ÇKA DO TË THOTË PËR JU TOLERANCA NDËRETNIKE?

 

Është interesante se si të njëjtat gjëra mund të kuptohen dhe të shpjegohen në mënyra të shumta nga njerëz të ndryshëm. Kjo e bën të qartë se ne të gjithë jemi unik. Burimi i dallimeve vjen nga mënyra se si lindim, arsimohemi dhe nga përvojat e jetës sonë. Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto dallime, është fascinuese se në parim mbetemi të njëjtë dhe dëshirojmë të njëjtat gjëra. Këtë e vëmë re më së shumti kur u bëmë disa njerëzve të njëjtën pyetje. Së fundmi, ekipi ynë pati rastin t’u bëjë një pyetje katër personave me prejardhje të ndryshme etnike dhe kulturore. Pyetja që e bëmë ishte shumë e thjeshtë: Çka do të thotë për ju toleranca ndëretnike?

 

Përpara se t’i lexoni përgjigjet e të intervistuarve tanë, ju ftojmë që t’iA bëni vetes të njëjtën pyetje dhe ta shkruani përgjigjen në një copë letre. Pastaj mund ta krahasoni përgjigjen tuaj me përgjigjet e tyre dhe të kuptoni ndryshimet dhe ngjashmëritë që keni me katër të anketuarit tanë, të cilët ndoshta nuk i keni takuar kurrë në jetën tuaj.

 

Toleranca ndëretnike është si notat muzikore

Përgjigjen e parë për këtë pyetje e ka dhënë Ardian Gashi, këngëtar dhe muzikant. Ardiani e krahasoi tolerancën ndëretnike me notat muzikore dhe se si ndërveprimi i tyre krijon melodi që prekin njerëzit në mbarë botën. “Si muzikant dhe këngëtar, mund ta shpjegoj kështu: notat muzikore nuk janë të njëjta, çdo notë ndryshon nga të tjerat, por kur bashkohen, krijojnë harmoni dhe melodi. Nuk do të kishte muzikë nëse do të ishte vetëm një notë. Po kështu, toleranca ndëretnike është hapi i parë për të pasur një shoqëri të bukur që mund të hapë mundësi të pafundme, ashtu si notat në muzikë”.

 

Mos u fokusoni në gjërat negative

Gazetarja Jelena Gjorgjeviq i është përgjigjur kësaj pyetjeje duke theksuar se për të toleranca ndëretnike do të thotë se të gjithë duhet të pranojmë se jemi të ndryshëm. Megjithatë, duhet t’i kuptojmë përfitimet nga këto dallime pa u fokusuar në gjërat negative. “Si gazetare, përpiqem që gjithmonë të jem e paanshme dhe të mos e fsheh të vërtetën. Për mua toleranca ndëretnike do të thotë të pranosh se jetojmë në një shoqëri multietnike dhe të gjejmë aspektet e saj pozitive. Një person intolerant fokusohet në gjërat negative të njerëzve të tjerë për ta justifikuar atë intolerancë. Por toleranca ndëretnike hap rrugën drejt bashkëpunimit dhe një shoqërie më të mirë”.

 

Si do të ishte bota pa dallime?

Sllobodan Rakiq, gjithashtu këngëtar, pyet si do të duket bota pa dallime dhe tolerancë ndëretnike. “Për mua është e thjeshtë: jo të gjithëve u pëlqen e njëjta muzikë, të njëjtat ngjyra, ushqime apo veshje, por ne mund të jetojmë së bashku në paqe dhe respekt të ndërsjellë. Imagjinoni një botë pa dallime. Një botë që ka vetëm një lloj ushqimi, muzike, veshje, valle ose sjellje. Tingëllon mjaft e trishtë, apo jo? Toleranca ndëretnike është themeli i një shoqërie të fortë.”

 

Toleranca ndëretnike sjell zhvillim ekonomik

Studentja Ilirijana Hoti tha se toleranca ndëretnike sipas saj është krijimi i mundësive të reja për punësim, prosperitet ekonomik dhe i mundësive të reja për brezat e ri. Mundësi për të jetuar dhe punuar në vendlindje, pa pasur nevojë për ta kërkuar fatin diku tjetër në botë. “Nëse jemi më tolerantë, kemi fuqinë që ta rrisim nivelin e tolerancës në botë dhe do të shfaqen shumë mundësi të reja për të gjithë ne.”

 

Edhe pse janë persona plotësisht të ndryshëm, të anketuarit tonë duan që të jetojnë dhe të prosperojnë në paqe dhe në harmoni. Duke marrë parasysh këtë, është e sigurt që të supozohet se dallimet tona nuk janë kërcënim, por përkundrazi shfaqin mënyra të ndryshme se si të arrijmë të njëjtat qëllime.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE