ËSHTË KOHA PËR UNIFORMAT E SHKOLLËS!

 

“Çfarë do të veshi sot në shkollë?”, me siguri këtë pyetje ia bëni vetes çdo ditë ndërsa përgatiteni për shkollë. Në disa shkolla nuk ka dilema të tilla mode, sepse uniforma e shkollës është e detyrueshme; visheni në një variant të rehatshëm pune, në të cilin ndiheni rehat gjatë kryerjes së aktiviteteve të përditshme shkollore. Ndërlidhjet fillestare me uniformën e shkollës ndryshojnë nga brezi në brez. Disa e konsiderojnë atë praktike sepse fsheh dallimet shoqërore, të tjerëve pikërisht për shkak të atij barazimi nuk iu pëlqen. Sot, në disa shkolla po kthehen mantelet për shkak të sigurisë dhe identifikimit më të lehtë të nxënësve. Fillimet e para ishin në shekullin e 16-të në Britaninë e Madhe. Uniformat shkollore janë gjithashtu pjesë e trendëve bashkëkohorë të modës dhe për këtë arsye ju paraqesim disa nga më interesantet…

 

Mantelet shkollore në Itali – “grembiule”

Edhe pse “grembiule” nuk janë të detyrueshme në të gjitha shkollat, ato janë shumë të shpeshta, si në institucionet parashkollore ashtu edhe në ato shkollore. Ato blihen veçmas, nuk kushtojnë shumë, kanë ngjyra të llojllojshme e gazmore, dhe vishen përmbi rrobat e zakonshme të nxënësve. Disa prindër i blejnë ato për fëmijët e tyre, edhe atëherë kur mantelet e shkollës nuk janë të detyrueshme në shkollat e tyre. Kështu është më praktike për nxënësit të kujdesen për rrobat që i veshin nën mantele, madje edhe kur manteli shqyhet ose përlyhet nuk është ndonjë problem, sepse mund të zëvendësohet me lehtësi dhe është në dispozicion për të gjithë.

 

Kina – komplet uniformash për çdo rast

Uniformat shkollore janë të zakonshme në Kinë. Kryesisht, secili nxënës ka nga pesë variante uniformash – dy formale dhe tre të përditshme, kështu që mund të thuhet se blerja e të gjitha uniformave është një shpenzim i vërtetë për prindërit (veçanërisht nëse kanë më shumë fëmijë). Uniforma formale është e detyrueshme gjatë festimit të ditës së shkollës, në shfaqje dhe përfaqësime, në gara … Këmishë e bardhë, fund ose pantallona dhe triko – janë pjesë e uniformës ose kompletit formal, ndërsa kompleti i përditshëm përbëhet nga pantallona të zakonshëm dhe një bluze të thjeshtë e të bardhë. Interesante është të dimë se kohëve të fundit po punohet në modernizimin e uniformave të shkollës në Kinë, madje edhe vetë nxënësit janë të përfshirë në procesin e dizajnimit të pamjes së re dhe kanë mundësi të japin sugjerimet e tyre.

 

“Uniforma inteligjente” në Brazil

Në qytetin brazilian Vitoria da Konkista, të ashtuquajturat “uniforma inteligjente” janë në përdorim. Besoni apo jo, ato kanë çipa të integruar që iu mundësojnë profesorëve dhe prindërve të kontrollojnë vendndodhjen e fëmijës në çdo kohë. Nëse një nxënës nuk vjen në shkollë, një mesazh u dërgohet automatikisht prindërve duke i informuar ata për këtë. Edhe pse tema është për diskutim nëse një sistem i tillë duhet të ekzistojë apo jo nëpër shkolla, çipat janë treguar të jenë shumë të dobishëm në luftimin e ikjes dhe mungesave nga shkolla.

 

Uniformat e shkollës në Australi u përshtaten temperaturave të larta

Në Australi, çdo shkollë (private dhe publike) mund të përcaktojë se si do të duket uniforma e tyre për djem dhe vajza. Kryesisht ngjyrat e këtyre uniformave përputhen me stemën dhe simbolet e shkollës. Interesante është të dimë që si pjesë e uniformës verore të shkollës, nxënësit kryesisht kanë kapele të detyrueshme që i mbrojnë ata nga efektet negative të rrezatimit nga dielli. Në pajisjet për edukatë fizike, fëmijët australianë kanë gjithashtu edhe një mushama! Gjegjësisht, duhet të jetë prej poliesteri dhe t’iu mundësojë nxënësve të mbajnë orën e edukatës fizike si në mot të ftohtë ashtu edhe me shi.

 

“Shalwar kameez” në shkollat indiane

Nxënësit e shkollave të mesme në Indi si uniforma të tyre të shkollës veshin “Shalwar kameez”. Ka një pamje të njëjtë si për djemtë ashtu edhe për vajzat, gjersa përbëhet nga pantallona tejet të gjera dhe nga një tunikë. Kjo në të njëjtën kohë është një veshje kombëtare, gjersa një version pak më të modernizuar e veshin nxënësit në shkollat e mesme në Indi.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE