ËNDRRA PA KUFI: RIKTHEHET SHPIRTI I LIRË I VESA LUMËS

Në jehonat kumbuese të muzikës shqiptare, Vesa Luma rikthehet si një melodi që pasi i ka përshkuar kontinentet e ka gjetur rrugën për t’u kthyer në shtëpinë e saj. Pas sa viteve të kaluara në kulturën e larmishme të Zelandës së Re, Vesa është gati për t’iu rikthyer skenës sonë muzikore, për të na magjepsur sërish me meloditë e saj të paharrueshme. Në këtë intervistë ekskluzive me 4You Magazine, Vesa na tregon për rrugëtimin e saj të jashtëzakonshëm që nga hapat e parë në “Ethet e së Premtes” deri te ky rikthim në zemrën e muzikës shqiptare. Bashkohuni me ne në këtë odise muzikore të pasuruar nga pasioni, talenti, dhe përkushtimi i palodhur që ka përshkuar dekada dhe mijëra kilometra.

 

A mund të na tregoni shkurt për rrugëtimin tuaj nga jeta e hershme deri te arritja e famës si një këngëtare e suksesshme, duke e përfshirë përvojën tuaj në “Ethet e së Premtes”?

Qëkur e mbaj mend veten, kam ëndërruar që të kem punë me televizionin, me kamerat, me muzikën. Madje, kur kishim mysafir dilja para televizionit dhe bëja imitime, këndoja; ndoshta me pak frikë, por me shumë vullnet, dhe pastaj erdhën Ethet…

 

Çfarë roli kanë luajtur “Ethet e së Premtes” në nisjen e karrierës suaj muzikore dhe si e formësuan ato zhvillimin tuaj artistik?

Një ëndërr e cila është bërë realitet, që më mësoi shumë për muzikën, për performancat, raportin me skenën, me mikrofonin, me njerëzit e profesionit që na drejtojnë në performancën më të mirë, përballja me publikun, me kamerat, me çdo gjë që e karakterizon një këngëtar. Më vjen keq që jo të gjithë këngëtarët e rinj e kanë këtë mundësi.

 

 

Cilët këngëtarë kanë ndikuar te muzika e juaj dhe si kanë ndikuar ata në stilin tuaj si artist?

Nëse flasim për këngëtarë të huaj, gjenerata imë është rritur nën ndikimin e pop-rokut, pastaj erdhi edhe RnB. Normalisht, ndikimi më i madh ishin Whitney Huston, Lauren Hill, Alicia Keys dhe shumë të tjerë. Ndërsa, sa i përket këngëtarëve shqiptar, Armend Rexhepagiqi ka qenë dhe mbetet një shembull i jashtëzakonshëm sesi duhet të jetë një muzikant.

 

Si do ta përshkruanit stilin tuaj muzikor dhe çfarë ju dallon nga artistët e tjerë?

Pavarësisht se ajo që kam dëgjuar shumë shpesh nuk është ajo të cilën e kam bërë në muzikë, muzika Pop RnB është stili im muzikor. Ndërsa, besoj se ajo që më dallon nga artistët e tjerë është kujdesi në përzgjedhjen e këngëve, sepse dua që këngët e mia të jetojnë gjatë dhe t’i bëjnë ballë kohës.

 

A mund të veçoni disa nga këngët ose projektet tuaja të preferuara që e përfaqësojnë evolucionin tuaj muzikor?

Një prej këngëve të mia të preferuara është “Edhe për mua do të ketë një zemër,” të cilën e ndjej me zemër.

 

Si ka ndikuar marrëdhënia personale me bashkëshortin tuaj në muzikën apo bashkëpunimet tuaja krijuese?

Sigurisht, ne punojmë gjithë kohës bashkë, e marrim mendimin e njëri-tjetrit, por në anën tjetër gjithashtu jemi të dy shumë të pavarur në vendimet tona. Ndërsa, në jetën e përditshme shumë rrallë flasim për profesionin tonë, vetëm kur duhet patjetër.

 

 

Cili është mësimi më i vlefshëm që e keni mësuar për të balancuar një karrierë të suksesshme muzikore dhe një jetë personale të përmbushur?

Mësimi më i vlefshëm është që secila gjë e ka kohën e vet. Pra, nëse jam me familjen, jam me familjen; nëse jam në punë, jam në punë; nëse jam me shoqëri, jam me shoqëri. Me fjalë të tjera, në jetë nevojitet të kemi baraspeshë.

 

A mund të ndani ndonjë përvojë apo aventurë interesante nga koha juaj në Zelandën e Re që ka lënë gjurmë tek ju?

Në fakt, Zelanda e re njihet për sportet ekstreme si kërcimi me litar (bungee jumping) apo vrapi në sfera (zorbing), të cilat i kam provuar. Ndonëse, sot nuk do t’i provoja më.

 

Çka do të konsideronit kulmin e karrierës suaj muzikore deri tani?

Mendoj se akoma nuk e kam arritur kulmin e karrierës sime. E them këtë sepse jam shumë kërkuese ndaj vetes dhe asnjëherë nuk jam mjaftuar me punën që e kam bërë. Mirëpo, nëse mund të veçoj diçka që më bën të ndihem shumë mirë është që publiku më respekton dhe më do shumë pavarësisht sa herë kam bërë pauzë apo e kam ndjekur një drejtim të ri në jetën time.

 

A ka ndonjë projekt apo synim të ardhshëm që dëshironi të arrini në karrierën tuaj?

Tani që jemi kthyer në Shqipëri, kam menduar që mbase do të ishte mirë të kaloja kufijtë e mi muzikor, në kuptimin që të mos krijoj muzikë vetëm në gjuhën shqipe, por të provoj të krijoj edhe muzikë në gjuhën angleze.

 

 

Si e mbani lidhjen me fansat tuaj, si në Shqipëri/Kosovë ashtu edhe jashtë saj dhe çfarë roli e kanë ata në rrugëtimin tuaj?

Falë teknologjisë sot e kemi shumë më të lehtë komunikimin me fansat me njerëzit që e përcjellin muzikën dhe aktivitetet tona. Shpeshherë mundohem që të kuptoj se çfarë presin fansat nga unë, në mënyrë që të gjej atë baraspeshën në mes të asaj se ku jam unë dhe çfarë do të bëj më tutje.

 

A mund të ndani një takim ose përvojë të paharrueshme me ndonjë fans që ju ka prekur thellë?

I kam disa njerëz të cilët në vazhdimësi gjatë gjithë karrierës sime e kanë përcjellë çdo punë timen, çdo aktivitet, çdo këngë të re, dhe jam shumë e lumtur që kam arritur që të takohem me ta. Sepse, në momente të caktuara kanë qenë pikërisht ata që më kanë frymëzuar që të mos ndalem edhe kur ka qenë shumë e vështirë.

 

A ka ndonjë bashkëpunim apo projekt të veçantë ëndrrash që ju aspironi që ta realizoni në të ardhmen?

Projekt i veçantë do të doja shumë të ishte ndonjë film artistik, flas për film të huaj normalisht, ku kolonën zanore të atij filmi do ta realizoja unë. Mbase po ëndërroj shumë, por pse jo? Ëndrrat janë falas.

 

A mund të na jepni një prezantim të shkurtër të planeve tuaja të ardhshme, si në aspektin e karrierës suaj muzikore ashtu edhe në jetën personale?

Kam shumë plane sidomos për vitin 2024. Aty bëjnë pjesë një album muzikor, koncerte recitale dhe disa programe televizive. Pra, pres që angazhimi të jetë maksimal dhe shpresoj që të mos dalë ndonjë pengesë që të ma ndalë hovin.

 

Cila është këshilla më e mirë që ua kanë dhënë ndonjëherë?

Këshilla më e mirë ka qenë nga nëna e ime: “Mos u brengos dy herë”.

 

Tri momentet kyçe në jetën tuaj?

  1. Pjesëmarrja në Ethet e së Premtes
  2. Ardhja në jetë e djalit tim
  3. Shkuarja në Zelandën e Re.

 

Cila është fitorja më e madhe në jetë?

Fitorja më e madhe në jetë është djali im, dashuria ime për të dhe puna që e kam bërë me të nga momenti i lindjes deri më tash.

 

Facebook, Instagram, Snapchat, WhatsApp, Tik-Tok apo…?

Nëse do të zgjidhja nga këto, mbase do të ishte TikTok, pasi që mund t’i shoh disa nga gjërat më interesante dhe më qesharake, por edhe për të kuptuar se çfarë është duke ndodhur në botë.

 

 

Telefonatat, posta elektronike (email), apo porositë (SMS)?

Posta elektronike definitivisht. Është diçka që është në zhdukje, por që e ka një ndjenjë ndryshe nga SMS-të apo telefonatat.

 

Porosia më e çuditshme, më qesharake dhe më e pavend që e keni pranuar nga ndokush?

Porositë më qesharake mbase i pranoj nga nëna ime, për shkak të opsionit “Auto Correct”, i cili disa fjalë i ngatërron në mënyrën më të çuditshme dhe më qesharake. Nuk do të zbuloj më shumë për to, përndryshe “nuk do të kem më vend te nëna ime” – hahaha.

 

Cili është pengu më i madh në jetën tuaj profesionale?

Nuk e kam asnjë peng në jetën time profesionale. Gjithçka që kam dashur që ta realizoj e kam realizuar dhe për këtë jam shumë e lumtur.

 

Radhiti sipas rëndësisë: Puna, Talenti dhe Pasioni?

Talenti, pasioni, puna.

 

Lidhja e juaj me publikun dhe artin e Kosovës?

Lidhja është shumë e ngushtë, shumë emocionale dhe pa kompromis.

 

Cila është porosia e juaj për lexuesit tanë?

Dua që t’i inkurajoj të gjithë të rinjtë që kur nuk ndihen vetvetja, nuk ndihen mirë, nuk ndihen të vullnetshëm t’i kushtojnë shumë rëndësi shëndetit mendor, të flasin me njerëz, të flasin me profesionistë, dhe të shmangin morinë e lajmeve negative. T’i krijojnë vetes hapësirë dhe të merren më shumë me veten e tyre, të lexojnë më shumë. Kam dëshirë që ta jap këtë mesazh, sepse të gjithë ne, sidomos pas pandemisë, kemi përjetuar shumë ankth dhe stres. Kjo është porosia ime, përndryshe të gjithëve u uroj sa më shumë dashuri, pozitivitet, shëndet dhe sukses në punët e tyre.