DISA FJALË QË E KANË ORIGJINËN NGA EMRAT OSE MBIEMRAT E NJERËZVE

 

Origjina e fjalëve është një fushë tejet interesante dhe unike e studimit dhe shkenca që merret me studimin e saj quhet etimologji. Se sa interesante është kjo fushë mbase më së miri e shpjegon tregimi për lindjen e fjalës sandviç sipas emrit të Kontit Sandviç. Ky i fundit, teksa luante bixhoz për të mos u larguar nga tavolina u kërkonte shpesh shërbëtorëve që të vendosnin një copë mishi mes dy copave të bukës. Mirëpo krahas fjalës sandviç ekzistojnë edhe fjalë të tjera origjina e të cilëve vjen nga emrat ose mbiemrat e njerëzve të caktuar.

 

Bojkoti (Boycott)

Çarls Bojkot (Charles Boycott) nuk ishte shumë i dashur në Irlandë gjatë vitit 1880. Pasi sëmundja e detyroi që të tërhiqej nga ushtria, ai filloi të punonte si agjent i tokave për Lordin Erne, në qarkun Mayo (Majo).

 

Problemet e Çarls Bojkotit filluan në vitin 1879 kur kriza ekonomike e shkatërroi bujqësinë irlandeze, dhe si pasojë Irlanda u kërcënua nga zija e bukës. Asokohe fshatarët irlandezë u organizuan dhe filluan të kërkonin uljen e qirave të tokave. Përmes përfaqësuesve të tyre, Çarls Stuart Parnel (Charles Stewart Parnell) dhe Majkëll Davit (Michael Davitt) themelues to Ligës Agrare Irlandeze, në vitin 1980 ata i kërkuan Bojkotit që të ulte çmimin e qirave të tokave me 25 për qind.

 

Bojkot e refuzoi këtë kërkesë, por nuk e dinte se për shkak të këtij vendimi ai do të humbiste gjithçka që kishte arritur gjatë viteve paraprake. Dega e Ligës Agrare të Irlandës në qarkun Mayo i kërkoi punëtorëve të Bojkotit që të ndërpresin punën dhe të fillonin një fushatë për izolimin e Çarls Bojkotit, gjegjësisht që komuniteti ta bojkotonte atë.

 

Nikotinë

Kur diplomati dhe shkencëtari francez Zhan Nikot (Jean Nicot) u kthye në vitin 1561 në Paris, pas shërbimit të Lisbonë, ku shërbeu si ambasador, ai me vete e solli edhe një bimë që shkaktonte varësi dhe e cila ishte zbuluar në Botën e Re (Amerikë).

 

Nikot erdhi në kontakt me këtë bimë në Lisbonë ku ajo shndërrohej në pluhur dhe thithej me hundë dhe shërbehej si ilaç kundër çdo gjëje, e madje edhe kancerit. Pasi e demonstroi përdorimin e tij në oborrin francez, shumë shpejt fisnikëria franceze filloi ta përdorte atë dhe Zhan Nikot u bë shumë popullor.

 

Në vitin 1753, botanisti suedez Carl Linnaeus, i njohur edhe si Carl von Linné, e emëroi bimën e duhanit Nikotiana Tabakum (Nicotiana Tabacum) për nder të Zhan Nikot dhe vite më vonë edhe përbërësi aktiv i kësaj bime, i cili u izolua për herë të parë në vitin 1828, po ashtu u emërua nikotinë.

 

Silueta

Silueta, që fillimisht ishte portreti i zi në sfond të bardhë, është një formë artistike e cila ishte e popullarizuar në shekujt 18 dhe 19, kurse emri i saj vjen nga ministri francez i financave Etien de Siluet (Étienne de Silhouette).

 

Në periudhën kur Franca u përballë me krizën e shkaktuar nga Lufta Shtatëvjeçare, mbreti francez Luigji i XI, e angazhoi Siluetin që të kujdesej për financat shtetërore. Mandati i Siluetit zgjati tre muaj, dhe gjatë kësaj kohe ai i uli rrogat dhe pensionet dhe vendosi taksa ndaj fisnikërisë. Këto masa nuk i pëlqyen shoqërisë së atëhershme, dhe kështu qytetarët francezë në shenjë hakmarrjeje filluan të visheshin sikurse Siluetë – rroba të thjeshta dhe të ngushta, që të dukeshin sikur janë varfëruar dhe kanë humbur peshë nga uria.

 

Protesta e qytetarëve, më pas vazhdoi vetëm me paraqitjen e pamjeve të njerëzve në formë skice nëpër muret e ndërtesave me shënimin se ato ishin viktimat e Siluetit, të cilat ishin dobësuar nga uria.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE