EDHE NJË DONACION NGA “DANCON MARCH”

 

“Kur ekziston vullneti, ekziston edhe mundësia!” Kjo është një thënie që shumë prej jush tashmë e keni dëgjuar, por mbase jo të gjithë e keni besuar. Mirëpo, kontingjenti i ushtarëve danez në kuadër të KFOR-it, janë dëshmi se kjo është më shumë se sa një thënie. Ishte pikërisht falë vullnetit të tyre që në fund të muajit janar të këtij viti, paralelja e ndarë e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Kajtaz Ramadani” në fshatin Gullbovc në komunën e Malishevës, përfitoi një donacion tejet të nevojshëm por, edhe të çmuar.

 

Të gjithë e dimë se pandemia e COVID-19 ka ndikuar në të gjithë fushat e jetës dhe e ka penguar zhvillimin e të gjitha aktiviteteve dhe sidomos atyre me karakter sportiv. Mirëpo, pjesëtarët e kontingjentit danez në kuadër të KFOR-it nuk ishin të gatshëm që të hiqnin dorë nga organizimi i edicionit të radhës të marshit të tyre tashmë tradicional në Kosovë të njohur si “DANCON March”.

 

“Ne e dinim se ‘DANCON March’ ishte shumë i famshëm këtu por, duke e pasur parasysh situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19, edhe tejet i nevojshëm. Po ashtu, ne e dinim se fitimet nga ky organizim do të shkonin për projekte bamirëse këtu në Kosovë dhe një pjesë për veteranët tanë në Danimarkë. Ishin këto arsye që na motivuan që të punonim pa ndërprerë që ta realizonim këtë projekt,” tha tetari Alexander Demant Pico, një prej organizatorëve kryesor të këtij marshi. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se të organizoje diçka të tillë në rrethanat aktuale nuk ishte aspak e lehtë, mirëpo mendimi se në fund nga ky organizim do të përfitonin të rinjtë në Kosovë dhe kolegët veteranë në Danimarkë, iu ndihmoi që të tejkalonin të gjitha pengesat.

 

“Kur e kërkuam lejen për organizimin e marshit, nga ne u kërkua që të vinim me një plan të detajuar i cili do të mundësonte një organizim të tillë në përputhje të plotë me të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19,” tha ai. Pico, po ashtu shtoi: “Kjo nuk ishte aspak e lehtë, sepse në duhej të siguroheshim që të 600 pjesëmarrësit e marshit do të ishin të sigurt dhe do të respektonin rregullat kundër COVID-19 sidomos bartjen e maskave dhe mbajtjen e distancës.” Për t’i përmbushur këto kërkesa të rrepta, organizatorët u detyruan që pjesëmarrësit t’i ndanin në grupe të vogla me nga pesë garues, ku çdo pesë minuta nisej nga një grup. Rrjedhimisht u deshën dy ditë nga pesë orë që të gjithë pjesëmarrësit të nisnin garën e tyre. Duhet theksuar se në fund të këtij organizimi nuk u regjistrua as edhe një rast i vetëm i COVID-19.

 

Pas përfundimit me sukses të marshit, erdhi koha që të përgatitej një donacion nga i cili do të përfitonin të rinjtë e Kosovës. Tetari Pico, tregon se për këtë qëllim atyre iu doli në ndihmë kapiteni Kristian Fog (si dhe ushtria daneze), i cili është këtu me shërbim në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë. Ky i fundit, falë punës së Ekipit për Ndërlidhje dhe Monitorim (Liason and Monitorin Team – LMT) K-24 nga Malisheva, mësoi se paralelja e ndarë në fshatin Gullbovc kishte nevojë për disa kompjuterë për kabinetin e tyre të informatikës si dhe një printer. Pas përzgjedhjes së këtij projekti, gjithçka shkoi shumë shpejt. Kështu, falë vullnetit dhe këmbënguljes nga ana e tetarit Pico dhe kolegëve të tij, nxënësit e këtij fshati tani i kanë disa laptopë të rinj dhe një printer të cilët do t’iu shërbejnë për të zhvilluar mësimin praktik nga lënda e informatikës.

 

Me rastin e dorëzimit të këtij donacioni, z. Afrim Morina, përgjegjësi i paraleles së ndarë në Gullbovc theksoi se aty i vijojnë mësimet 130 nxënës, të cilët deri më tani e kanë pasur në dispozicion një kompjuter të vetëm. Ky fakt, sipas tij, është treguesi më i mirë se sa i rëndësishëm është ky donacion për këta nxënës, për stafin e shkollës dhe sidomos për arsimtarin e informatikës, i cili edhe e kishte nisur kontaktin me LMT-të në lidhje me mundësinë e realizimit të një donacioni të tillë.

 

Në fund të bisedës sonë tetari Pico, tha se i tërë ky projekt ishte rezultat i punës ekipore dhe se ai ishte tejet krenar për suksesin e tyre. Ai po ashtu, theksoi se mundësia për të parë se sa i rëndësishëm ishte ky donacion për këta fëmijë, ishte shpërblimi më i madh për tërë sfidat që organizatorët është dashur t’ i kalojnë për organizmin e këtij edicioni të “DANCON March”. Kurse, z. Morina i porositi të gjithë të rinjtë se mënyra më e mirë për të arsyetuar donacionet e tilla është që ata të mësojnë dhe të punojnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE