DHOMAT MIKE: NJË VEND I SIGURT DHE I MBROJTUR PËR VIKTIMAT E DHUNËS NË FAMILJE

 

Dhuna në familje njihet në kornizën ligjore ndërkombëtare si shkelje e tre të drejtave themelore të njeriut: e drejta për jetë dhe siguri personale, e drejta për barazi dhe ndalimi i torturës. Të njohësh një viktimë të dhunës në familje nuk është gjithmonë e lehtë, por ka disa karakteristika që viktimat e dhunës në familje zakonisht shfaqin, ato shpesh vuajnë nga ankthi, depresioni dhe vetëvlerësimi i ulët. Dhuna në familje është një problem serioz me të cilin përballen të dyja gjinitë, por sipas numrit të rasteve të raportuara në mbarë botën, është evidente se ky problem prek kryesisht gratë dhe vajzat.

 

Me qëllim të zgjidhjes së problemeve me të cilat ballafaqohen viktimat e dhunës në familje, Policia e Kosovës vazhdon të zhvillojë një fushatë sensibilizuese për pasojat e dhunës në familje. Dhuna nuk ndërpritet pa e raportuar dhe pa reagimin e organeve kompetente. Institucionet e Kosovës dhe ofruesit e shërbimeve janë të obliguar të parandalojnë dhunën në familje, t’i raportojnë rastet e dhunës në familje në Policinë e Kosovës, të mbrojnë viktimat e dhunës në familje, të hetojnë aktet e dhunës dhe të ndjekin penalisht autorët.

 

Për këtë arsye, Policia e Kosovës po punon për krijimin e Dhomave Mike për intervistimin e viktimave të dhunës në familje. Këto dhoma shpesh ndodhen brenda stacioneve të policisë dhe janë ambiente të projektuara posaçërisht që u mundësojnë viktimave të dhunës të ndajnë përvojën e tyre traumatike me policinë në një mjedis të qetë dhe komod.

 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, sqaron se rastet e dhunës në familje janë të ndjeshme dhe se qasja e policisë ndaj rasteve të tilla është parandalimi i dhunës nga njëra anë dhe trajtimi serioz i rasteve nga ana tjetër. Dhomat Mike i ndihmojnë ata edhe për sa vijon: “Policia e Kosovës në vazhdimësi ka punuar së bashku me institucionet përkatëse për të parandaluar rastet e dhunës në familje. Ne përdorim mjete të ndryshme për të arritur këtë qëllim dhe qëllimi ynë parësor është që pas sensibilizimit të ketë rritje të raportimit të rasteve të dhunës në familje”, tha ai.

 

Polici Sinisha Miciq theksoi se të flasësh për dhunën në familje mund të jetë e vështirë, por se është e rëndësishme që viktimat të dinë se nuk janë vetëm. Në stacionin e policisë ku ai punon rishtas është krijuar një hapësirë të veçantë për viktimat e dhunës në familje: “Departamenti ynë ka ngritur një dhomë mike, një kënd privat ku mund të tregoni pa trysni historinë tuaj. Duke pasur parasysh sigurinë dhe mirëqenien tuaj, ne e kemi krijuar këtë hapësirë sipas standardeve ndërkombëtare. Ne jemi të përkushtuar t’ju dëgjojmë, t’ju mbrojmë dhe t’ju ndihmojmë në çdo aspekt,” i porositi ai viktimat e dhunës në familje.

 

KFOR-i, OSBE-ja dhe EULEX-i së bashku në luftën kundër dhunës në familje

Duke punuar së bashku dhe duke angazhuar KFOR-in, OSBE-në, EULEX-in dhe PK-në, mund të bëhet shumë për të parandaluar dhunën në familje dhe për të krijuar një mjedis më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë në Kosovë. Për t’u siguruar që policët e PK-së të trajnohen në mënyrë efektive për përdorimin e dhomave mike, KFOR-i, OSBEja dhe EULEX-i organizuan trajnime për ta.

 

Majorja Miranda ROHNER, Shefe dhe Këshilltare e Zyrës për Çështjet Gjinore në KFOR, thotë se intervista e parë në rastet e dhunës në familje është vendimtare për fillimin e procedurave ligjore. Ajo theksoi se trajnimi ka për qëllim përmirësimin e profesionalizmit të policëve të PK-së. Sipas saj, gjatë trajnimit të zhvilluar, pjesëmarrësit janë njohur me metodologjinë praktike për kryerjen e intervistave dhe përgatitjen e raportit policor, pas së cilës viktimat kanë qasje më të mirë në drejtësi. “Dhomat Mike janë thelbësore në ofrimin e një hapësire të sigurt dhe të mbrojtur për viktimat.

 

Trajnimi i ofruar nga KFOR-i, OSBE-ja dhe EULEX-i për policët do të sigurojë që Dhomat Mike të përdoren në mënyrë efektive. Çdo intervistë duhet të kryhet në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur, në mënyrë që viktima të ndihet sa më rehat”, nënvizoi majorja ROHNER. Ajo shtoi se KFOR-i është i përkushtuar të mbështesë Policinë e Kosovës në luftimin e dhunës në familje dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, veçanërisht për ata që janë më të rrezikuar.

 

Në fund, le të shtojmë se bashkëpunimi ndërmjet KFOR-it, OSBE-së, EULEX-it dhe PK-së është jetik në parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje. Qëllimi i tyre i përbashkët është të reduktojnë dhe parandalojnë të gjitha format e dhunës në familje, si dhe të ofrojnë mbështetje policore për viktimat dhe dëshmitarët e dhunës në bazë gjinore dhe dhunës në familje.

 

Dhomat mike synojnë të ofrojnë një hapësirë të sigurt dhe të mbrojtur për viktimat që t’u tregojnë oficerëve të Policisë së Kosovës historitë e tyre pa ndjerë ndonjë presion apo dënim social. Është e rëndësishme që viktimat të ndihen sa më rehat që të jetë e mundur, në mënyrë që të hapen dhe të ndajnë përvojat e tyre, gjë që do t’i ndihmojë autoritetet të ndjekin penalisht autorët.

 

Këto dhoma janë të mobiluara sipas standardeve të njohura ndërkombëtarisht dhe të pajisura me pajisje që i ndihmojnë viktimat të ndihen rehat. Dhomat janë të projektuara për të qenë komode dhe të ngrohta, me ngjyra të këndshme dhe mobilje komode. Ato janë të pajisura me TV, tavolinë kafeje, divan dhe karrige. Një cep i dhomës është i pajisur me lodra dhe i dedikohet ekskluzivisht fëmijëve. Synimi është që të ofrohen kushtet më të rehatshme dhe atmosferë të sigurt pa marrë parasysh rrethanat e atyre që e tregojnë historinë e tyre.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE