DISA FAKTE INTERESANTE PËR LONDRËN

 

Si kryeqyteti i Anglisë dhe i Mbretërisë së Bashkuar, Londra është një prej metropoleve më të njohura dhe më të vizituara në botë. Ajo dallohet me larminë e saj, dhe pa marrë parasysh se çka ju intereson dhe pëlqen juve, në Londër do të gjeni gjithmonë diçka që do t’ju pëlqejë. Në vijim para jush i sjellim disa fakte interesante për Londrën dhe mbase ato do të jenë shtysë e mjaftueshme që t’ju nxisin që ta vizitoni këtë destinacion të larmishëm dhe ngazëllues.

 

Kush është Big Ben

Shumëkush mendon se emri Big Ben, një prej pikave më të fotografuara të kryeqytetit britanik, i referohet kullës me orën e famshme të qytetit. Mirëpo, në fakt, ky emër i takon kambanës që peshon 13 tona, e cila gjendet brenda kullës. Origjina e kësaj nofke për këtë kambanë është e hapur për diskutim pasi që në njërën anë besohet se ky emërtim është për nder të Sir Benjamin Hall, i cili e mbikëqyri instalimin e saj, kurse në anën tjetër ky emërtim është për nder të kampionit të peshave të rënda në boks Benjamin Caut.

 

Clock Tower ose Elizabeth Tower

Kur jemi te emërtimet, emri zyrtar origjinal i kullës së orës në të cilën gjendet Big Beni ishte Clock Tower (Kulla e Orës), mirëpo në vitin 2012 asaj iu ndërrua emri në Elizabeth Tower (Kulla e Elizabetës) për nder të Jubileut të Diamantit të Mbretëreshës Elizabeta e II. Jubileu i Diamantit do të thotë 60 vjetori i hipjes në fron të Elizabetës.

 

Pabet e Londrës dhe emrat e tyre

Fillimisht, pabet e Londrës nuk kishin asnjë shenjë dalluese, sepse pjesa më e madhe e popullsisë ishin analfabetë. Duke qenë se agjentët tatimor të asaj kohe nuk e dinin se ku ndodhej saktësisht secili pab, Mbreti Richard i II dha urdhër që pronarët e të gjitha pabeve të varnin shenja mbi dyert e tyre. shumë shpejt mbi dyert e secilit pab u vendosën shenja me vizatime të kafshëve dhe kështu banorët e Londrës filluan që t’i dallonin ato sipas këtyre shenjave. Ky trend ka mbijetuar deri në ditët e sotme, ndërsa emërtimi i pabeve të Londrës sipas kafshëve është kthyer në një traditë të veçantë të Londrës.

 

Taksitë Hackney

Një tjetër simbol tejet i njohur i Londrës janë edhe taksitë e zeza të njohur si hackney. Për ta marrë lejen për taksistë duhet të përfundohet një trajnim rigoroz, i cili për shumicën e taksistëve në botë është i paimagjinueshëm. Provimi praktik për lejen për taksistët e Londrës në gjuhën angleze njihet me emrin The Knowledge (Dija) dhe pothuajse askush nuk e kalon në tentimin e parë. Mesatarja e tentimeve për kalimin e këtij provimi është dymbëdhjetë herë. Përgatitjet për provim zgjasin nga dy deri në katër vjet dhe gjatë kësaj kohe taksistët e ardhshëm duhet të njihen me çdo pjesëz të Londrës. Ata aftësohen që pa përdorimin e hartave ose navigacionit të jenë në gjendje që paraprakisht të planifikojnë rrugëtimin sapo që klienti t’ua tregojë destinacionin. Për ta kaluar provimin ata duhet t’i mësojnë përmendësh 25.000 rrugë dhe të gjitha lokacionet më të rëndësishme të Londrës si ndërtesat, sheshet, parqet, dhe të ngjashme.

 

Sherlok Holms (Sherlock Holmes)

Sherlok Holmsi, një prej detektivëve të letërsisë më të famshëm në botë, ishte banor i Londrës. Në tregimet e shkruara nga Sir Arthur Conan Doyle, Sherlok Holmsi jhetonte në rrugën Baker, numër 221b. ‘Banesa e tij’ ekziston edhe sot e kësaj dite, dhe ajo është shndërruar në muze, dhe ai është mobiluar që të dukej ashtu siç dukej në periudhën vikotriane. Vizitorët mund të fotografohen përpara muzeut afër pllakës së adresës, por edhe që t’i shohin të gjitha gjërat e Sherlok Holmsit si llupën, violinën, dhe karrigen përpara oxhakut në të cilën ai ulej shpesh teksa mundohej të zgjidhte rastet e shumta misterioze.

 

London Eye (Syri i Londrës)

Rrota rrotulluese panoramike më e madhe në botë, e cila njihet si Syri i Londrës (London Eye) ose Rrota e Mijëvjeçarit (Millenium Wheel), gjendet në Londër. Ajo i ka 32 kapsula, mirëpo ato janë shënuar me numrat 1 deri në 33, pasi që numri 13 është përjashtuar, sepse konsiderohet si numër ters. Ajo i zë rreth 800 persona përnjëherë dhe secila xhiro zgjat rreth tridhjetë minuta.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE