EGZON REXHA – KAMPION NË SPORT DHE NË JETË

 

Kohë pas kohe, por jo shumë shpesh ndodh që të hasim njerëz jeta e të cilëve mund të shërbejë si frymëzim dhe motivim për të dhënë maksimumin tonë në jetë. Një rast i tillë është Egzon Rexha i cili u kurorëzua rishtas me titullin e Kampionit të Kosovës në Bodybuilding në kategorinë Men’s Classic 175 plus 4. Frymëzimi nga historia e Egzonit vjen nga fakti se në vitin 2017 ai u diagnostikua se vuante nga kanceri në gjëndrën limfatike.

 

Nga spitali në palestër

“Gjendja ishte tejet serioze dhe parashikimi i mjekëve ishte tejet negativ pasi që sipas tyre më kishin mbetur vetëm disa muaj jetë. Asokohe, falë ndihmës financiare të xhaxhait tim, Ali Rexha, i cili tashmë ka ndërruar jetë, unë shkova për trajtim në Beograd,” tregon Egzoni. Ai vazhdon më tej duke theksuar se vërtetë trajtimi ka rezultuar i suksesshëm por, nuk ka qenë e lehtë pasi që sipas tij një diagnozë dhe sëmundje e tillë të lë të dërmuar fizikisht dhe psiqikisht.

 

Pikërisht në këtë kohë, pasi filloi t’i merrte lajmet e para pozitive për sa i përket reagimit të trupit të tij ndaj trajtimit mjekësor, Egzoni filloi të shkonte në palestër, thjesht sa për të përmirësuar edhe gjendjen fizike dhe për ta kthyer trupin në një gjendje më të mirë fizike.

 

“Ka qenë shumë interesant se kur jam liruar nga spitali në Beograd, së pari kam zbritur nga autobusi në Mitrovicën Veriore. Sapo kalova në Mitrovicën Jugore para se të shkoja në shtëpi së pari kam shkuar në palestër ku e kam paguar anëtarësinë dhe e kam zhvilluar një seancë stërvitore. Madje e mbaj mend se pronarit të palestrës i kam thënë se po i filloja stërvitjet për t’u bërë kampion në bodibillding,” shton Egzoni.

 

Hobi kthehet në mision

Kështu, një aktivitet sportiv që Egzoni e kishte praktikuar si hobi që nga viti 2012 u kthye në një mision të cilin Egzoni sivjet e kurorëzoi me titullin kampion. Sa i përket vështirësive për të arritur në këtë nivel ai thotë se sfidat janë të shumta. Sipas tij, përgatitja për një garë nuk është aspak e lehtë pasi që duhet ndjekur një regjim shumë i rreptë dhe aspak i lehtë, i cili e përfshin edhe një periudhë kur duhet mënjanuar sheqerin dhe yndyrën tërësisht nga dieta dhe duhet konsumuar vetëm ushqime të dobishme për masën muskulore gjegjësisht proteina dhe karbohidrate.

 

Egzoni tregon se për të kjo periudhë ka zgjatur 72 ditë, dhe se gjatë kësaj kohe, ky lloj i dietës çon në luhatje të humorit dhe sigurisht një situatë e tillë nuk është aspak e lehtë për familjarët. Sipas tij, kjo edhe është arsyeja që menjëherë pas fitores dhe shpalljes si kampion i Kosovës ai ia ka dedikuar këtë fitore bashkëshortes së tij.

 

“Është interesant se të rinjtë sot nuk hezitojnë që të konsumojnë cigare, alkool apo në raste edhe më të këqija droga. Mirëpo, të gjithë pyesin se sa i dëmshëm është konsumimi i pijeve suplementare të proteinave dhe shpesh as nuk i konsumojnë për shkak të frikës nga dëmet e mundshme. Prandaj, këshilla ime është që të fillojnë të merren me sport dhe të mos hezitojnë të konsumojnë produkte të shëndetshme që e stimulojnë zhvillimin e shëndetshëm të trupit dhe pyetjet rreth dëmeve le t’i bëjnë për veset e tilla si duhani, alkooli dhe drogat,” porositi në fund

Egzoni.

PDF Magazine

Maj

READ MORE

NEW MAGAZINE