DY DEKADA TË POLICIMIT NË BASHKËSI

 

Policimi në bashkësi njihet si një koncept i ri në Policinë e Kosovës (PK). Ndonëse, ai është duke u zbatuar me mjaft sukses tash e dy dekada. Sot, ai e përfaqëson filozofinë dhe strategjinë organizative në PK, që i promovon përpjekjet e bazuara në partneritetin dhe bashkëpunimin në mes të njerëzve dhe policisë lokale. Ai ndihmon në identifikimin e problemeve për të parandaluar dhe zbardhur krimet, për të ulur frikën nga kriminaliteti, dhe për të parandaluar dukuritë negative në bashkësi, rrjedhimisht duke e përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë.

 

Policimi në bashkësi – një domosdoshmëri

Sipas kapiten Sali Dragidella me synimin për ta bërë Kosovën një vend më të qetë dhe më të sigurt, në vitin 2002 Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës e filloi implementimin e programit të parë të Policimit në Bashkësi. Qëllimi i këtij programi ishte zhvillimi i raporteve të reja dhe promovimi i raporteve ekzistuese në mes të komunitetit dhe policisë. Ky program e adresonte edhe një problem tjetër me të cilin përballej asokohe shoqëria e Kosovës, që ishte një trashëgimi e mosbesimit dhe e mungesës së bashkëpunimit të publikut me policinë.

 

Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës është pararendësja e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike. Ajo u themelua nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në shtator të vitit 1999. Qëllimi i saj ishte formimi i një force moderne policore, që do ta përmirësonte besimin në sundimin e ligjit.

 

Policia dhe publiku, partnerë për mirëqenie më të mirë

“Policimi në bashkësi i balancon përgjigjet reaktive ndaj thirrjeve për shërbim me zgjidhjen e problemeve në mënyrë pro-aktive, duke u përqendruar në gjetjen e shkaqeve të krimit dhe prishjes së rendit. Policimi në bashkësi kërkon nga policia dhe publiku që të punojnë së bashku si partnerë në parandalimin dhe zgjidhjen e problemeve për një mirëqenie më të mirë për të gjithë,” deklaroi kapiten Dragidella. Ai vazhdoi më tej duke i theksuar disa prej përfitimeve kryesore nga implementimi i konceptit të policimit në bashkësi:

 

  • Bashkësia i përcjellë më lehtë shqetësimet e tyre tek policia, gjë që mund të sjell përmirësimin e parandalimit të krimit;
  • Avancimi i partneritetit, rrjedhimisht rritjen e besimit të publikut;
  • Duke e plotësuar punën e policimit në bashkësi, institucionet e tjera mund t’i kursejnë burimet e tyre në trajtimin e problemeve;
  • Një marrëdhënie e shëndoshë në mes të policisë dhe publikut mund t’i mobilizoj këta të fundit që ta respektojnë ligjin.

 

Të gjithë zyrtarët policor, pjesë e policimit në bashkësi

Policimi në bashkësi sot dallon nga koncepti i mëparshëm që është zbatuar në PK, pasi që tani të gjithë zyrtarët policor janë pjesë e policimit në bashkësi. Policia e Kosovës në themelin e saj tani e ka veprimtarinë sektoriale, dhe Komitetet Lokale për Siguri Publike (KLSP) për realizimin e aktiviteteve në partneritet me komunitetin.

 

KLSP-të janë trupa konsultativë për PK-në për të identifikuar, adresuar dhe për të zgjidhur problemet lokale në bashkësi. Roli i PK-së te KLSP-të është jetik. Çdo KLSP e ka një përfaqësues të policisë të cilët rregullisht marrin pjesë në takimet e organizuara dhe të drejtuara nga kryesuesit e KLSP-ve. Gjatë takimeve, KLSP-të dhe PK-ja shkëmbejnë informata, adresohen shqetësimet e publikut, dhe në të njëjtën kohë avancohet bashkëpunimi dhe komunikimi me publikun.

 

Besim dhe mbështetje për Policinë e Kosovës

Siguria e përbën një funksion themelor dhe një prej aspekteve më përcaktuese të çdo shoqërie demokratike. Perceptimet dhe vendimmarrja e përditshme ndikohen edhe nga një larmi problemesh që lidhen me sigurinë. Prandaj, kapiten Dragidella i kërkoi publikut besim dhe mbështetje për PK, me qëllim të parandalimit të krimeve, identifikimin e kriminelëve, dhe në raportimin e krimeve dhe dukurive të tjera që janë të dëmshme për bashkësitë dhe rrjedhimisht edhe tërë shoqërinë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE