DIMRI PO VJEN! – dhe kjo nuk do të thotë se ne do të flasim për serialin televiziv që theu rekordet – ‘Game of Thrones’, por për SIGURINË NË TRAFIK GJATË DIMRIT!
Dita e shkurtër, bora, acari dhe akulli
Sigurisht, gjërat e para që na vijnë në mendje kur përmendim dimrin janë skijimi, patinazhi, rrëshqitja me sajë ose bërja e dordolecit të borës. Thënë thjesht, të rriturit dhe fëmijët kanë gjithnjë kujtime të bukura për dimrin, sepse kënaqësitë që i sjell dëbora shkojnë përtej të ftohtit të dimrit dhe acarit. Ajo që shpesh harrohet është se përveç kënaqësisë dhe lojërave, dimri sjell edhe shumë rreziqe, veçanërisht për pjesëmarrësit në trafik, si për shoferët ashtu edhe për këmbësorët. Faktori i rrezikut rritet për shkak të ditës së shkurtër, borës, acarit dhe akullit. Të gjithë jemi të vetëdijshëm, se në këtë kohë të vitit errësohet herët, diku në mes të orës katër dhe pesë të pasdites. Kjo do të thotë që shoferët nuk i dallojnë këmbësorët mirë dhe nuk mund t’i vërejnë me kujdes lëvizjet e tyre. Kur këtij ekuacioni ia shtoni borën, acarin dhe akullin, nevojitet shumë pak për të ndodhur aksidenti.
Çka duhet të bëjmë?
Të shkojmë me radhë, është e rëndësishme që gjatë dimrit të veshim rroba me ngjyra të çelura. Nëse kjo nuk është e mundur, pajisja me vija fluoreshente, reflektorë sigurie ose një dritë e vogël e dorës është ideale. Së dyti, të gjithë këmbësorët dhe fëmijët, veçanërisht pas daljes nga shkolla, duhet të jeni të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm për çdo kërcënim të mundshëm të sigurisë. Fakti se mendoni se shoferi ju ka parë dhe e ka kuptuar se dëshironi ta kaloni rrugën, nuk do të thotë se jeni të sigurt. Mos harroni se ndalimi i veturës në rrugë me akull është shumë më i vështirë pasi distanca e nevojshme e frenimit është dhjetë herë më e gjatë se normalja.
Policia e Kosovës dhe siguria në komunikacion
Të gjithë janë të vetëdijshëm se Policia e Kosovës është institucioni i parë dhe më i rëndësishëm kur bëhet fjalë për sigurinë në trafik. Prandaj, ata vazhdimisht punojnë në përmirësimin dhe rritjen e sigurisë në trafik. Për suksesin e këtij misioni ata i shfrytëzojnë të gjitha mjetet që i kanë në dispozicion duke filluar nga organizimi i fushatave vetëdijesuese, patrullat dhe gjobitja e atyre që i shkelin rregullat e trafikut në tërë Kosovën.
Të gjithë jemi pjesëmarrës në trafik
Zakonisht kur dikush përmend sigurinë në trafik, të gjithë mendojmë për ngasësit dhe automjetet e tyre. Sidoqoftë, ata nuk janë pjesëmarrësit e vetëm në trafik. Këmbësorët, çiklistët dhe të gjithë të tjerët që e shfrytëzojnë rrugën janë pjesëmarrës në trafik. Prandaj, është e rëndësishme që, veçanërisht gjatë dimrit, të gjithë ta rrisim vetëdijen tonë dhe tu bindemi rregullave. Ndoshta mendoni se ky mesazh nuk vlen për ju dhe se jeni shumë të rinj për ta ndërruar këtë situatë, por e vërteta është larg nga ky mendim, pasi në fakt ju jeni në pozitë për të sjellë ndryshime pozitive në shumë mënyra.
Kaloje rrugën me kujdes!
Si këmbësorë, ju duhet të keni kujdes kur e kaloni rrugën në vendkalimin për këmbësorë. Për më tepër, ju që pëlqeni të dëgjoni muzikë gjatë ecjes, kurrë nuk duhet t’i mbani kufjet në të dy veshët. Kjo paraqet kërcënim serioz për ju. Kur të dilni me biçikletë, mos harroni se nuk jeni personi i vetëm në rrugë dhe se ka edhe njerëz tjerë në trafik, prandaj kujdesu për ta aq sa pret që të tjerët të kujdesen për ju.
Ngrije zërin ndaj zakoneve të këqija të ngasjes
Ju mund të ndikoni edhe mënyrën se si ngasin njerëzit tjerë. Nëse jeni në veturë dhe e shihni ngasësin duke e përdorur telefonin, mos heshtni por kujtojani se ai veprim ju rrezikon juve edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik. Mos hezitoni t’ia përkujtoni ngasësve edhe kur e tejkalojnë shpejtësinë e lejuar; ndonjëherë mjafton një fjalë e vetme për t’i bërë të vetëdijshëm për veprimet e pamatura. Me fjalë tjera, nëse veprimet e ngasësit ju bëjnë të ndiheni parehatshëm dhe të pasigurt, bëjani me dije. Një fjalë nga ju mund të jetë dallimi në mes të sigurisë dhe një aksidenti të rëndë.