CILA SËMUNDJE I KA GODITUR PESHKAQENËT NË MALAJZI?

 

Biologët detar janë duke e studiuar një sëmundje misterioze të lëkurës e cila i ka prekur gumat nënujore dhe peshkaqenët në Malajzi, dhe rezultatet e para sugjerojnë se fajtori për paraqitjen e kësaj sëmundjeje është rritja e temperaturave të ujit të detit.

 

Peshkaqenët kokë bardhë, të cilët janë emëruar ashtu për shkak të fletave me maja të bardha, zakonisht pushojnë gjatë ditës përreth gumave, dhe pikërisht gjatë kësaj kohe zhytësit shpesh shkojnë për t’i vëzhguar ato. Në një prej pikave vëzhguese, një fotograf nënujor në ishullin Bornero, i ka fotografuar disa peshkaqen të cilët dukej se i kishin disa njolla dhe plagë (lezione) në kokë, bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters.

 

Pak kohë më vonë, zhytësit në ishullin Sipadan e vërejtën dukurinë e njëjtë. Pas kësaj një ekip i ekspertëve nga universiteti shtetëror dhe grupet mbrojtëse e zbuloi këtë sëmundje te të gjitha grupet e peshkaqenëve.

 

Në përpjekje për të gjetur shkakun e kësaj sëmundjeje, ekipi i ekspertëve zbuloi se temperatura e ujit të detit në një sipërfaqe me madhësi sa sipërfaqja e Spanjës, në maj ishte 29,5 gradë celsius, gjegjësisht një gradë më e lartë se sa në vitin 1985, kur ishte regjistruar temperatura më e lartë e këtyre ujërave.

 

Biologu detar, Davies Austin këmbëngul se ai është i sigurt që shkrirja e akullnajave në oqeane është arsyeja e paraqitjes së kësaj sëmundjeje, sepse Sipadan është zonë e mbrojtur ku nuk lejohet peshkimi apo gjuetia, si dhe nuk ka as vendbanime apo fabrika në afërsi.

 

Raportimet për paraqitjen e kësaj sëmundjeje përputhen edhe me raportimet për zbehjen e gumave koralore në këtë rajon. Sipas profesorit të studimeve veterinere të kafshëve ujore, Mohamed Din, nuk mund të anashkalohet fakti që për shkak të ngritjes së temperaturave në ujë ndodhin ndryshime.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE