BOKU NO HERO ACADEMIA – MY HERO ACADEMIA

Sipas të dhënave nga Shoqata Japoneze e Animacioneve, gjatë vitit 2019, vlera e industrisë së filmave anime (filmat e animuar japonez të bazuar në librat japonez me vizatime Manga) ishte 19,1 miliardë dollarë amerikan. Kjo tregon, se ky lloj i filmave të animuar, i cili bazohet në traditën dhe kulturën japoneze, është i pëlqyer në mbarë botën. Nuk ka dyshim se filmat anime janë mjaft të pëlqyer edhe tek ne. Madje, këta filma e kanë krijuar një audiencë të të gjitha moshave. Prandaj, në këtë edicion të Revistës ‘For You’ do ta sjellim para jush serinë “Boku no Hero Academia” ose “My Hero Academia”.

 

Fabula e serisë

Për ata që nuk kanë dëgjuar për këtë seri (apo edhe dy filmat e animuar), ajo është e bazuar në librin manga me po të njëjtin titull. Ngjarjet e “Boku no Hero Academia” zhvillohen në një botë kur shumica e njerëzimit e kanë fituar aftësinë për të zhvilluar superfuqi të quajtura “Quirks”. Ato manifestohen tek fëmijët deri në moshën katër vjeçare. Llojet e superfuqive janë të pafundme dhe gjasat janë jashtëzakonisht të vogla që dy persona të kenë superfuqitë e njëjta. Këto superfuqi e kanë mundësuar krijimin e një kategorie të re të njerëzve: Heronjve. Ata përballen me individët qëllimkëqij të cilët i shfrytëzojnë superfuqitë e tyre për qëllime egoiste dhe kriminale. Heronjtë të cilët vendosin që të ushtrojnë heroizmin si profesion njihen si Heronj Profesionist. Madje, shfrytëzimi i superfuqive në mënyrë vullnetare në publik nga individ që nuk janë të regjistruar si Heronj Profesionist konsiderohet si krim.

 

Personazhet kryesore

Në qendër të vëmendjes është Izuku Midoriya dhe shoku i tij i fëmijërisë Katsuki Bakugo. Ata të dy janë nxënës në shkollën e mesme “U.A. High School” për përgatitjen e heronjve të ardhshëm. Ndonëse, shokë të fëmijërisë Midoriya dhe Bakugo kanë një të kaluar aspak të këndshme pasi që Midoriya fillimisht nuk shfaq asnjë lloj superfuqie dhe Bakugo e ngacmon vazhdimisht për këtë. Kjo, gjithsesi, nuk e pengon Midoriyan të ëndërroj që të bëhet si heroi i tij i preferuar “All Might”. Kur Midoriya në fshehtësi e trashëgon superfuqinë e All Might – One For All, atëherë rivaliteti me Bakugon vetëm sa rritet edhe më tej. Kështu, krahas fabulës tejet interesante, Boku no Hero Academia njihet edhe për larminë e personazheve, emocioneve dhe marrëdhënieve mjaft të ndërlikuara.

 

Numri i sezoneve

Siç e kemi cekur më sipër Boku no Hero Academia është një seri dhe deri më tani ajo i ka katër sezone. Sezoni i parë i ka 13 episode, i dyti 25, i treti 25 dhe i katërti 25 episode. Ajo, i ka edhe 5 episode speciale si dhe dy filma të animuar kinematografik – My Hero Academia: Two Heroes (2018) dhe My Hero Academia: Heroes Rising (2019).

 

Vlerësimi nga kritika dhe ku mund ta shikoni?

Kjo është një ndër seritë anime më të vlerësuara në botë. Në ueb faqen me famë botërore për vlerësimin e filmave dhe serive “Rotten Tomatoes” seria My Hero Academia e ka një vlerësim prej 100%. Ndërsa, libri i saj manga është shitur në mbi 26 milionë kopje të shtypura. Përkundër kësaj, My Hero Academia ende nuk është në dispozicion në Netflix, shërbimin më të popullarizuar “streaming” në Kosovë. Prandaj, opsioni më i mirë mbetet që këtë seri ta shikoni në kompjuterin tuaj në ueb faqen: https://www.crunchyroll.com/my-hero-academia. Në këtë faqe do të mund t’i shikoni falas të gjitha sezonet e serisë. Shikim të këndshëm!

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE