas Barcelonës e cila i ka shënuar 517 dhe Real Madridit 567.
  • Sulmuesi i Bayernit Kingsley Coman është francezi i pestë që shënon në një finale të Ligës së Kampionëve (Karim Benzema 2018, Zinedine Zidane 2002, Marcel Desailly 1994 dhe Basile Boli 1993).
  • Portieri i PSG-së Keylor Navas është portieri i tretë që paraqitet në finale të Ligës së Kampionëve me dy skuadra të ndryshme pas Hans-Jorg Butt (Bayern Munich dhe Bayer Leverkusen) dhe Edwin van der Sar (Man Utd dhe Ajax).
  • Thiago Silva është braziliani i parë që e filloi si kapiten i skuadrës një finale të Ligës së Kampionëve/Kupës Evropiane.
PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE