E ARDHMJA: MAKINA ME HIDROGJEN

 

Në vitin 2014 gjigandi japonez i makinave Toyota filloi me shitjen e super makinës “Mirai”, emër ky që në japonisht do të thotë e ardhmja. Tipari që e veçon Mirain është fakti se karburanti i saj është hidrogjeni. Kjo do të thotë se ajo emiton 0 dyoksid karbon në atmosferë. Përndryshe mbushja e rezervuarit të kësaj makine zgjat vetëm tri minuta dhe më pas ajo mund t’i përshkojë rreth 650 kilometra.

 

Edhe pse makinat elektrike janë më të përhapura, makinat me hidrogjen janë një opsion tjetër shumë i mirë për ruajtjen e planetit. Pikë së pari, hidrogjeni është një prej elementeve më të përhapura në tokë dhe në tërë universin. Krahas kësaj, njohësit e kësaj fushe pohojnë se në thelb puna e këtyre makinave është shumë e thjeshtë. Këto makina përmes qelizave për karburantin e hidrogjenit e shndërrojnë këtë të fundit në elektricitet kurse në dalje të makinës mbetjet e këtij gazi përzihen me oksigjen dhe rrjedhimisht kjo makinë emiton ujë në formë të avullit. Po ashtu, për dallim nga makinat tërësisht elektrike, rimbushja e makinave me hidrogjen nuk zgjat më shumë se sa rimbushja e një makine me karburante të zakonshëm.

 

Vështirësia e vetme në lidhje me këtë sistem të makinave është vendosja e pompave të hidrogjenit. Depozitimi i këtij gazi nuk është aq i lehtë pasi që rezervuarët e tij duhet të jenë më të fortë dhe më të qëndrueshëm. Njëkohësisht edhe prodhimi i hidrogjenit të pastër nuk është aq i lirë. Përkundër kësaj, falë përparësive që përsosja e kësaj teknologjie i ofron, kompanitë e mëdha janë duke e vazhduar prodhimin dhe gjetjen e zgjidhjeve në mënyrë që në të ardhmen e afërt, këto makina të jenë zgjedhja e parë për shumicën e konsumatorëve.

 

Toyota nuk është kompania e vetme që është duke punuar në teknologjinë e hidrogjenit. Rishtas kompania britanike Viritech e ka prezantuar konceptin e hiper makinës së saj Apricale, me të cilën synon që t’i sfidoj hiper makinat elektrike më të shpejta në botë. Kjo do të thotë se është e arsyeshme që të pritet që Apricale t’i ketë mbi 1000 kuaj fuqi dhe të arrijë shpejtësi maksimale mbi 300 kilometra në orë. Modelet e para të kësaj makine pritet që të prodhohen në vitin 2023.

 

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE