BËNI KUJDES NË INTERNET

 

Pavarësisht nga raca, gjinia, feja, përkatësia etnike apo mosha, interneti është bërë pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme të të gjithë njerëzve. Në fakt, sipas të dhënave më të fundit online, edhe gjeneratat më të vjetra kanë filluar të ndërveprojnë më shumë në internet. Ofrimi i shërbimeve ose mallrave po mbështetet gjithnjë e më shumë në internet, veçanërisht që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19. Duhet të jeni të vetëdijshëm se pavarësisht nga përfitimet, përparësitë dhe komoditetet e shumta që ofron interneti, ai ka krijuar gjithashtu disa lloje të reja krimi, të njohura përgjithësisht si krimi kibernetik.

 

Çka është krimi kibernetik?

Krimi kibernetik përkufizohet si çdo aktivitet kriminal që përfshin një kompjuter, pajisje në rrjet ose një rrjet. Me fjalë të tjera, krimi kibernetik i referohet krimeve që kryhen kur përdoret një kompjuter ose pajisjet e mençura si tabletat ose telefonat, ose kur këto pajisje janë shënjestra e synuar. Sipas ekspertëve të sigurisë së kompjuterëve është me rëndësi që të mos harroni që kriminelët kibernetik mund të jenë individ, grupe të organizuara kriminale si dhe elementë të sponsorisuar nga shtetet. Rrjedhimisht, edhe llojet e krimit kibernetik ndryshojnë, ndonëse shumica e tyre kryhen për përfitime financiare nga sulmuesit. Llojet specifike të krimeve kibernetike përfshijnë: zhvatjen kibernetike, vjedhjen e kriptove, vjedhjen e identitetit, mashtrimin me kartat e kreditit, privatësinë e softuerit dhe madje edhe ngacmimin kibernetik. Nëse dëshironi të lexoni më shumë për këto lloje të krimeve dhe se si kryhen ato lexojeni numrin e ardhshëm të revistës 4You Magazine.

 

Pse duhet të shqetësoheni për krimin kibernetik? Policia e Kosovës ua shpjegon

Në shumicën e rasteve, informacioni dhe të dhënat që iu nevojiten kriminelëve kibernetikë për të kryer krimet e tyre jepen vullnetarisht nga vetë viktimat e tyre. Kjo ndodh për shkak të dështimit të përdoruesve të internetit për t’i kushtuar vëmendjen e duhur sigurisë së tyre në internet, si dhe nga njohuritë e tyre të dobëta rreth kësaj teknologjie. Duket se mosha e re e përdoruesve të internetit është një tjetër faktor kontribues. Sipas z. Fadil Abdyli nga Policia e Kosovës, përdoruesit më aktiv të internetit në Kosovë janë adoleshentët (12 deri në 20 vjeçar). Prandaj, është e rëndësishme që të filloni të mësoni se si të përdorni internetin në mënyrë të sigurt dhe si të mbroni informacionin tuaj privat në internet.

 

Çdo gjë e postuar mbetet përgjithmonë

Çdo gjë që postoni ose e bëni publike mbetet përgjithmonë dhe dëmet që mund të ndodhin shpesh janë të pariparueshme. Prandaj, është e domosdoshme që të jeni mjaft vigjilent në internet si, le të themi, nëse ju ndalon një i huaj në rrugë dhe ua kërkon të dhënat e juaja personale. Këto dy veprime janë të njëjta, vetëm në një rast, ju bëni çmos për të mbrojtur veten dhe informacionin tuaj, por shpërfillni plotësisht sigurinë tuaj në internet dhe ua jepni të dhënat tuaja të huajve. Pra, mos u tregoni të pakujdesshëm dhe kontrolloni aktivitetet dhe veprimet tuaja në internet. Për ta bërë këtë, z. Abdyli ju këshillon të ndiqni rregullat e mëposhtme:

  •  Mos e shfletoni internetin pa nevojë – Koha që e kaloni në internet duhet të jetë e kufizuar dhe në përputhje me nevojat tuaja reale për të hulumtuar, studiuar, biseduar me miqtë dhe familjen, madje edhe për të luajtur lojëra. Mos vizitoni faqe që duken të dyshimta. Vini në dyshim çdo vegzë (link) në rrjetet e ndryshme sociale.
  • Raportoni çdo video dhe foto të abuzimit seksual të fëmijëve – Prodhimi, shkarkimi, zotërimi dhe shpërndarja e videove dhe fotove të abuzimit seksual të fëmijëve është vepër penale. Prandaj, jo vetëm që duhet të refuzoni të angazhoheni me materiale të tilla, por nëse hasni në to njoftoni menjëherë prindërit dhe kujdestarët tuaj, në mënyrë që ata të mund të njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës
  • Raportoni ngacmimin në internet – Mos harroni kurrë se Interneti nuk është i kufizuar vetëm në botën virtuale. Ai është gjithashtu edhe pjesë e botës reale dhe ngacmimi në internet mund të shkaktojë dëme serioze për të tjerët dhe ju. Nëse jeni të ngacmuar, flisni me prindërit dhe mësuesit tuaj.
  • Kujdes me kë komunikoni në internet – Duhet të mbani mend se shumica e njerëzve në internet nuk janë shpesh ata që thonë se janë. Përpara se të miqësoheni me dikë në internet, sigurohuni që të keni informacion të mjaftueshëm për të. Kurrë mos pranoni të takoni fizikisht dikë me të cilin jeni njoftuar në internet pa ua bërë me dije prindërve tuaj për këtë.
  • Kujdes ndaj mesazheve të dyshimta – Mënyra më e thjeshtë për të identifikuar çdo mesazh të dyshimtë është duke u kujtuar se duhet të injoroni çdo ofertë që është shumë e mirë për të qenë e vërtetë. Përveç kësaj, gjatë blerjeve në internet që janë të miratuara nga prindërit ose kujdestarët tuaj, sigurohuni që të vizitoni faqen e duhur zyrtare. Gabimet drejtshkrimore janë një nga mënyrat më të zakonshme për të kapur (zbuluar) faqet dhe produktet mashtruese.

“Bëni kujdes në internet. Mbroni privatësinë e të dhënave tuaja personale dhe kujdes ndaj çdo mashtrimi apo kërkese që mund të ndikojë në privatësinë tuaj. Për të shmangur rrezikun e ekspozimit ndaj njerëzve me qëllime keqdashëse, flisni me prindërit ose kujdestarët për çdo ndryshim eventual në rutinën tuaj të shfletimit,” – Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE