DONACIONET E KFOR-it NDIHMOJNË NË PËRMIRËSIMIN E SEKTORIT TË SHËNDETËSISË

 

KFOR-i është një kontribues aktiv në përmirësimin e sektorit të kujdesit shëndetësor në Kosovë. Gjatë pandemisë COVID-19, KFOR-i ka dhuruar pajisje mjekësore për institucione dhe organizata të ndryshme shëndetësore. Siç është paraqitur më poshtë, donacionet e KFOR-it në lidhje me shëndetin kanë për qëllim të mbështesin komunitetet në zona të ndryshme në Kosovë.

 

Donacion për stacionin e ri të ndihmës së parë në Vidanje

Vidanja është një fshat në Komunën e Klinës në të cilin para disa muajsh u inaugurua stacioni i ri i ndihmës së parë në nivel lokal, i cili ishte shumë i nevojshëm për banorët aty. Me qëllim që stacioni të jetë funksional dhe i gatshëm për të ofruar mbrojtjen e nevojshme shëndetësore për njerëzit, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19, KFOR-i i dhuroi pajisje të vlefshme dhe të nevojshme mjekësore.

 

Punonjësit e stacionit të ndihmës së parë e pranuan ndihmën e KFOR-it me mirënjohje të madhe. Doktor Z. Jesic deklaroi: “E kemi pranuar një donacion shumë të mirë dhe të rëndësishëm nga KFOR-i. Kjo ndihmë është jetike për të gjithë njerëzit e këtij rajoni. I falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar, dhe e falënderoj edhe KFOR-in për besimin që ka tek ne”.

 

Edhe Silvija Raskoviq, shefja e zyrës për të kthyerit në Komunën e Klinës, ishte dukshëm e lumtur. Ajo e shprehu kënaqësinë e saj duke thënë: “Ky donacion do të thotë shumë, sepse deri tani banorët e Vidanjës për çdo lloj trajtimi duhej të udhëtonin në Osojanë. Megjithatë, falë pajisjeve mjekësore të dhuruara, këtu do të mund të kryejmë shumë më shumë ekzaminime këtu.”

 

Me rastin e dorëzimit të pajisjeve mjekësore, nënkoloneli Frederic Fuerschuss nga njësia e CIMIC (Bashkëpunimi Civilo-Ushtarak) e KFOR-it e theksoi rëndësinë e respektimit të këshillave të ekspertëve për të parandaluar përhapjen e COVID-19. “Është shumë e rëndësishme që të marrim seriozisht të gjitha masat mbrojtëse dhe të respektojmë rekomandimet e ekspertëve mjekësorë. Gjëja më e rëndësishme është të mbajmë maskën dhe distancën sociale, dhe sigurisht të vaksinohemi. U rekomandoj të gjithë atyre që mund të vaksinohen, ta bëjnë këtë.”

 

Trajtime më të mira mjekësore për banorët e Komunës së Hanit të Elezit

Një donacion të KFOR-it e ka pranuar edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit. Njësia e CIMIC-ut i ka dhuruar kësaj qendre mbi 9000€ pajisje mjekësore. Togeri Olindo Pagliaro, përfaqësues i Komandës Rajonale-Perëndim, i cili mori pjesë në dorëzimin e këtij donacioni, tha: “Kujdesi shëndetësor është identifikuar si prioritet për projektet e CIMIC-ut të KFOR-it dhe jam i lumtur që banorët e kësaj komune do të përfitojnë nga trajtime më të mira mjekësore falë këtij donacioni.”

 

Mirënjohje për ndihmën e pranuar shprehu edhe dr. Njazi Luma nga Qendra Mjekësore, i cili theksoi se ky donacioni ishte shumë i nevojshëm për ta: “Ky donacion do t’i ndihmojë popullatës së kësaj ane të marr trajtimet e nevojshme, si dhe të ofrojmë shërbime cilësore në Han të Elezit. Çdo pajisje është e rëndësishme në mjekësi, sidomos karriget mjekësore, frigoriferët mjekësorë dhe materialet e tjera që i kemi marrë sot dhe na janë nevojitur shumë në këtë qendër, sepse ne nuk kemi pasur pajisje të tilla në komunën tonë”, theksoi Dr. Luma.

 

KFOR-i mbetet i përkushtuar për të mbështetur të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë

Përmes këtyre donacioneve KFOR-i manifeston përkushtim dhe mbështetje të plotë për njerëzit dhe institucionet në Kosovë, me fokus të veçantë në sistemin e kujdesit shëndetësor. Donacionet e tilla janë vetëm disa nga një seri projektesh të KFOR-it që synojnë të ndihmojnë të gjitha komunitetet.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE