Tetorin e kaluar, Facebook njoftoi se po e riquan veten “Meta”. Ndryshimi i emrit është një shenjë e metaverses që themeluesi Mark Zuckerman beson se është “kapitulli i radhës për internetin”. Nëse ende nuk po mund ta kapni kapitullin aktual, nuk jeni vetëm. Shumë njerëz po pyesin se çka është metaverse dhe, më e rëndësishmja, nëse do të jetë një vend i sigurt për ta vizituar.
Çka është Metaverse?
Thënë thjeshtë, është një botë virtuale zhytëse ku njerëzit do të jetojnë, punojnë, blejnë dhe ndërveprojnë përmes avatarëve të tyre (ikona ose figura që e përfaqësojnë një person). Çelës për të hyrë në këtë mjedis zhytës do të jenë pajisjet e realitetit virtual (VR) dhe realitetit të shtuar (AR) (diçka si kufjet). Këto pajisje do t’ju mundësojnë të ndiheni sikur jeni brenda veprimit dhe po ndërveproni me të tjerët në kohë reale. Tingëllon e njohur? Nëse dëshironi ta keni një ide më të qartë se si do të jetë metaversi, duhet ta shikoni filmin “Ready Player One” bazuar në përshtatjen e librit të Ernest Cline me të njëjtin titull. Në këtë histori njerëzit detyrohen që të kalojnë shumë kohë në një univers virtual të quajtur OASIS. Atje, miqtë (nëpërmjet avatarëve të tyre) shoqërohen, përjetojnë aventura emocionuese dhe jetojnë me tipare fizike apo edhe gjini të ndryshme nga ato offline. Ashtu si në këtë film, së shpejti të gjithë do të mund të jemi në të njëjtin takim ose dhomë ndenje, në të njëjtin koncert virtual, ose të shfletojmë të njëjtat valë virtuale me miqtë dhe familjen që jetojnë në anën e kundërt të globit, ndërsa ndjehemi sikur jemi vërtet aty.
A do të jetë metaverse e sigurt?
Pyetja kryesore është nëse ky mjedis do të jetë i sigurt, posaçërisht për fëmijët. Fatkeqësisht, hulumtimi mbi ndikimin e përvojave VR tek fëmijët është relativisht i pakët. Megjithatë, hulumtimi mbi ndikimin e VR tek të rriturit nuk është i pakët, dhe tregon se ndikimi emocional dhe fiziologjik i VR është jashtëzakonisht intensiv pasi trupat dhe truri ynë në fakt e regjistrojnë atë si të vërtetë.
Por, si pothuajse çdo gjë tjetër në botën online, për çdo rrezik dhe fushë shqetësimi ekziston saktësisht e kundërta – përdorime pozitive dhe shpresëdhënëse të teknologjisë së re. Deri më tani, VR është treguar se e zvogëlon dhimbjen fizike dhe emocionale dhe ankthin gjatë procedurave mjekësore. Është përdorur për ta transformuar dhe përmirësuar arsimin. Ka pasur edhe përdorime të VR që ndryshojnë jetën – aplikacione për trajtimin e fobive, maktheve dhe PTSD. Është treguar gjithashtu se është e dobishme në ndërtimin e bashkëndjesisë, diversitetit dhe përfshirjes. Të gjitha këto aplikacione e shfrytëzojnë fuqinë e jashtëzakonshme të VR për ta mjegulluar kufirin në mes të virtuales dhe reales.
A jemi të gatshëm për metaverse?
Në ditët e Internetit të sapolindur, shumë njerëz besonin se kjo platformë e re e mrekullueshme do të ishte një ndihmë për njerëzimin, sepse do t’i lidhë të gjithë, pavarësisht nga raca, mosha, gjinia, statusi shoqëror ose bindjet politike, dhe bota do të ishte më e mirë për ta. Ndërsa shumë të mira kanë ardhur nga lidhjet tona digjitale, ende nuk i kemi zgjidhur problemet e urrejtjes online, keqinformimit, mujsharjes kibernetike, grabitqarëve, shkeljeve të sigurisë, mbledhjes së informatave personale, shënjestrimit të padëshiruar nga reklamuesit dhe shumë gjërave të tjera. Një gjë që mund ta ndihmojë sigurinë tonë në një metaverse masiv është përvetësimi i edukimit digjital që do të na duhet për të lundruar dhe për të marrë pjesë në mënyrë të sigurt dhe të mençur në këtë mjedis të ri.