Futbolli është një nga sportet më të popullarizuara në Kosovë dhe me kalimin e viteve, futbolli i femrave ka marrë vëmendje të konsiderueshme. Pavarësisht sfidave, Kosova ka bërë hapa përpara në zhvillimin e futbollit të femrave, me disa klube dhe liga në nivele të ndryshme. Z. Sedat Limani, themeluesi, menaxheri dhe sponsori i vetëm i Akademisë dhe Ekipit të Vajzave të KF “2 Korriku” (Klubi i Futbollit) ndau mendimet e tij mbi gjendjen e futbollit të femrave në Kosovë dhe rolin që luan klubi i tij në promovimin e diversitetit multietnik në sport.
Nga fillimet modeste në një akademi të duhur futbolli
KF “2 Korriku” është një nga akademitë e sapodala të futbollit për vajza në Kosovë. Akademia u themelua në vitin 2021 dhe filloi me një numër të vogël lojtaresh. Sot, akademia është rritur në dy grupe me gjashtëdhjetë e dy vajza, të ndara në moshat 10-12 dhe 12-15 vjeç. Vajzat më të mëdha marrin pjesë në Ligën U17, ndërsa më të rejat stërviten dhe herë pas here luajnë në miqësore me moshataret e klubeve të tjera. Përveç se është menaxher dhe sponsor, z. Limani është gjithashtu një baba krenar i një vajze që luan për klubin dhe është i pasionuar pas promovimit të futbollit të vajzave në Kosovë. Ai vuri në pah se qëllimi kryesor i akademisë është të ofrojë një platformë për vajzat për të zhvilluar aftësitë e tyre në futboll, por gjithashtu të promovojë diversitetin dhe përfshirjen mes vajzave me prejardhje të ndryshme etnike.
Toleranca, barazia dhe loja e ndershme
Akademia dhe ekipi i vajzave të KF “2 Korriku” është unik për arsye se përfshin vajza nga komunitete të ndryshme etnike në Kosovë, duke përfshirë shqiptare, turke, boshnjake dhe gorane. Z. Limani theksoi se marrëdhënia e vajzave brenda akademisë është shumë pozitive dhe respektuese. Kjo për shkak të theksit të akademisë mbi tolerancën, barazinë dhe lojën e ndershme, të cilat janë të përfshira në sesionet e rregullta edukative që mbahen me vajzat. Sesione të tilla synojnë t’u mësojnë vajzave rëndësinë e trajtimit të të gjithëve në mënyrë të barabartë pavarësisht nga përkatësia etnike, raca ose ngjyra e tyre.
SARA BULLIQI: “Klubi ynë është unik ngase përfshin vajza nga komunitetet e ndryshme etnike në Kosovë, duke përfshirë shqiptare, turke, boshnjake dhe gorane.”
Një nga pikat kryesore të përkushtimit të KF “2 Korriku” për promovimin e diversitetit multietnik në futbollin e femrave ishte pjesëmarrja e tyre në turneun KOMM MIT në Kroaci. Turneu u organizua nga OJQ-ja gjermane KOMM MIT, e cila ka organizuar ngjarje të ngjashme në të gjithë Evropën për 40 vitet e fundit. Turneu ishte sa konkurrues aq dhe festiv, me synimin për të promovuar futbollin e femrave dhe kohezionin social mes vajzave të reja nga vende dhe kultura të ndryshme.
KF “2 Korriku” është përzgjedhur për të marrë pjesë në turne me ndihmën e UNFPA-së, UNDP-së, FFK-së dhe JAKO Kosovës. Turneu solli së bashku ekipe vajzash nga vende të ndryshme, duke e përfshirë Slloveninë, Italinë, Austrinë dhe Gjermaninë. Z. Limani theksoi se turneu ishte një mundësi e shkëlqyer për vajzat që të ndërveprojnë me moshatarët e tyre nga vende dhe kultura të ndryshme, të mësojnë për stilin e tyre të jetesës dhe të bëjnë miq të rinj. Gjithashtu, ekipi i KF “2 Korriku” performoi jashtëzakonisht mirë. Edhe pse ekipi i akademisë nuk e fitoi turneun, ata performuan në mënyrë të admirueshme, duke demonstruar punë të shkëlqyer ekipore, disiplinë dhe sportivitet. Për z. Limani, turneu ishte një mundësi e shkëlqyer që vajzat e tij të përjetojnë futbollin në një mjedis konkurrues, duke promovuar gjithashtu diversitetin dhe bashkëpunimin mes vajzave të reja me prejardhje të ndryshme etnike dhe kulturore.
RESMINA TORO: “Ky klub futbolli është një tregim suksesi dhe një shembull i shkëlqyer se si futbolli i vajzave mund të promovojë tolerancën, diversitetin dhe përfshirjen.”
Një storie suksesi që meriton mbështetje
Storia e suksesit të KF “2 Korriku” është një shembull i shkëlqyer sesi futbolli i femrave mund të promovojë tolerancën, diversitetin dhe përfshirjen. Z. Limani beson fuqishëm se futbolli i femrave mund të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e vlerave të tilla, veçanërisht në Kosovë, ku ende ekzistojnë ndarje etnike. Ai thekson se vajzat e reja përmes futbollit mund të mësojnë të vlerësojnë bashkëmoshataret e tyre me prejardhje dhe kultura të ndryshme dhe kjo mund të ndihmojë në zvogëlimin e hendekut midis komuniteteve të ndryshme. Storia e suksesit e Akademisë së Vajzave dhe ekipit të KF “2 Korriku” gjithashtu e nxjerr në pah rëndësinë e investimit në futbollin e femrave. Pavarësisht sfidave dhe mungesës së financimit, ky klub ka arritur të krijojë një platformë ku të rejat mund të ndjekin pasionin e tyre për futbollin dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre, duke çuar në fund të fundit drejt suksesit në fushë.
Investimi në futbollin e femrave jo vetëm që krijon mundësi për atletet femra, por gjithashtu kontribuon në barazi gjinore dhe fuqizim. Gjithashtu mund të ketë një ndikim pozitiv në ekonominë dhe shoqërinë në tërësi duke gjeneruar të ardhura, duke krijuar vende të reja pune dhe duke promovuar përfshirjen sociale. Duke e mbështetur dhe investuar në futbollin e femrave, ne mund të krijojmë një botë më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse, ku të rejat do të kenë mundësinë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të arrijnë sukses brenda dhe jashtë fushës.