COVID-19 NUK ËSHTË SHAKA!

 

COVID-19 nuk është shaka! – Kjo është e qartë tani edhe për skeptikët dhe mohuesit më të mëdhenj. Faktet dhe shifrat, dhe ngjarjet në kohë reale në tërë globin kanë treguar se kjo krizë globale ka nevojë për një qasje serioze nga i gjithë njerëzimi për ta fituar luftën kundër saj.

 

Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë në fillim të marsit, shumë është raportuar dhe është thënë për COVID-19. Sidoqoftë, nuk ka pasur shumë raporte të dorës së parë nëpër mediat kryesore nga njerëzit që në të vërtetë u infektuan. Kjo është kryesisht për shkak të së drejtës së secilit për privatësi në lidhje me çështjet mjekësore, veçanërisht kur publikimi i kësaj informate mund të çojë në stigmatizim shoqëror dhe/ose diskriminim. Përkundër kësaj, disa njerëz i përdorën llogaritë e tyre në media sociale (Facebook, Instagram, etj.) për ta ndarë përvojën personale me COVID-19 me shpresën që historitë e tyre ta rrisin vetëdijen për seriozitetin e kësaj krize globale.

 

‘Gjëja e parë që vura re duke hyrë në spital ishte rreshti i furgonave funerale që prisnin viktimën e radhës’ – D.Sh.

D. Sh. është një nga ata persona që e përdori llogarinë e tij në rrjetet sociale për ta dhënë një përshkrim të hollësishëm të mënyrës se si COVID-19 ndikoi në familjen e tij, përkatësisht se si vëllai i tij 38-vjeçar humbi jetën nga pandemia. Arsyeja e këtij postimi për D. Sh. është që të rritet vetëdija e publikut për seriozitetin e këtij armiku të padukshëm dhe kjo është arsyeja pse ai pranoi që Revista ‘For You’ të përdorë fragmente të postimit të tij për këtë artikull.

 

“Ndërsa jam i humbur në gjithçka që po ndodh, përmes zhurmës së rrotave të shtratit të tij portativ, po përpiqem të kuptoj se si vëllai im humbi kaq shpejt një nga funksionet më themelore të trupit – frymëmarrjen… infermierja në detyrë mi ndërpret mendimet e mia me zërin e saj të lartë dhe të qartë, ndërsa mi përsëritë pyetjet disa herë, sepse ajo e kupton konfuzionin që po ndodh në mendjen time”, shkruan D.Sh.

 

Njerëzit duhet të veprojnë me përgjegjësi

Doktor A.A. gjithashtu theksoi rëndësinë e njerëzve që të veprojnë me përgjegjësi dhe t’i respektojnë masat e rekomanduara kundër kësaj sëmundjeje. “Njerëzit ishin përkrahje e madhe për ne, punëtorët mjekësorë. Kur situata u ndërlikua, ata e morën seriozisht dhe iu përmbaheshin masave. Po të mos ishte kështu, të gjitha përpjekjet tona do të kishin qenë të kota, ne nuk do të kishim mundur të arrinim asgjë. Pra, mesazhi për të gjithë njerëzit është se me respektimin e masave të rekomanduara, durimin dhe përkrahjen e tyre, e gjithë kjo së shpejti do të mbetet prapa nesh”.

 

“Po përpiqem ta kuptojë se çka po ndodh. Vëllai im është në gjendje të qëndrueshme, por nuk mund të merr frymë pa ventilator. Mjekët ia kanë dhënë tërë kujdesin që munden, e tash vetëm duhet të presim. Duhet ta presim fundin e betejës në mes të COVID-19 dhe trupit të vëllait tim,” shkruan D. Sh. ndërsa shton: “Ndërsa rri para monitorëve dhe dëgjoj zhurmën irrituese të aparatit të ventilimit, mendoj për ata që pretendojnë se ky virus nuk është asgjë, është thjesht një grip. Nuk e di çka t’iu them. Ndoshta e vetmja gjë që do tu thosha është – eja këtu, ulu pranë meje. Të flasim së bashku se si një 38-vjeçar e humbi aftësinë e frymëmarrjes në vetëm 10 ditë. T’i shikojmë këta monitorë së bashku. Ta dëgjojmë së bashku zhurmën e ferrit që del nga makina e ventilimit. T’i dëgjojmë thirrjet e njerëzve që në aktet e tyre të fundit e refuzojnë edhe oksigjenin ashtu që vdekja t’i shpëtojë nga vuajtjet. Të dalim në ballkon dhe ta shohim viktimën e radhës që po futet në furgonin e funeralit”.

 

Bëhu i mençur

Kjo është një histori e vërtetë, prandaj bëhuni të mençur dhe mos e ekspozoni veten dhe ata që i doni para këtij rreziku. COVID-19 nuk është shaka, prandaj ruaje sigurinë tënde dhe të të tjerëve, barte maskën, mbaje distancën dhe mbaje higjienën.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE