DEZINFORMATAT: RËNDËSIA E VERIFIKIMIT TË INFORMACIONIT

 

Në epokën digjitale, interneti është bërë burimi kryesor i informacionit për shumë njerëz. Megjithatë, me rritjen e disponueshmërisë së informacionit, është rritur gjithashtu edhe shpërndarja e dezinformatave. Sipas Fjalorit të Oksfordit të Gjuhës Angleze dezinformimi përkufizohet si në vijim: Një formë e propagandës e cila e përfshinë shpërndarjen e informacionit të rrejshëm me qëllim të mashtrimit.

 

VERIFIKO çdo informatë

Për të qenë të mirë informuar por, edhe për të pasur një qasje të ndërgjegjshme ndaj informacionit dhe për të mos i dhënë jehonë informacioneve të pasakta që mund të përhapin panik apo edhe shkaktojnë dëme shumë të mëdha, është e nevojshme që të gjithë ne të praktikojmë verifikimin e informacionit. Prandaj, kur bëhet fjalë për informacionet që i lexoni apo shihni në internet gjithmonë kujtojeni fjalën: VERIFIKO!

 

Hapat për verifikimin e informacionit:

 

V – Verifikoni burimin: Para se ta pranoni dhe ta ndani me të tjerët një informacion apo lajm, kontrolloni burimin e tij. Sigurohuni që burimi është i besueshëm dhe i mbështetur nga burime të tjera të besueshme.

 

E – Eliminoni burimet e dyshimta: Nëse e hasni një burim të dyshimtë, që sjell informacion të pavërtetë, të gabuar ose të rremë, eliminojeni atë. Mos e ndani dhe mos përhapni informacion që nuk konfirmohet edhe nga burime të tjera të besueshme.

 

R – Ruajuni nga informacionet e rreme: Informacionet e rreme mund të sjellin pasoja të dëmshme. Mos u bëni pjesë e propagandës, teorive konspirative apo lajmeve të pavërteta. Tregohuni vigjilent dhe mos e pranoni si të qenë asnjë lajm apo informacion të cilin nuk mund ta verifikoni apo mbështesni me fakte dhe burime të tjera.

 

I – Interesohuni për vërtetësinë e lajmit: Para se t’i besoni një lajmi, bëjeni një kërkim të vogël vetë. Kontrolloni nëse ka raporte të tjera të besueshme që e konfirmojnë apo edhe e mohojnë atë. Mos u besoni menjëherë lajmeve bombastike dhe emocionale të cilat nuk ofrojnë fakte të vërteta.

 

F- Fakte! Fakte! Fakte!: Një nga mënyrat më të mira dhe më të sigurta për t’i zbuluar dezinformatat apo lajmet e rreme është që t’i kërkoni dhe kontrolloni faktet. Kërkoni informacione të verifikuara dhe të konfirmuara nga burime të besueshme. Mos i pranoni thashethemet, spekulimet apo pretendimet pa bazë solide.

 

I – Identifikoni autorin: Shikoni kush është autori i informacionit dhe çfarë kredencialesh apo përvoje ka ai. Për të identifikuar autorin, fillimisht shikoni nëse artikulli ose informacioni e ka një firmë të qartë. Autorët e informacionit të besueshëm zakonisht do të identifikohen me emër dhe, nëse është e mundur, me informacione shtesë për t’i njohur më mirë ata. Kjo mund të përfshijë lidhjet e tyre me institucione, organizata, apo studime të realizuara në fushën e caktuar.

 

K – Krahasoni informacionet dhe burimet: Një nga hapat më të rëndësishëm për të verifikuar një informacion është krahasimi i tij me burime të tjera të besueshme. Kontrolloni nëse të dhënat dhe faktet janë të përputhshme nëpërmjet burimeve të ndryshme. Nëse e gjeni ndonjë mos konsistencë ose kontradiktë, tregohuni të vëmendshëm dhe mos e pranoni informacionin si të vërtetë pa bërë më shumë hulumtim.

 

O – Orientoni miqtë/shokët tuaj te burimet e sakta: Pjesa më e rëndësishme në luftën kundër përhapjes së dezinformatave është ndikimi pozitiv që mund të keni tek të tjerët. Ndani me miqtë dhe shokët tuaj praktikat e verifikimit të informacionit dhe tregojuni atyre se si mund të mbrohen nga dezinformimi. Ndihmoni ata që të identifikojnë burimet e sakta dhe si të vlerësojnë në mënyrë kritike informacionin që ndajnë me të tjerët.

 

Luftoni dezinformatat

Të jetosh në një shoqëri me informacion të vërtetë dhe të saktë është e drejtë e çdo individi. Ndaj, bëhuni pjesë e luftës kundër përhapjes së dezinformatave dhepraktikoni verifikimin e informacionit në çdo moment. Duke e bërë këtë ju siguroheni që të mos përfshiheni në vorbullën e propagandave qofshin ato të qëllimshme apo pa dashje. Kështu mund të ndikoni në krijimin e një mjedisi të ndërgjegjshëm dhe të sigurt për të gjithë. Po ashtu, duke u angazhuar në këto praktika të verifikimit të informacionit, ju ndihmoni në promovimin e një mjedisi të përgjegjshëm dhe të saktë të informacionit në internet.

 

ZBULONI DHE SHPËRFILLNI DEZINFORMATAT!

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE