EDHE NJË DONACION NGA CIMIC-u I KFOR-it

 

Ekipi për Bashkëpunim Civil-Ushtarak (CIMIC) i KFOR-it, përmes realizimit të pandërprerë të projekteve dhe donacioneve vazhdon të tregojë përkushtimin për t’iu dalë në ndihmë të gjitha komuniteteve në Kosovë. Dje, më 09/11/2021, CIMIC i dhuroi makina profesionale të qepjes dhe materiale mbështetëse ‘Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave’, në Drenas, një qendër kjo e cila ndihmon në fuqizimin dhe punësimin e grave në këtë komunë.

 

Me rastin e dorëzimit të këtij donacioni ishte i pranishëm Zyrtari i Projekteve në CIMIC, i cili foli për këtë donacion dhe theksoi që ndihma e tyre përmes projekteve të ndryshme do të vazhdojë edhe më tej: “Sot e realizuam këtë donacion në ‘Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave,’ në Drenas, ku dhuruam makina të qepjes dhe materiale të tjera të nevojshme, të cilat gratë e kësaj qendre do t’i përdorin për qepjen e maskave dhe gjërave të tjera. Ne jemi krenarë për këtë donacion të shtatë makinave për qepje dhe ky është vetëm fillimi, sepse ekipet e LMT-së (Ekipi për Monitorim dhe Ndërlidhje), do të ndihmojnë edhe me artikuj të tjerë.”

 

Këtij donacioni iu gëzua edhe Shefi i CIMIC-ut në KFOR, i cili theksoi që ky projekt do të ndihmojë në punësimin e grave në këtë rajon: “Përmes këtij projekti, gratë e kësaj qendre do të qepin maska dhe gjëra të tjera, por edhe do të punësohen gra të tjera në këtë zonë. CIMIC-u do të zhvillojë edhe projekte të tjera dhe aktualisht jemi në procesin e gjetjes së organizatave apo grupeve të njerëzve që kanë nevojë për ndihmë në Kosovë.”

 

Me rastin e pranimit të këtij donacioni, përfaqësuesja e ‘Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave’, Kadire Tahiraj, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e saj ndaj KFOR-it: “Ky donacion është i mirëseardhur. Ne kemi pranuar makina profesionale të qepjes, të cilat do t’iu shërbejnë grave në qendrën tonë. Ky donacion do të na ndihmojë shumë sepse ai do t’i fuqizojë gratë e kësaj qendre. E falënderojmë KFOR-in dhe do t’iu jemi mirënjohëse përjetësisht, për mbështetjen si dhe për këtë donacion, sepse që nga themelimi i qendrës sonë, KFOR-i na ka mbështetur dhe na ka vizituar dhe ia ka kthyer vlerën dhe dinjitetin grave në Drenas.”

 

Përmes projekteve dhe donacioneve të shumta të CIMIC-ut, KFOR-i e dëshmon ndihmën dhe vullnetin e tij për të qëndruar pranë të gjithë njerëzve në Kosovë dhe për të përmirësuar mirëqenien e tyre të përgjithshme.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE