ÇFARË DO TË THOTË PËR JU TOLERANCA NDËRETNIKE?

 

Në numrin e dhjetorit të Revistës 4You ju informuam se kishim pyetur njerëz me prejardhje të ndryshme profesionale, etnike dhe kulturore – çfarë do të thoshte toleranca ndëretnike për ata? Qëllimi ynë me këtë pyetje ishte që të theksonim nëse pavarësisht dallimeve ekzistuese, thellë thellë ne mbetemi të gjithë të njëjtë dhe dëshirojmë të njëjtat gjëra. Më poshtë i gjeni disa nga përgjigjet më interesante Ju mund të shikoni edhe videot e të gjithë të anketuarve tanë në ueb faqen tonë në: https://magazineforyou.com

 

Sfida jonë për ju

Para se të lexoni përgjigjet e të anketuarve tanë, ju ftojmë që t’ia bëni vetes të njëjtën pyetje dhe të shkruani përgjigjen tuaj në një copë letër. Pastaj mund t’i krahasoni përgjigjet tuaja dhe t’i shihni ngjashmëritë që mund t’i keni me të anketuarit tanë.

 

Toleranca ndëretnike ofron mundësi zhvillimi

Ndër të anketuarit në pyetjen tonë ishte ekonomisti Arbër Mehana. Përgjigja e tij u fokusua në përfitimet ekonomike të tolerancës. “Për mua, toleranca ndëretnike do të thotë të pranosh dhe respektosh njerëzit me kulturë tjetër, besime dhe sjellje të tjera. Nga këndvështrimi im, një vend ku etni të ndryshme jetojnë në harmoni është një mjedis i sigurt që do të tërheqë më tej investitorët, do të tërheqë turistët dhe do të ofrojë mundësi zhvillimi”.

 

Do të doja të punoja në një kompani multietnike

Studenti në nivelin master Petar Djordjevic, i cili dëshiron që të punojë në një kompani multietnike pas diplomimit e pati një këndvështrim të ngjashëm me Arbërin: “Toleranca ndëretnike mund të përmirësojë shoqërinë tonë në shumë aspekte, duke e përfshirë zhvillimin ekonomik, që do të ofronte më tej mundësi punësimi, kështu që unë dhe njerëzit nga gjenerata im do të zhvillohemi këtu në shtëpi. Kjo është e vetmja mënyrë që ne të përparojmë”.

 

Kemi më shumë ngjashmëri sesa dallime

Këndvështrimi i tretë erdhi nga studentja Fatlume Karaqica. Ajo ka vendosur që të studiojë në IBC-M (International Business College Mitrovica). Një kolegj ku studentët e të gjitha etnive në Kosovë përfitojnë nga kurset e cilësisë së lartë që zhvillohen në klasa të përziera etnike. Në përgjigje të pyetjes sonë, znjsh. Karaqica foli për përvojën e saj personale me bashkëpunimin ndëretnik: “Këtu në IBC-M e kam mundësinë që të krijoj miqësi me njerëz të etnive të ndryshme. Kur e njohim më mirë njëri-tjetrin mësojmë se kemi më shumë ngjashmëri sesa dallime”.

 

Unë jam betuar për t’i ndihmuar të gjithë

Mjekja Biljana Janicijevic-Velic është një e intervistuar tjetër. Ajo tha: “Unë jam betuar se do t’i ndihmoj të gjithë, pavarësisht nga statusi i tyre shoqëror apo etnia. Për mua, toleranca ndëretnike do të thotë t’i trajtosh të gjithë në të njëjtën mënyrë.”

 

Të gjithë të anketuarit tanë mendojnë se toleranca siguron prosperitet dhe zhvillim. Sepse toleranca jo vetëm që na ndihmon të jetojmë së bashku në paqe, por gjithashtu na ndihmon që t’i heqim barrierat tona të vetë-imponuara. Kur jemi tolerantë, ne e hapim veten për të dëgjuar idetë, pikëpamjet dhe mendimet e njerëzve të tjerë. Në këtë mënyrë ne pasurohemi dhe zhvillohemi si individë dhe si komunitet. Në fund të fundit, në shumicën e rasteve mungesa e tolerancës është rezultat i frikës dhe injorancës ndaj të panjohurës. Rrjedhimisht, kur jemi tolerantë, dija e zëvendëson injorancën dhe frika zëvendësohet nga siguria dhe bashkëpunimi.

 

Bëhu tolerant!

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE