Pandemia e virusit korona na ka mësuar shumë, por mbi të gjitha na ka treguar se solidariteti, bashkëndjenja dhe ndihma janë thelbësore në situate të tilla. Përveç parandalimit të përhapjes së pandemisë, mundësia për t’i ndihmuar njëritjetrit në këtë kohë të distancimit social na jep një ndjenjë sigurie dhe mirëkuptimi. Mbështetja dhe solidariteti janë gurthemelet e donacioneve të KFOR-it. Në mes të pandemisë në Kosovë, njësiti civilo-ushtarak vazhdoi me donacione, duke dhuruar pajisje mbrojtëse për ata që janë në vijë të parë, që punojnë punë publike. Donacion pati për komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Jugut, si dhe për spitalet në Graçanicë dhe Prishtinë. KFOR-i u dhuroi pajisje mbrojtëse personale, në vlerë 70000 euro, institucioneve shëndetësore në Graçanicë dhe Prishtinë. Donacioni përfshinte mijëra maska, dorëza, syze, veshje izoluese, si dhe termometra me rreze infra të kuqe dhe dezinfektues për duar. Ky donacion është veçanërisht i rëndësishëm sepse, ndërsa kujdesen për pacientët, do të shmanget përhapja e virusit në mesin e punëtorëve shëndetësorë, puna e të cilëve është jetike.
“Ky donacion është një vepër solidariteti që pasqyron bashkëpunimin e ngushtë midis KFOR-it dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe është pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO-ja, për të ofruar mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë, siç kërkohet nga Rezoluta
1244 e vitit 1999 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara,” tha Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Mikele Risi. Projekti u financua nga NATO-ja dhe u realizua nga ekipi për bashkëpunim civil-ushtarak. Ky projekt është pjesë e përkushtimit të përgjithshëm të Aleancës për të mbështetur operacionet e saj dhe të vendeve anëtare dhe partnerëve të saj.
Komandanti i Komandës Rajonale-Lindje të KFOR-it, koloneli Eric Riley, ua dorëzoi komunave të
Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut katërmijë (4000) palë doreza jo-sterile, 200 palë doreza sterile, 20 kuti maska N95, 350 maska për pacientë, 100 këmisha të fjetjes për spital, 54 shishe me dezinfektues për duar dhe produkte të tjerë sanitare. Në emër të komuniteteve të këtyre komunave donacionin e pranuan kryetarët Agim Bahtiri dhe Goran Rakiç. Majori Denis Simon, zyrtar për kontrollin e infeksioneve në Komandën Rajonale – Lindje e KFOR-it tha se pajisjet mbrojtëse të dhuruara janë të domosdoshme për personelin shëndetësor që reagojnë me efikasitet ndaj rasteve me COVID-19. “Komanda Rajonale-Lindje e KFOR-it qëndron përkrah partnerëve tanë të NATO-s dhe të gjithë
atyre që janë goditur nga kriza,” shtoi kolonel Riley. “Ne jemi duke marrë masa preventive për të parandaluar përhapjen e COVID-19, duke vazhduar misionin tone për të ofruar mjedis të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës, “ tha ai.
Që nga shpërthimi i COVID-19, KFOR ka realizuar aktivitetet e tij të rregullta, si dhe ka ndërmarrë masa preventive të rrepta në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për
të kufizuar përhapjen e virusit, dhe për të zvogëluar rrezikun për pjesëtarët e vet dhe për komunitetet të cilave u shërben. KFOR-i vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e mjedisit të qetë dhe të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Patrullimet vazhdojnë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, në tërë Kosovën. Përveç donacionit të pajisjeve mbrojtëse, gjatë pandemisë KFOR gjithashtu dhuroi ushqim dhe veshmbathje për familjet në nevojë, si pjesë e një projekti më
të gjerë të realizuar nga Njësiti Shumëkombësh i Specializuar (MSU) i KFOR-it. Që nga fillimi i vitit janë dorëzuar 50 donacione me ushqim dhe veshmbathje, në vlerë 70000 euro, në 14 komuna të Kosovës. Mediat e KFOR-it janë duke e realizuar një fushatë intensive informuese për të këshilluar komunitetet në Kosovë në mënyrë më të shpejtë dhe më të saktë lidhur me masat për kontrollin e
virusit, në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. “Aftësia e KFOR-it për të kryer operacione nuk është e kompromentuar. Forcat tona mbeten të gatshme dhe puna jonë vendimtare vazhdon,” porositi komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Mikele Risi.