EVA MURATI – VAJZA E KAMPIONËVE

 

Prezantuesja televizive dhe aktorja Eva Murati është ndër personalitetet publike shqiptare më të ndjekura dhe më me ndikim me 215.000 përcjellës në Facebook dhe mbi një milion përcjellës në Instagram. Rrjedhimisht, ajo është një ndër femrat më të famshme dhe më të pëlqyera në mediat sportive shqiptare. Ju ftojmë të lexoni intervistën tonë ekskluzive me Eva Muratin.

 

Edhe pse E keni provuar modelimin, aktrimin dhe televizionin, ju njiheni më së shumti si ‘Vajza e Kampionëve’. Personalisht ku ndiheni më shumë si Kampion?

Është e rëndësishme të kesh një mentalitet të ndryshëm për secilën kategori; prezantimi kërkon të jesh energjik dhe i përditësuar në çdo kohë; aktrimi kërkon të jesh i vendosur dhe i hapur ndaj përvojave të reja, i gatshëm për të harruar se kush je dhe për t’u vënë në lëkurën e dikujt tjetër, duke gjeneruar një gamë të gjerë emocionesh. Modelimi mendoj se është më i lehti, por ju duhet të jeni më të prezantueshëm në mënyrë që njerëzit të duan të jenë në venidn tënd dhe të blejnë produktin që po shisni. Të gjitha këto punë janë të rëndësishme dhe kërkojnë një sërë aftësish të ndryshme, por ndihem më rehat kur prezantoj. Gjithmonë jam ndier mirë të flas para njerëzve, madje edhe nëse ishte diçka aq thjeshtë sa prezantimi i një projekti para një klase. Aktualisht jam më e fokusuar tek dy të parat – prezantimi dhe aktrimi. Prezantimi i një projekti aq të madh sa “Liga e Kampionëve” më bën më të fokusuar dhe më të vendosur në atë që bëj. Pra, prezantimi është vendi ku ndihem më shumë si kampione. Aktrimi është më sfidues dhe aktualisht jam duke punuar në shfaqje televizive dhe filma që së shpejti do të transmetohen.

 

Cili është faktori kryesor i suksesit tuaj në median sportive, që deri vonë ka qenë e dominuar nga gazetarët meshkuj? A ishte të qenit femër një avantazh apo disavantazh në rrethana të tilla?

Më shqetësonte që njerëzit zakonisht kishin perceptimin se një prezantuese femër është atje vetëm si mbështetje dhe në fillim e pashë si një disavantazh. Më pas, pas vetëm një sezoni, regjia artistike vendosi që më mirë ta prezantoj shfaqjen e vetme. Sa i përket punës, e marr me shumë seriozitet, është karriera ime, është ajo që kam luftuar për të arritur sukses që nga mosha 16-vjeçe. Andaj nuk do të lija asnjë koment mizogjen të ndikojë në mua, në pasionin dhe vullnetin tim, dhe padyshim që u shpërblye. Isha gruaja e parë në Shqipëri që prezantova “Ligën e Kampionëve” dhe ua bëra më të lehtë grave të tjera të ndiqnin hapat e mi dhe ta merrnin parasysh seriozisht sportin, duke treguar me shembull se mund të keni sukses dhe të fitoni respekt edhe në një mjedis të dominuar nga meshkujt.

 

A mund të bëni një krahasim midis përvojës suaj me “Tiki Takën” dhe “Studios së Ligës së Kampionëve”, dhe a mund të na thoni se si këto dy përvoja kanë ndikuar në zhvillimin tuaj individual dhe profesional?

“Liga e Kampionëve” është puna ime, është vendi ku unë kam fjalën e fundit të vendimit, më përgatiti ndër vite dhe më bëri një gazetare të aftë. Kështu që mund të flas e sigurt në çdo studio, qoftë edhe në atë të “Tiki Takës”. Sigurisht, të qenit prezantuese televizive në Shqipëri dhe të qenit analiste në Itali janë dy gjëra shumë të ndryshme, duke filluar nga gjuha që nuk është gjuha ime amtare, por përpiqem të flas sa më thjeshtë, në fund të fundit topi është në fushën time dhe mund të luaj këto sfida kombëtare e ndërkombëtare sa më mirë që mundem.

 

Kush është partneri më i mirë profesional me të cilin keni punuar?

Përpiqem të gjej diçka të mirë tek të gjithë ata me të cilët kam punuar në ekran dhe jashtë tij, por nga ai që kam mësuar më së shumti që kur e njoha në fillimet e karrierës do të ishte Adi Krasta. Ai është një gazetar dhe argëtues (entertainer) i nivelit të lartë, padyshim ai nga i cili jam përpjekur të “vjedh” sa më shumë profesionalisht.

 

Cili është problemi më i madh të cilin e keni pasur?

Kam humbur patentën e shoferit për një muaj. Ishte një muaj i tmerrshëm dhe sfidues. (haha)

 

Cila është këshilla më e mirë që keni marrë ndonjëherë?

“Momento Mori” (nga latinishtja: Mbani mend se duhet të vdisni) mund të tingëllojë keq në fillim, por është një kujtesë e vazhdueshme që ju duhet ta doni jetën, sepse jetoni vetëm një herë dhe duhet ta shijoni atë deri në maksimum!

 

A keni menduar ndonjëherë të lini gjithçka pas dhe të filloni diçka të re?

Po sigurisht, afërsisht një milion herë mendoj të tërhiqem në një ishull diku, duke bërë diçka që nuk përfshin të qenit në sy të publikut. Do të ishte për të ardhur keq, sepse kam filluar të punoj që kur isha 16 vjeç. Kam punuar shumë për të realizuar atë që kam sot, duke qenë një nga prezantueset më të mira të “Prime Time-it” në Shqipëri. Më pëlqen ajo që bëj dhe nëse do të ishte për mua nuk do të ndaloja kurrë së prezantuari, por fusha në të cilën punoj është e mbushur me njerëz toksikë që do të jepnin krahët dhe këmbët vetëm për t’ju parë duke dështuar. Ka shumë psikopatë që përpiqen të fitojnë menjëherë reputacionin, aftësitë dhe respektin, që unë kam fituar përgjatë viteve plot mund.

 

Paraqitja juaj më e mirë dhe më e keqe publike?

Mendoj se më e mira do të duhej të ishte për ndonjë festival filmi. Gjithmonë kur jam në ngjarje të tilla përpiqem të ndihem sikur jam duke ecur në tapetin e kuq të “Oskarit”. Nuk e di nëse kam pasur paraqitjen më të keqe, sepse gjithmonë kur nuk jam e sigurt përpiqem të jem e kujdesshme. Moda nuk është pasioni im, ndaj këtë detyrë gjithmonë ua lë stilistëve.

 

Kë e shihni si rivalin tuaj më të madh?

Të them të drejtën nuk besoj në rivalitet. Unë mendoj se çdo lule lulëzon për vete, as nuk besoj në thënien e famshme të Ronaldos “Mesi më bëri një lojtar më të mirë”. Mundohem të jem e rrethuar nga dashuria dhe të lulëzoj vetë. Rivalja ime më e madhe është vetëm Eva e së ardhmes dhe kaq!

 

Si duket një ditë e zakonshme në jetën e Eva Muratit?

Mundohem që çdo ditë të jetë një ditë ndryshe sepse rutina është gjëja që e urrej më së shumti. E urrej aq shumë! Madje përpiqem të ndryshoj oraret vetëm për të mos bërë diçka të njëjtë si një ditë më parë. Kjo është e vështirë, por më bën të ndihem më mirë vetëm duke e ditur që nuk jetoj në një rreth, vazhdimisht të njëjtën ditë. Filmi “Groundhog Day” ishte për mua një nga filmat më të frikshëm. (Haha)

 

Ronaldo apo Mesi?

Ata janë më të mirët e këtij brezi, dy mega yje që përcaktuan epokën e futbollit në të cilën jetojmë. Të gjithë duhet ta konsiderojmë veten me fat që kemi pasur mundësinë t’i shohim këta lojtarë elitë të luajnë në vitet e tyre më të mira dhe në formën e tyre më të mirë. Ata padyshim i shkruajtën emrat e tyre me shkronja të arta në çdo libër të historisë së futbollit, kështu që gjëja më e mirë do të ishte të mos zgjidhnim, por thjesht t’i shijojmë të dy!

 

 

Futbolli apo…?

-Futbolli, futbolli, mos përmend asgjë tjetër! Haha!

 

Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok apo…?

“Instagrami” është ai që përdor më së shumti, është më shumë lloji im i postimeve, përmbajtja dhe audienca ime. E njëjta gjë me “Facebook-un”. Provova “TikTok-un” por nuk ishte në stilin tim që të prodhoja përmbajtje për të. Nuk kam pasur kurrë “Snapchat”.

 

Telefonata, email-e apo mesazhe?

Telefonata, gjithmonë telefonata. Ndryshe nuk kemi kontaktuar fare!

 

A përdorni “emoji” gjatë komunikimit tuaj dhe cilin prej tyre e përdorni më shpesh?

Sigurisht, tani “emoji-t” janë pjesë e jetës sonë të përditshme, ne praktikisht jemi kthyer në kohët e Egjiptit të lashtë, nuk ka më hieroglife, tani përdorim “emoji”. Të preferuarat e mia janë 🤗✨🙌

 

A mund të shkruani një mesazh vetëm me “emoji” dhe të na shpjegoni atë?

 

🇦🇱 💁🏻‍♀️🤞👉🏻💪🎬➕⚽🌍🇮🇹

Vajza shqiptare që dëshiron të pushtojë kinemanë dhe botën e futbollit në Itali!

 

Mesazhi më i çuditshëm, më qesharak dhe më i papërshtatshëm që keni marrë nga dikush?

Unë do të them një mesazh që i përfshin të triat. Kishte një krah me një tatuazh të fytyrës sime në të. Ishte e çuditshme; nëse është e vërtetë, padyshim që e papërshtatshme, por kur e mendon me të vërtetë qesharake. Shpresoj se ishte një falso. (Haha)

 

Cilat aftësi apo veçori mendoni se ju bëjnë një gazetar të shkëlqyer?

Të jesh gjithmonë i përgatitur, të bësh kërkime, të jesh këmbëngulës, të kesh vëmendje ndaj detajeve përpara se të bësh pyetjen tjetër, por gjithashtu të jesh emocionues, duke përdorur ironi dhe duke buzëqeshur kur është e nevojshme. Këto janë të gjitha gjërat që vijnë me moshë dhe pjekuri në një fushë. Unë nuk besoj në suksesin brenda natës. Mund të blesh vëmendjen e njerëzve, por nuk mund t’i bësh ata të të respektojnë nëse nuk je i mire sa duhet!

 

Cilat janë dobësitë tuaja më të mëdha që dëshironi t’i përmirësoni?

Besimin e tepërt tek njerëzit, duke menduar se të gjithë vijnë me qëllime të mira. Unë nuk jam naive, por duhet të jetë një botë vërtet e çmendur, nëse ndihesh si Princi Mishkin nga “Idioti” i Dostojevskit, shumicën e kohës. Kurrë nuk e kam kuptuar nevojën e njerëzve për të komplotuar kundër njëri-tjetrit. Unë thjesht fokusohem në korsinë time dhe përpiqem të jem më e mirë se që isha dje dhe kaq!

 

Cili është talenti më i kotë që keni?

Kam një kujtesë fotografike. Sapo shoh fytyrën e dikujt, ajo futet përgjithmonë në arkivin tim. Për shembull, unë mund t’i njoh gjithmonë aktorët (madje edhe ata që nuk janë aq të famshëm) në veprat e tyre të hershme, madje as në filma të njohur, por në filma që ndoshta as miqtë dhe familja e tyre nuk i dinë. Është talent i humbur për të njohur aktorë dhe filma, kështu që është padyshim i kotë sepse kujt i duhet një “IMDb” i gjallë. (haha) 😂

 

Sekreti prapa një milion ndjekësve në “Instagram”?

Jini origjinal me përmbajtjen tuaj, postoni çfarëdo që pëlqeni edhe atëherë kur nuk është fotoja më perfekte, apo vetja juaj më e përsosur, ndjekësit do të ndjejnë atmosferën dhe do t’u pëlqejë!

 

Si do t’i përshkruanit adhuruesit tuaj?

Më besnikët, besnikë ndaj meje, besnikë ndaj “Ligës së Kampionëve”. Ata që më pagëzuan si “Vajza e Kampionëve”, të cilët nuk dua t’i zhgënjej kurrë. Adhuruesit e vërtetë frymojnë futboll, jetojnë me të, e konsiderojnë atë besim, ndaj do të jem gjithmonë e përkushtuar dhe besnike ndaj atyre që më admirojnë me aq pasion.

 

Çfarë shpresoni të arrini në pesë vitet e ardhshme?

Unë mendoj se qeniet njerëzore duhet të jenë studentë përgjithmonë. Procesi i të mësuarit në jetë duhet të vazhdojë përgjithmonë. Tani po mësoj një gjuhë të pestë, turqishten, dhe kushedi se çfarë projekti tjetër do të kem në të ardhmen. Ndoshta, projekte më të mira filmike dhe shfaqje më të mëdha. E vetmja gjë që me të vërtetë dua të arrij tani dhe përgjithmonë është që të mos i lë kurrë anash synimet dhe ëndrrat e pastra të fëmijës brenda vetës.

 

Si do të dëshironit t’ju mbanin mend më shumë?

Njerëzit do të harrojnë atë që keni bërë, por njerëzit nuk do të harrojnë kurrë se si i keni bërë të ndihen, andaj do të doja të më mbanin mend si dikush që i bëri njerëzit të buzëqeshin, dikush që i bëri ata të ndiheshin mirë duke më njohur personalisht apo edhe thjesht duke më parë në televizor. Jini gjithmonë të sjellshëm sepse të gjithë ata që njihni po luftojnë një betejë për të cilën ju nuk dini asgjë!

 

Cila është porosia juaj për lexuesin tonë?

Do të citoj bashkëkombasen time, Nënë Terezën, e cila tha: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Kjo mendoj se është gjëja më e rëndësishme që mund t’i bëjë të tjerët, por më e rëndësishmja, jetën tonë, më të mirë!

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE