EKSPERIMENTE NË SHTËPI

Kohën tonë të lirë zakonisht e kalojmë në shtëpi në telefon, kompjuter, duke shikuar TV ose surfuar në internet. Sigurisht, në atë mënyrë mund të mësojmë shumë, por le t’a gjallërojmë pak jetën tonë të përditshme, le të eksperimentojmë! Nga ato që keni në shtëpinë tuaj mund të zbuloni e mësoni rreth reaksioneve kimike. Ne kemi përgatitur tre eksperimente të thjeshta dhe interesante për ju.

 

Vezë gome!

Për këtë eksperiment, ju duhet një vezë dhe uthull. Vendoseni vezën në një gotë me uthull, në mënyrë që uthulla t’a mbulojë atë plotësisht. Lëreni të qëndrojë për 24 orë. Do të vini re fluska. Pas 24 orësh, nxirrni vezën jashtë; lajeni atë dhe do të kuptoni se duket sikur është bërë prej gome. Çfarë ndodhi? Uthulla në të vërtetë e “hëngri” lëvozhgën e vezëve, duke lënë vetëm membranën e brendshme, e cila normalisht gjendet mu nën lëvozhgën e vezëve. Kur uthulla dhe lëvozhga e vezës vijnë në kontakt me njëra-tjetrën, ndodh një reaksion kimik, kështu që ju mund t’i shihni fluskat. Për 24 orë, lëvozhga e vezës u konsumua në reaksionin me uthull dhe më tej veza u bë sikur të ishte bërë prej gome.

 

Lule të ngjyrosura!

Lulet kanë ngjyrën e tyre natyrale, por ekziston një mënyrë për t’i ngjyrosur ato. E tëra që ju nevojitet është ngjyra të lëngshme (ushqimore) dhe ujë. Mbusheni me ujë një vazo ose gotë, shtoni ngjyrat e ushqimit dhe më pas vendosni lulet me kërcell në ujë me ngjyra. Do të merr pak kohë, por së shpejti do të shihni lulet duke ndryshuar ngjyrë. Kjo veçanërisht do të vërehet nëse përdorni një lule me petale të bardha. Kjo ka të bëjë me transpirim, d.m.th. bima “pi” ujë nëpër kërcellin e saj, e ngjashme me atë se si ne pimë nga një pipëz. Ky ujë i njëjtë më pas gjendet në hapjet e gjetheve dhe petalet e bimës, kështu ndërsa uji ngjyroset edhe lulja ngjyroset.

 

Bonbonet e gomës mund të rriten!

Bonbonet e gomës janë një nga kënaqësitë më të preferuara për shumë njerëz. Ato janë në dispozicion në forma dhe shije të ndryshme. Zgjidhni të preferuarat tuaja dhe shihni vetë se si ato mund të rriten. Ju duhen dy gota – njëra e mbushur me ujë, tjetra me Coca-Cola. Vendosni një bonbon gome në secilën prej tyre. Bonbonet në ujë ose Coca-Cola duhet të rrinë në ujë për 24 orë. Kur t’i kontrolloni ato, do të kuptoni se ëmbëlsirat janë “rritur”. Kontrolloni se cilat bonbone janë rritur më shumë – ajo në ujë, apo ajo në Coca-Cola. Bonbonet e gomës janë bërë nga xhelatina dhe uji. Bonbonet rriten sepse uji kalon nëpër membranën gjysmë të përshkueshme që i lejon disa substanca të kalojnë e disa jo.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE