DONACION NGA KFOR-I PËR QENDRËN E GJUHËVE NË PRISHTINË

 

Dje më datë 14 prill 2022, ekipi i CIMIC (bashkëpunimit civil-ushtarak) të KFOR-it i dhuroi Qendrës së Gjuhëve (QGJ) të Fakultetit Filologjik në Prishtinë pajisje kompjuterike (laptopë, kompjuterë, printer, tabelë inteligjente) si dhe orendi për klasa.

 

Me rastin e ceremonisë së dorëzimit të këtij donacioni të çmuar Jarmo Holopainen, Kryendërlidhësi i Bashkëpunimit Civil-Ushtarak në KFOR, deklaroi: “Ne jemi të lumtur që e kemi mundësinë që t’i ndikojmë, mbështesim dhe përmirësojmë metodat e juaja të mësimdhënies përmes këtij donacioni. Jemi shumë të lumtur që na është dhënë mundësia të ju përkrahim me këto donacione sot dhe ishte shumë interesante të kuptonim se çfarë gjuhësh u mësoni të interesuarve në këtë qendër. E nënvizoj faktin, që të mësuarit e gjuhëve të huaja, përveç gjuhës amë, është e një rëndësie të veçantë.”

 

Edhe Oficeri i CIMIC-ut, Myles Carlos, i entuziazmuar, pohoi se kjo ndihmë vjen pas kërkesës nga kjo qendër, e cila, siç e theksoi ai, e meriton që të ndihmohet: “Pajisjet elektronike që i dhuruam sot janë të llojllojshme dhe ndjehemi të përmbushur që përmes tyre, të rinjve dhe të gjithë atyre që duan të mësojnë gjuhë të huaja, ua kemi lehtësuar këtë proces”.

 

Në emër të Qendrës së Gjuhëve këtë donacion e pranoi dekania e Fakulteti të Gjuhës Angleze, znj. Lindita Sejdiu-Rugova, e cila është një prej nismëtareve dhe kryesueseve të ekipit që e ka jetësuar këtë projekt. Me këtë rast ajo e shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tërë ekipit të saj për pranimin e këtij donacioni të domosdoshëm për funksionimin e qendrës.

 

“Kjo qendër nuk do të jetë e varur nga Universiteti i Prishtinës (UP). Ndonëse jemi Institut brenda UP-së, ne do të funksionojmë nga gjenerimi i mjeteve nga jashtë, prandaj edhe donacioni i sotëm që na erdhi nga KFOR-i, është pa diskutim i mirëseardhur dhe tejet i nevojshëm për ne. U jemi falënderues për këtë kontribut të çmuar dhe ajo çfarë ne mund të bëjmë në shenjë falënderimi për ta, është ofrimi i kurseve intensive të gjuhëve falas, për ushtarët e KFOR-it që dëshirojnë të mësojnë gjuhët vendore,” tha në mes të tjerash dekania Sejdiu-Rugova.

 

Falënderuese ndaj këtij donacioni të KFOR-it, ishte edhe prodekania, znj. Milote Sadiku, e cila ndër të tjera tha: “Ky donacion sot, është shumë i rëndësishëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, përfshirë mësimdhënësit apo studentët që duan të dinë një gjuhë më shumë, prandaj e ritheksoj që kjo përkrahje e KFOR-it sot, është shtysë e fortë për të dhënë maksimumin tonë në këtë aspekt.”

 

Ky donacion është dëshmi që KFOR-i mbetet i përkushtuar për të ndihmuar në zhvillimin e komuniteteve dhe organizatave në të gjithë Kosovën.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE