DYMBËDHJETË KLUBET MË TË MËDHA EVROPIANE PAJTOHEN PËR SUPER LIGËN EVROPIANE

 

Tash e disa vite kanë qarkulluar zëra dhe thashetheme të ndryshme për krijimin e një Super Lige Evropiane të futbollit. Më 18 prill 2021, këta zëra u bënë realitet kur përmes një deklarate të përbashkët për shtyp dymbëdhjetë klubet më të mëdha të futbollit evropian e bën të ditur se ato tashmë e kanë nënshkruar një marrëveshje për krijimin e kësaj gare të re.

 

Klubet në fjalë janë: AC Milan, Arsenal FC, Atletico Madrid, Chelsea FC, FC Barcelona, FC Internazionale Milano, Juventus FC, Liverpool FC, Manchester City, Manchester United, Real Madrid CF dhe Tottenham Hotspur. Këto klube do të njihen si Klubet Themeluese dhe më pas edhe tri klube të tjera do të ftohen që t’i bashkohen kësaj dymbëdhjetësheje për të plotësuar pesëmbëdhjetëshen e Klubeve Themeluese, sa më shpejt që të jetë e mundur, para se të filloj stinori i parë.

 

Sipas planeve aktuale pesëmbëdhjetë Klubet Themeluese dhe pesë ekipe të tjera shtesë do të garojnë çdo vit në bazë të rezultateve të treguara gjatë vitit paraprak. Të gjitha ndeshjet do të luhen në mesjavë pa ndikuar kështu në garat e ligave kombëtare, që vazhdojnë të mbeten zemra e çdo klubi. Shumë shpejt pas krijimit të garave për meshkujt do të krijohet edhe Super Liga Evropiane për femrat.

 

Në shpalljen e përbashkët në lidhje me këtë vendim në mes të tjerash theksohet se në shkëmbim të këtij përkushtimi, secili prej klubeve themeluese do të kompensohet me një pagesë të vetme prej € 3,5 miliardë, qëllimi i vetëm i së cilës është që të investohet në infrastrukturë si dhe të zbuten pasojat e COVID-19. Presidenti i Real Madridit dhe njëherit edhe presidenti i zgjedhur i Super Ligës, Florentino Perez citohet të ketë deklaruar: “Ne do ta ndihmojmë futbollin në të gjitha nivelet dhe do ta vendosim atë në vendin që i takon në botë. Futbolli është sporti i vetëm global në botë me mbi 4 miliardë tifoz. Si klube të mëdha është detyra e jonë që t’i plotësojmë kërkesat e tifozëve”.

 

Kjo nismë e këtyre 12 klubeve nuk është pranuar aspak mirë nga pjesa tjetër e botës së futbollit, gjegjësisht UEFA, FIFA, si dhe përfaqësuesit e ligave kombëtare evropiane. Madje FIFA dhe UEFA kanë paralajmëruar se të gjithë lojtarët që do të garojnë në Super Ligën Evropiane nuk do të lejohen që të garojnë në asnjë prej garave kombëtare, evropiane ose ndërkombëtare që organizohen nën ombrellën e këtyre dy organeve.

 

Për momentin, kjo nismë është refuzuar prerazi edhe nga të gjitha klubet e Bundesligës gjermane si dhe të Ligue 1 të Francës. Rrjedhimisht, deri tani, asnjë klub nga këto dy liga nuk ka pranuar që të bëhen pjesë e kësaj nisme.

 

Kritika më e madhe ndaj kësaj ideje është se në këtë mënyrë klubet më të mëdha vetëm sa do ta rrisin dallimin me klubet e tjera më të vogla evropiane. Me fjalë të tjera, kjo garë shihet si një synim për të fituar më shumë para dhe pushtet për klubet e mëdha.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE