BESAR AHMETI

Për Besar Ahmetin, muzika kurrë nuk ka qenë thjesht një tingull në sfond apo një interes kalimtar. Që herët, ajo u shndërrua në një hapësirë ku takohen emocionet, historitë dhe identiteti. I njohur artistikisht si Bess Music, ai përfaqëson një gjeneratë të re muzikantësh kosovarë që e shohin muzikën jo vetëm si argëtim, por edhe si formë shprehjeje dhe përgjegjësie. Me durim, përkushtim dhe besim të fortë në vlera dhe kulturë, Besari po ndërton një tingull që flet drejtpërdrejt me të rinjtë, duke synuar njëkohësisht edhe përtej kufijve lokalë. Në këtë intervistë, ai flet për fillimet, sfidat, frymëzimet dhe mesazhin që dëshiron ta përcjellë përmes artit të tij.

 

Kur e ke kuptuar për herë të parë se muzika është diçka më shumë se hobi për ty?

Që herët e kam ndier që muzika është pjesë e imja. Që nga fëmijëria kam pasur gjithmonë pasion për muzikën, por momenti real erdhi kur fillova të kaloj orë të tëra duke krijuar pa e ndjerë lodhjen apo kohën. Atëherë e kuptova se muzika për mua nuk ishte më thjesht një hobi, por një mënyrë për të shprehur veten, historitë dhe ndjenjat e mia.

 

Pse zgjodhe emrin artistik “Bess Music” dhe çfarë do të thotë ai për ty?

“Bes” vjen nga emri im Besar, por lidhet edhe me fjalën besë, e cila për mua ka shumë peshë dhe domethënie. Këto dy elemente bashkohen natyrshëm me muzikën, duke krijuar emrin “Bess Music”. Doja një emër që të dallonte dhe të tregonte se nuk jam vetëm DJ, por edhe artist dhe producent, pra gjithçka që lidhet me artin e muzikës. Për mua, “Bess Music” është një premtim ndaj vetes dhe publikut.

 

Si dukej jeta jote si adoleshent, a ëndërroje që një ditë të bëheshe këngëtar?

Si adoleshent nuk e mendoja qartë që një ditë do të bëhesha këngëtar. Që nga fëmijëria e më vonë, kam pasur shumë interesa dhe role të ndryshme. Një ditë isha artist dhe pikturoja, një ditë futbollist, një ditë shkencëtar dhe një ditë muzikant. Të gjitha këto më kanë ndihmuar të formoj personalitetin që kam sot dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si shprehem përmes muzikës.

 

Cila ka qenë sfida më e madhe në fillimet e tua në muzikë?

Sfida më e madhe ka qenë të vazhdoj të besoj në veten time edhe kur rezultatet nuk vinin menjëherë. Muzika më ka mësuar se durimi dhe puna e vazhdueshme janë pjesë e domosdoshme e çdo rruge.

 

A mendon se talenti lind apo ndërtohet me punë?

Talenti është fillimi i rrugës, por puna është rrugëtimi. Ajo është arsyeja pse vazhdoj të krijoj, të mësoj dhe të evoluoj çdo ditë. Vetëm përmes punës mund të rritesh dhe të qëndrosh si artist.

 

Sa e rëndësishme është përkrahja e familjes dhe miqve për ty?

Mbështetja e familjes ka qenë shtylla ime më e fortë, sidomos në momentet kur kam dyshuar në veten time. Motra ime, e cila është flautiste dhe harpiste, e nisi rrugëtimin muzikor shumë më herët përmes shkollimit profesional. Duke parë përkushtimin dhe pasionin e saj, u frymëzova edhe vetë. Edhe kur familja nuk fliste shumë, unë e ndjeja mbështetjen dhe sakrificat e tyre. Kjo ndjenjë besimi më ka dhënë forcë të vazhdoj.

 

Cila këngë e jotja lidhet më shumë me të rinjtë sot?

Kënga që lidhet më shumë me të rinjtë është “Rini”. Ajo bazohet në poezinë e Migjenit dhe flet për rininë, sfidat dhe ndjenjat e saj. Përmes kësaj kënge kam shprehur gjithçka që kam dashur të them dhe kam dhënë maksimumin tim artistik. “Rini” nuk lidhet vetëm me të rinjtë, por me çdo kohë.

 

Çfarë roli kanë rrjetet sociale për një artist të ri në Kosovë?

Rrjetet sociale kanë një rol shumë të madh në rrugëtimin tim artistik. Pa to, muzika ime nuk do të kishte arritur te publiku. Përmes tyre kam krijuar kontakte me DJ dhe artistë ndërkombëtarë, si Keinemusik, të cilëve u ka pëlqyer puna ime. Kjo më ka ndihmuar të rritem si artist dhe të hap dyer të reja bashkëpunimi.

 

A ke ndonjë zakon para se të hysh në studio apo në skenë?

Nuk besoj që kam ndonjë ritual të veçantë. Kur e di që do të performoj ose do të krijoj muzikë të re, zakonisht nuk dëgjoj muzikë gjatë gjithë ditës. Kjo më ndihmon të jem më i freskët mendërisht dhe autentik në krijim.

 

Si i përballon kritikat negative?

Kritikat që më ndihmojnë i mbaj, të tjerat i lë pas.

 

Cili ka qenë momenti më i bukur i karrierës sate deri tani?

Pa dyshim, ftesa dhe performanca ime në Sunny Hill Festival. Ishte një përjetim i jashtëzakonshëm, si për energjinë e publikut ashtu edhe për mundësinë për të takuar artistë si Dua Lipa, Anyma, Peggy Gou dhe Mochak. Të ndaja hapësirën me ta ishte një konfirmim se jam në rrugën e duhur.

 

Për çfarë temash do të doje të fokusoheshe në të ardhmen?

Dua të vazhdoj në të njëjtën frymë si kënga “Rini”, duke u fokusuar te rinia dhe vlerat që ajo përfaqëson. Synoj të sjell poezi nga trashëgimia jonë kulturore dhe t’i shndërroj në muzikë që mund të dëgjohet edhe jashtë vendit.

 

Çfarë të motivon të vazhdosh kur lodhesh?

Familja dhe besimi në veten time.

 

Si e sheh veten pas disa vitesh?

E shoh veten si një artist që ka ndikuar pozitivisht te të rinjtë, duke promovuar muzikë të pastër, me kulturë, emocione dhe histori reale. Ëndrra ime është të kujtohem për këtë ndikim dhe të lë pas një gjeneratë të re muzike me vlera dhe identitet.

Our team delivers reliable solutions tailored to your specific needs. We prioritize quality and customer satisfaction in every project.

Address :

Info :

Best KINDERGARTEN Theme

All Demos Included

With Kindergarten WordPress Theme you will have everything you need to create a memorable and enchanting online presence. Start create your dream education site today.